HomeRajoniShqiptarët, në këmbë për komandantët e UÇK. Gjyqi në Hagë, kundër ish-luftëtarëve...

Shqiptarët, në këmbë për komandantët e UÇK. Gjyqi në Hagë, kundër ish-luftëtarëve apo historisë së Kosovës?

Advertismentspot_img

Pesë vjet pas arrestimit të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, procesi gjyqësor ka hyrë në fazën përfundimtare.

Në Hagë, drejtësia po shkon drejt epilogut të një dosjeje që ka përfshirë jo vetëm emrat më të njohur të luftës për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës, por edhe kujtesën dhe dhimbjet e vuajtjes së një kombi. Pas këtyre mureve, në qelitë e Hagës, që nga 4 dhe 5 nëntori i vitit 2020, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi përballen me akuza të rënda të Prokurorisë Speciale, të dëgjuara deri pak më parë vetëm për kriminelët e luftës dhe autorët e masakrave më të mëdha në Ballkan, si ajo e Srebrenicës, Sllobodan Millosheviç dhe Radovan Karaxhiç.

Edhe pse kanë mbrojtur Kosovën nga vrasjet masive, masakrat, spastrimi etnik dhe gjenocidi serb, akuzohen për burgosje të paligjshme, torturë, vrasje e krime kundër njerëzimit. Procesi që nisi në vitin 2023 po hyn tani në fazën përmbyllëse me dëshmitë e mbrojtjes, që deri tani i kanë demaskuar akuzat si një farsë, pa asnjë lidhje me një popull që po luftonte kundër një pushtuesi të egër dhe që nuk njohu rregulla konvencionale të luftës.

“Do të doja të shihja përgjegjësi individuale për të shmangur fajësimin kolektiv, dhe për mua kjo duket si fajësim kolektiv vetëm pse Thaçi ishte udhëheqësi i UÇK-së. Por më ishte qartësuar se ai nuk ishte në krye. Ai nuk kishte njohuritë, kapacitetet apo autoritetin për të marrë vendime. Ata i thoshin atij çfarë të bënte, ai nuk u thoshte atyre çfarë të bënin”, deklaroi në dëshminë e tij, James Rubin.

Pas më shumë se dy vitesh seanca, tashmë gjyqi është në fazën ku mbrojtja kërkon të rrëzojë tezën themelore të prokurorisë: ekzistencën e një strukture të organizuar komanduese në UÇK.

“Pashë që nuk kishte batalione, brigada apo njësi. E di që disa kishin uniforma, disa jo. Ne nuk i konsideronim udhëheqës, si komandantë apo staf i përgjithshëm”, tha Rubin.

Dëshmitë e tre figurave të njohura ndërkombëtare, James Rubin, Paul Williams dhe John Stewart Duncan, u panë si sinjal i qartë i mbështetjes së SHBA-ve dhe Britanisë së Madhe për një proces të drejtë. Në të njëjtën kohë, ato dëshmi minuan një pjesë të tezës së Prokurorisë, duke e bërë të paqëndrueshme dhe shpesh qesharake idenë e një hierarkie vertikale komanduese nga lart-poshtë në UÇK.

Në Prishtinë, Hagë dhe Tiranë, shqiptarët janë ngritur në këmbë. Protestat e organizuara prej tyre, me pjesëmarrje nga të gjitha trevat shqiptare dhe diaspora, janë kthyer në një zë solidariteti dhe në thirrje për respektimin e historisë së një populli që ka luftuar për liri dhe heronjve të tij.

Asnjëra nuk qe protestë kundër drejtësisë, por kundër një padrejtësie historike. Për çdo shqiptar të ngritur në këmbë nën moton “Liria ka emër” apo “Drejtësi për Çlirimtarët”, kjo është një betejë për të vërtetën, jo vetëm të 4 ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por për të vërtetën e vuajtjes së një populli që në vitin 1999 u detyrua të braktiste vendin nën represionin serb dhe planet e Millosheviçit për spastrim etnik.

Gjykata Speciale e Kosovës, e njohur zyrtarisht si Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, u krijua në vitin 2015 me një ligj të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, pas një presioni të madh ndërkombëtar, veçanërisht nga Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Krijimi i saj lidhet drejtpërdrejt me raportin e Këshillit të Europës të vitit 2010, të përgatitur nga zvicerani kontrovers Dick Marty, i cili ngriti akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, që pretendohej se ishin kryer nga pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër pakicave etnike serbe, rome dhe kundërshtarëve politikë shqiptarë gjatë dhe pas luftës së viteve 1998-2000.

Raporti përmendte edhe pretendime për trafikim organesh, të cilat u hetuan nga një Task Force Speciale Hetimore e Bashkimit Europian, e cila nuk gjeti asnjë provë, por në vitin 2014 rekomandoi ngritjen e një gjykate të posaçme për të trajtuar këto raste.

Nga hetimet për trafikun e organeve, Gjykata Speciale përfundoi në ngritjen e akuzave të rënda ndaj 4 ish-krerëve të UÇK-së.

Veteranët e UÇK-së ishin të parët që reaguan. Bashkë me ta, edhe shumë qytetarë të Kosovës e panë këtë gjykatë si të njëanshme, pasi po gjykon vetëm shqiptarët që luftuan për lirinë e vendit të tyre dhe jo krimet serbe. Për ta, gjykimi i luftës për liri është një padrejtësi historike.

Në 10 vjet të funksionimit të saj, Gjykata Speciale ka shpenzuar kohë dhe shuma marramendëse në procesin kundër Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit.

2.4 miliardë euro, sipas gazetarit dhe analistit Baton Haxhiu, vetëm në procesin për 4 persona, një shifër kjo e thënë për herë të parë në emisionin “Opinion” në TV Klan.

Një faturë kolosale për një proces që shumëkush e sheh më tepër si gjykim historie sesa si drejtësi juridike.

Vendimi final i Gjykatës Speciale pritet në pranverën e ardhshme. Dhe ai nuk do të përcaktojë vetëm fatin e katër individëve të përfshirë në luftën për çlirimin e vendit të tyre, por edhe mënyrën si bota do ta lexojë luftën e Kosovës, një vend që e pagoi shtrenjtë lirinë në betejë dhe po e paguan po aq shtrenjtë edhe në paqe.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular