Shoqata e Bankave ka sugjeruar që në gjithë ndërtimet e reja, kur jepet leja, duhet të kërkohet edhe një garanci financiare. Pra, një pjesë e kostos së investimit duhet të jetë e bllokuar në një llogari bankare, për shembull, 50% e shumës. Kjo do të shërbente jo vetëm për të kontrolluar burimet e parave për ndërtimin, por edhe do të mbronte blerësit, duke siguruar përfundimin e ndërtesës
Sektori bankar ka qenë historikisht një nga promotorët e uljes së përdorimit të parasë cash në ekonomi.
Spiro Brumbulli, sekretar i Shoqatës Shqiptare të Bankave, thotë për “Monitor” se industria bankare ka qenë vazhdimisht konsistente në kërkesat për uljen e përdorimit të cash, që prej vitit 2016.
“Ne kemi evidentuar që, përtej investimeve që duhet të bëjnë bankat për të shoqëruar klientin, pa qenë nevoja që ai të vijë fizikisht në bankë, duhet mundësuar edhe reduktimi i parasë fizike.
Ne këtë e kemi lidhur edhe me luftën ndaj informalitetit dhe çlirimin nga kostot e tepërta të parasë fizike”, thotë z. Brumbulli.
Sipas një studimi të Bankës Botërore, kostoja e parasë cash është afërsisht sa 2% e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Z. Brumbulli thotë se masa e parë e sugjeruar nga Shoqata e Bankave është vendosja e një tavani për pagesat cash të individëve. Një tavan i tillë nuk është vendosur ende.
“Sugjerimi ynë është që ky tavan mund të jetë në shumën e 60-70 mijë lekëve, por megjithatë vendet fqinje e kanë në nivelin e 500 eurove.
Edhe një tavan në vlerën e 50 mijë lekëve, sa paga e re minimale që do të vendoset vitin e ardhshëm, do të ishte i pranueshëm.
Më tej, nga momenti që vendosim një kufi për pagesat cash, duhet të sigurojmë një kanal alternativ për kryerjen e pagesave në vlera më të mëdha se kufiri i mësipërm.
Pra, çdo person që dëshiron të blejë një mall apo shërbim, duhet të ketë një alternativë përveç parasë fizike. Klienti duhet të ketë sigurinë që do të ketë një mundësi pagese, edhe pa pasur cash ose nëse vlera e mallit apo shërbimit do të jetë më e madhe se tavani ligjor.
Për këtë arsye, bashkë me Bankën e Shqipërisë, përgatitëm një strategji, që të arrijmë tek instant payments.
Ne mendonim që alternativa mund të ishin kartat, por ndoshta kjo nuk ishte një zgjedhje e pranueshme për të gjitha palët, për shkak të kostove dhe problematikat për mbulimin e nevojshëm me infrastrukturën përkatëse.
Me studimin që u bë, në bashkëpunim edhe me Bankën Botërore, në Komitetin Kombëtar të Pagesave, arritëm në përfundimin se kjo alternativë mund të jetë instant payments, që pritet të realizohet vitin tjetër.
Në momentin që ky kanal alternativ do të jetë aktiv, qeveria duhet ta bëjë të detyrueshme ligjërisht përgjegjësinë që çdo biznes të mundësojë ofrimin e pagesave elektronike, përveçse në para fizike.
Kjo do t’u japë qytetarëve lirinë dhe sigurinë për të përdorur pagesat elektronike dhe për të ulur sasinë e cash-it që mbajnë me vete”, thotë z. Brumbulli.
Një çështje tjetër, sipas tij, është që në të gjitha sportelet e shërbimeve publike ku kryhen pagesa duhet të vendoset së paku POS, pra, qytetari të mos jetë i detyruar të paguajë vetëm me para fizike.
“Mund ta kuptoj se ofrimi i pagesave online nëpërmjet e-albania mund të kërkojë kohë dhe investime, por së paku mund të sigurohet që për pagesat në sportele të ketë një alternativë për pagesa jo cash.
Çështja tjetër që ne kemi sugjeruar është që në gjithë ndërtimet e reja, kur jepet leja, duhet të kërkohet edhe një garanci financiare. Pra, një pjesë e kostos së investimit duhet të jetë e bllokuar në një llogari bankare, për shembull, 50% e shumës.
Kjo do të shërbente jo vetëm për të kontrolluar burimet e parave për ndërtimin, por edhe do të mbronte blerësit, duke siguruar përfundimin e ndërtesës.
Megjithatë, me sa kemi dëgjuar, qeveria ka gjetur një zgjidhje tjetër dhe do të ndalojë shitjen e objekteve para daljes së certifikatave të pronësisë”, thotë ai.
Një diskutim tjetër është nëse ka ardhur koha që bankat të aplikojnë komisione më të larta për veprimet me cash, në mënyrë që qytetarët të orientohen më shumë drejt kanaleve elektronike.
Sipas z. Brumbulli, vetëm në 30 muajt e fundit, bankat kanë investuar mbi 9 miliardë lekë (90 mln euro) në infrastrukturë teknologjike.
“Kur bankat investojnë kaq shumë, për t’i ofruar këtë komoditet klientit, pse duhet të pranojmë krijimin e flukseve dhe radhëve për veprimet në cash, duke krijuar kosto në kohë e para për bankën.
Pra, duhen gjetur forma që edhe publiku ta kuptojë që ka kosto, sepse shpesh nga reagimet publike konstatoj që një pjesë e madhe e njerëzve nuk e kupton këtë gjë.
Pra, cash-i nuk është një gjë që duhet marrë gjithmonë si e mirëqenë dhe e përjetshme. E kemi përdorur kur nuk kishim alternativa të tjera, por tani që i kemi këto alternativa është normale që të përpiqemi ta reduktojmë”, shprehet ai.
Lidhur me objektivin për të ndërtuar një ekonomi pa para fizike, z. Brumbulli thotë se sot ekzistojnë shembuj dhe modele të vendeve ku shumica e transaksioneve kryhen në rrugë alternative, jo cash.
“Nëse një ekonomi arrin të kryejë më shumë se 50% të transaksioneve pa cash, atëherë mund të përkufizohet si një ekonomi cashless. Pastaj, ka vende që arrijnë edhe në shumë se 90%, si ato skandinave, por kjo lidhet me shkallën e zhvillimit.
Të mos harrojmë se vendet më të zhvilluara sot po mendojnë për monedhat dixhitale.
Duke qenë se jemi në një proces integrimi dhe zhvillimi, shumë shpejt edhe Shqipëria mund ta konsiderojë një gjë të tillë. Pra, të gjitha tendencat janë drejt dixhitalizimit të pagesave dhe ne nuk mund të ecim në një rrugë tjetër.
Pra, ne na ngelet të implementojmë me sukses instant payments, në mënyrë që të jemi gati të kemi një alternativë gjithëpërfshirëse për paranë cash”, – shprehet ai. Monitor







