NGA FLORJAN KALAJA
Në këtë shkrim të pestë të rubrikës “Dilema mbi Kodin e ri Penal” do të përqendrohem në një qasje rishtare të draftit, konkretisht te risia që grupi i punës sjell për dënimin e tentativës së kryerjes së një vepre penale sikurse ajo të jetë kryer plotësisht.
Në nenin 30 të draftit, nën titullin “Përgjegjësia për tentativën”, parashikohet regjimi juridik i individualizimit të dënimit për veprën penale që mbetet në tentativë. Objekt analize në këtë shkrim do të jetë paragrafi i parë dhe i dytë i kësaj dispozite dhe të gjitha ato raste të pjesës së posaçme të draftit ku urdhërohet gjykata që për veprën penale të mbetur në tentativë të caktohet dënimi penal sikurse vepra penale të jetë perfeksionuar në të gjitha elementet e saj.
Kështu, dy paragrafët e nenit 30 të draftit parashikojnë se:
“1. Personi që tenton të kryejë një krim, përgjigjet për të sikur pasoja e veprës të ketë ardhur nëse tentativa është e plotë dhe autori i saj ka përdorur çdo mundësi për të realizuar krimin duke shfaqur rrezikshmëri të plotë të tij.
2. Gjykata, në varësi të shkallës së afërsisë së pasojës, shkaqeve për të cilat krimi mbeti në tentativë, kur vëren se nuk jemi përpara kushteve të përcaktuara në paragrafin e parë të këtij neni, zbut dënimin në interpretim të rregullave të caktuara në paragrafët më poshtë të këtij neni, përveç rasteve kur pjesa e posaçme e këtij Kodi parashikon ndryshe”.
Sikur të mos mjaftonte rregullimi i pikës 2 të nenit 30, grupi i punës, sikurse e ka bërë rutinë përsëdytjen ndryshe të rregullimeve normative nëpër 952 dispozitat e draftit, e përsërit këtë rregull nën një formulim tjetër në pikën 4 të nenit 135, duke parashikuar:
“4. Kur vepra penale ka mbetur në tentativë, dënimi penal caktohet në varësi të rëndësisë së veprës penale, afërsisë apo mundësisë së ardhjes së pasojës dhe zbatohen lehtësirat e përcaktuara në dispozitat e këtij Kodi mbi tentativën. Rregullat e përcaktuara në këtë Kod që lidhen me përgjegjësinë e bashkëpunëtorëve janë të zbatueshme edhe në rastin kur vepra ka mbetur në tentativë”.
Më tej në pjesën e posaçme konstatohen dy teknika të ndryshme rregullimi normativ për individualizimin e dënimit për veprat penale të mbetura në tentativë. Së pari konstatohet se ka 20 vepra penale për të cilat parashikohet se vepra penale e mbetur në tentativë dënohet njëlloj sikurse ajo të jetë kryer, konkretisht: (i) neni 704/6 “Trafikimi i të miturve”; (ii) neni 798 “Aktet seksuale me të mitur”; (iii) neni 799 “Aktet seksuale me të rritur”; (iv) neni 800 “Përdhunimi” dhe (v) 801 rrethanat cilësuese të përdhunimit; (vi) neni 802 “Tërheqja dhe ekspozimi i të miturve në akte seksuale”; (vii) neni 803 “Manipulimi i fëmijës”; (viii) neni 804 “Prostitucioni i fëmijës”; (ix) neni 805 “Prodhimi i materialeve pornografike me fëmijë ”; (x) neni 806 “Shpërndarja e materialeve pornografike tek fëmijët”; (xi) neni 807 “Shfaqja pornografike me fëmijë ”; (xii) neni 808 “Transmetimi pornografik në kohë të papërshtatshme”; (xiii) neni 809 “Prodhimi i kukullave të seksit me pamje fëmije”; (xiv) neni 810 “Pornografia virtuale me fëmijë”; (xv) neni 811 “Turizmi seksual”; (xvi) neni 812 “Ngacmimi seksual”; (xvii) neni 813 “Degradimi i integritetit seksual”; (xviii) neni 814 “Shpërndarja telematike e akteve seksuale”; (xix) neni 815 “Veprimet e turpshme” (të lidhura këto dispozita me parashikimin e nenit 816); (xx) neni 824/5 “Trafikimi i personave madhorë”. Së dyti konstatohet teknika legjislative unike e parashikimit si figurë të mëvetësishme të veprës penale një vepër të mbetur në tentativë, konkretisht parashikimi i pikës 3 të nenit 803 të draftit, konkretisht figura e veprës penale të manipulimit të fëmijës të mbetur në tentativë.
Në këtë mënyrë nisin të shpërfaqen problematikat ligjore dhe kushtetuese në rregullimet normative të draftit sa i takon individualizimit të dënimit për krimet e mbetura në tentativë. Fillimisht konstatohet mungesa e koherencës dhe rregullimi i përsëritur ndryshe në dy rregullimet e pjesës së posaçme të draftit. Më tej nisin problemet e ashpërsisë dhe represivitetit penal, konkretisht aty ku në nenin 816 të draftit parashikohet se veprat penale të parashikuara nga neni 704 – 815 (sikurse identifikohen më lart), dënohen njëlloj sikur të kenë mbetur në tentativë dhe sikur të jenë perfeksionuar në tërësinë e elementeve të tyre. Ndër të tjera konstatohet se referimi nuk bëhet tek kreu që parashikon veprat por tek seksioni dhe se nuk rezulton se ka seksion në këtë pjesë të draftit të Kodit të ri Penal, duke shkaktuar sakaq konfuzion. Por ky ngjan të jetë një problem luksi i draftit. Më tej konstatohet se tentativa e plotë për të kryer çdo krim që parashikon ky Kod dënohet njëlloj sikurse dënohet çdo krim i kryer, duke patur parasysh pikën 1 dhe 2 të nenit 30 të draftit. Kjo do të thotë se për 31 krime shumë të rënda, për të cilat drafti parashikon dënimin me burgim të përjetshëm, edhe nëse vepra penale mbetet në tentativë të plotë, sërish autori mund të dënohet me burgim të përjetshëm, që do të thotë sikur ajo të ishte kryer plotësisht. Sikur të mos mjaftonte kjo ashpërsi joproporcionale (neni 17 i Kushtetutës) dhe e jo e barabartë e trajtimit të qytetarëve para ligjit (neni 18 i Kushtetutës), konstatohet se neni 704/6, 816 dhe 824/5 e dënojnë tentativën për të kryer një krim, në 20 krimet e listuara më lart, njëlloj sikurse dënohet tentativa e plotë për të kryer një krim dhe njëlloj sikurse dënohet krimi i kryer plotësisht. Thënë ndryshe, rezulton se rregullimi i paragrafëve 3, 4, 5, dhe 6 të nenit 30 dhe pika 4 e nenit 135 të draftit të pjesës së përgjithshme, konkretisht parashikimet e përgjegjësisë së reduktuar penale për shkak se krimi ka mbetur në tentativë, janë pamundësuar për t’u zbatuar nga neni 704/6, 816 dhe 824/5 për gjithsej 20 krime të pjesës së posaçme. Nga ana tjetër konstatohet problemi i përplasjes së dispozitave të të njëjtit kre, konkretisht urdhërimi i nenit 816 të draftit për të dënuar njëlloj si krim të kryer edhe veprën penale të “Manipulimit të fëmijës” dhe nga ana tjetër pika 3 e nenit 803 të draftit, e cila krijon unikalisht një figurë vepre penale të mbetur në tentativë, duke mos e dënuar sa krimi i kryer, konkretisht nga 4 deri në 8 vjet (paragrafi i parë) apo nga 3 deri në 6 vjet (paragrafi i dytë), por duke parashikuar se dënohet nga 2 deri në 6 vjet. Në këtë mënyrë konstatohet se nga njëra anë neni 816 i draftit urdhëron gjykatat që, edhe vepra penale e mbetur në tentativë, të dënohet sikur krimi të jetë perfeksionuar dhe në të njëjtën kohë pika 3 e nenit 803 urdhëron gjykatën të mos e dënojë këtë krim sikurse të ishte kryer por sikur të ketë mbetur në tentativë. Më tej sillet në vëmendje se, për 11 rastet e dënimeve fikse që parashikon drafti (të evidentuara në shkrimin “Dilema mbi Kodin e ri Penal (2)”, pavarësisht nëse tentativa për kryerjen e krimit është e plotë apo është e metë, vetëm për faktin se sanksioni i dënimit me burgim apo me burgim të përjetshëm është kompozuar si dënim penal fiks, gjykatat urdhërohen që të japin dënim me burgim apo dënim me burgim të përjetshëm për këto 11 krime të mbetura në tentativë.
Sjell në vëmendje këtu se grupi i punës, përveçse ka gabuar konceptualisht në lejimin e mundësisë apo në urdhërimin e gjykatës për të caktuar dënimin me burgim të përjetshëm për krimet e mbetura në tentativë, ka qenë edhe kontradiktor me rregullimet kuadër që ka bërë për dënimin me burgim të përjetshëm. Kështu në pikën 1 të nenit 71 të draftit parashikohet se dënimi me burgim të përjetshëm jepet me vendim të gjykatës për kryerjen e një krimi të rëndë që ka shkaktuar pasoja veçanërisht të rënda. Nga ana tjetër sjell në vëmendje se tentativë ka për krimet në të cilat ndërmerren të gjitha veprimet kriminale nga autori me qëllim ardhjen e pasojës por se pasoja nuk vjen për shkaqe të pavarura nga vullneti i tij (shih përkufizimin e tentativës në pikën 1 të nenit 30 të draftit). Kjo do të thotë se atë që kërkon të arrijë dita e pikës 1 e nenit 71 e prish nata e pikës 1 e nenit 30 të draftit. Të gjitha këto gabime konceptuale dhe kontradiksione ulin besueshmërinë në draftin e prezantuar me dekorin e krerëve të institucioneve të larta të drejtësisë në fundkorrikun e vitit 2025 dhe tregojnë se ai draft, pavarësisht makiazheve të prezantimeve pompoze nëpër Shqipëri, mbart risqe të mëdha për shoqërinë dhe shtetin dhe se duhet të ripunohet para se të paraqitet publikisht për konsultim.
Për logjikë krahasuese vertikale dhe historike, sjell në vëmendje se neni 62 i KP i vitit 1928 parashikonte urdhërimin në çdo rast të gjykatës që, për vepra penale të mbetura në tentative, për të cilat parashikohet dënimi me vdekje apo dënimi me burgim të përjetshëm, jepet dënimi me burgim jo më pak se 15 vjet dhe se, në rastet kur dënimi parashikohet me burgim, për tentativën dënimi ulej në masën nga 1/6 deri tek 1/3 e tij. Kjo do të thotë në KP 1928 nuk ka pasur asnjë vepër penale që dënojë njëlloj tentativën sikurse për veprën e kryer. Në nenin 10 të KP 1952 dhe në nenin 11 të KP 1977, në të njëjtat formulime normative, parashikohej në mënyrë të përgjithshme se në caktimin e dënimit për tentativën gjykata duhet të marrë parasysh shkallën e përgatitjes së krimit, afërsinë e ardhjes së pasojave si dhe shkaqet për të cilat nuk u krye krimi dhe mund të ulë dënimin nënë minimumin e parashikuar nga ligji. Nuk ka pasur asnjë rregullim ligjor në pjesën e përgjithshme dhe të posaçme që të parashikonte urdhërimin e gjykatës që të dënonte njëlloj tentativën sikurse krimin e kryer. Në KP të vitit 1995, që është në fuqi, neni 23 parashikon se gjykata, në varësi të shkallës së afërsisë së pasojës, si dhe të shkaqeve për të cilat krimi mbeti në tentativë, zbut dënimin dhe mund ta ulë atë nën minimumin e parashikuar nga ligji ose të caktojë një lloj dënimi më të butë nga ai i parashikuar në ligj. Sikurse konstatohet fjala “mund” e KP 1952 dhe e KP 1977 në KP në fuqi është zëvendësuar me fjalën “zbut”, koncept ligjor i cili ka ndryshuar qasjen e dënimit të tentativës nga ajo e periudhës 1952 – 1995 në periudhën pasuese 1995 e deri më sot, duke u nënkuptuar nga ky rregullim ligjor i ri një humanizim i së drejtës penale shqiptare, pasi ligjvënësi vendos një urdhërim ligjor për gjykatën që në çdo rast dënimi penal për tentativën do të caktohet më i ulët se sa ai që gjykata cakton për veprën penale të kryer. Nga ky rregullim ligjor në fuqi nga viti 1995 arrihet të konkludohet në mënyrë implicite se dënimi me burgim të përjetshëm nuk mund të caktohet kurrë ndaj një vepre penale të mbetur në tentativë, pasi për ndryshe nuk do të kishte kuptim urdhërimi i zbutjes së dënimit që ligjvënësi ka artikuluar në nenin 23 të KP.
Por pavarësisht këtij kumti të nënkuptuar të humanizimit të së drejtës penale me KP në fuqi nga viti 1995, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë me Vendimin nr. 167/2024 ka konkluduar se praktika gjyqësore në Shqipëri dhe teoria, nuk e ka interpretuar asnjëherë si domosdoshmëri/detyrim zbutjen e masës së dënimit në rastet kur vepra ka mbetur në tentativë, për sa kohë nuk ka ndonjë parashikim ligjor që përcakton masë konkrete dënimi për veprën penale të mbetur në tentativë apo përjashtimin e saj nga një lloj i caktuar dënimi. Në këtë mënyrë, edhe pse ligji penal parashikon ndryshe, Gjykata e Lartë ka konkluduar se, edhe për veprat penale të mbetura në tentative, mund të caktohet nga gjykata dënimi me burgim të përjetshëm apo mund të jepet në çdo rast dënimi sikurse për krimin e kryer.
Më tej sjell në vëmendje se modelet ligjore të kodeve penale në Europë – të konsultuara për qëllimet e hartimit të këtij punimi – tregojnë se rregulli i përgjithshëm dhe i gjithëpranuar, për shkak të parimit të proporcionalitetit dhe barazisë para ligjit, është ulja e dënimit penal për veprat penale të mbetura në tentativë dhe dënimin e tyre më pak, sipas rastit, në raport me veprat penale të perfeksionuara në ekzistencën e të gjithë elementeve të tyre konstitutivë. Logjika normale njerëzore shpjegon thjeshtë se nuk mund të barazohet as teorikisht dhe as praktikisht kurrësesi rrezikshmëria shoqërore e pasojave të një vepre penale të paperfeksionuar në të gjitha elementet e saj konstitutivë në raport me të njëjtën vepër penale të perfeksionuar në ekzistencën e elementeve të saj. Për shembull neni 56 i KP Italian përcjell kumtin se tentativa në çdo rast dënohet më pak se krimi i kryer tërësisht, pasi, edhe në rast se vepra penale parashikon dënimin me burgim të përjetshëm caktohet dënimi me bugim jo më pak se 12 vjet. Neni 22 i KP Zvicerian parashikon se kushdo që kryen një krim të mbetur në tentativë dënohet me një dënim të zbutur, duke përjashtuar apriori mundësinë caktimit të dënimit me burgim të përjetshëm për tentativën. Neni 23/2 të KP Gjerman parashikon se për veprën penale në tentativë jepet një dënim më i butë se sa për veprën penale të kryer tërësisht, duke pamundësuar apriori caktimin e dënimit me burgim të përjetshëm për tentativën. Neni 45/2 i KP Holandez parashikon se, për veprën penale që mbetet në tentativë dhe dënohen me burgim, dënimi ulet me një të tretën dhe se, për veprën penale për të cilën parashikohet dënim me burgim të përjetshëm, dënimi mund të caktohet deri në 20 vjet burgim. Neni 21/2 i KP Danez parashikon se dënimi i parashikuar nga ligji për veprën penale të kryer ulet në rastin e veprës penale të mbetur në tentativë. Neni 52 i KP Belg në paragrafin e parë parashikon se krimi i mbetur në tentativë dënohet detyrimisht me një masë më të vogël se sa vetë krimi dhe se, më tej, në paragrafin e dytë parashikohet se tentativa e krimeve për të cilat ligji penal parashikon dënimin me burgim të përjetshëm dënohet me burgim nga 20 deri në 30 vjet. Interesat është fakti se edhe KP Belg i vitit 2024, që pret të hyjë në fuqi në vitin 2026 dhe që prezantohet si kodi penal më i ri në Europë deri më tani, në nenin 9 e urdhëron gjykatën që në çdo rast të caktojë dënim penal më të ulët për tentativën se sa për veprën penale të kryer tërësisht. Neni 23/2 i KP Portugez parashikohet se tentativa ndëshkohet me dënimin i cili zbatohet për krimin e konsumuar, duke u zbutur veçanërisht dënimi. Neni 33/2 të KP Rumun parashikon se tentativa dënohet me sanksionin e parashikuar nga ligji për veprën penale të kryer, masa e dënimit e të cilës gjithmonë përgjysmohet dhe se, për veprat penale për të cilat parashikohet dënimi me burgim të përjetshëm, tentativa dënohet nga 10 deri në 20 vjet burgim.
Me keqardhje konstatoj se në mesdekadën e tretë të shekullit XXI Shqipëria po përpiqet të bëjë ligjin penal më të ashpër që ka ekzistuar në rregullimin e përgjegjësisë penale për tentativën përgjatë gjithë historisë 113 vjeçare të shtetit shqiptar. Po me më shumë keqardhje konstatoj se kësaj iniciative i ka paraprirë edhe jurisprudenca e gabuar e Gjykatës së Lartë. Dispozita dhe vendime njësuese të tilla, si ato të sjella në vëmendje më lart, të cilat e barazojnë apriori dhe pa asnjë përjashtim rrezikshmërinë shoqërore të veprave të përkryera me veprat penale të mbetura në tentativë dhe që detyrojnë për rrjedhojë gjykatën të caktojnë të njëjtin dënim penal për të dy këto vepra, nuk mund të pajtohen dot me parimin e barazisë së shtetasve para ligjit penal në individualizimin e përgjegjësisë penale të tyre.
Kjo do të thotë se duhet të realizohen këto ndryshime në tekstin e hartuar dhe të publikuar: (i) të rishikohet pika 1 dhe 2 e nenit 30 e draftit, duke u urdhëruar gjykata që të ulë dënimin universalisht për krimet e mbetura në tentativë; (ii) të mos ketë përsëritje dhe përsëdytje kontradiktore ndërmjet nenit 30 dhe 135 të draftit; (iii) nuk duhet të ketë rregullime në pjesën e posaçme që të urdhërojnë gjykatën që të caktojë denim të njëjtë për veprat penale të mbetura në tentative sikurse për veprat penale të perfeksionuara; (iv) duhet të shmanget partikularizimi i parashikimit të figurave të veprës penale të mbetura në tentativë, sikurse është rasti i pikës 3 të nenit 803 të draftit, pasi tentativa nuk është figurë e posaçme e veprës penale por është institut i së drejtës penale, i cili vepron universalisht për çdo vepër penale që teorikisht mbetet në tentativë; (v) në draftin e Kodit të ri Penal nuk duhet të ketë dënime penale fikse me gjobë, me burgim apo dënim me burgim të përjetshëm. Në këtë mënyrë do të humanizohej e drejta penale pozitive e ardhshme e Shqipërisë, në vazhdën e asaj të nisur në vitin 1995, dhe njëkohësisht do të ndreqej gabimi i njësuar i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë i vitit 2024.
Autori, gjyqtar pranë Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar







