Të tjera detaje janë zbardhur nga ngjarja e rëndë që tronditi zonën e Manzës mëngjesin e sotëm, 22 tetor, ku dy të rinj, Flori Paluçi dhe Aranit Kurti mbeten të vrarë me armë zjarri.
Kamarieri i përfshirë në konfliktin mes dy viktimave dhe autorit të shpallur, në kërkim ka dhënë dëshminë e tij të parë për policinë, ku është shprehur se ishin 5 persona në lokal, ndërsa Daniel Pepa sipas tij ka kërkuar kafe ekspres, por që ky i ka thënë se “nuk shërbejmë në këtë orë”.
“Ishte ora rreth 1:45, në momentin e ngjarjes ishin 5 persona. D.P hyri i pari në lokal me shokun e tij dhe më kërkoi kafe, ekspresi ishte i fikur dhe u thashë që nuk shërbejmë kafe në këtë orë. Ai ma ktheu se ‘dua kafe patjetër’ dhe filloi të më fyente me fjalë të rënda. Nuk e vazhdova më bisedën por ndërhyri Flori Paluçi për të më mbrojtur mua, Flori është banor i zonës dhe klient i lokalit, pra e njoh. Aty filloi konflikti fizik mes tyre, dhe dolën përjashta lokalit për ta vazhduar konfliktin.”, ka deklaruar kamarieri.