Raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit të sektorit bankar shënoi një rritje të ndjeshme gjatë tremujorit të tretë të këtij viti, pas një cikli prej tre tremujorësh radhazi në rënie.
Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, ky tregues u rrit në 20.3%, nga 19.25% që kishte qenë në tremujorin e mëparshëm. Raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit ka kaluar edhe nivelin prej 20.2% të një viti më parë, duke arritur një rekord të ri historik.
Treguesi i mjaftueshmërisë së kapitalit mat vlerën e kapitalit rregullator të sektorit bankar në raport me vlerën e aktiveve, të ponderuara me koeficientët përkatës të rrezikut. Gjatë tremujorit të tretë, rritja e këtij treguesi ka ardhur njëkohësisht nga shtimi i kapitalit rregullator të sektorit dhe nga ulja e vlerës së aktiveve të ponderuara me koeficientë rreziku.
Vlera e kapitalit rregullator të sektorit bankar në fund të shtatorit arriti në 223.2 miliardë lekë, në rritje me 5.1% krahasuar me një tremujor më parë dhe me 10% krahasuar me një vit më parë.
Kapitali rregullator i sektorit bankar shqiptar në pjesën dërrmuese është kapital i nivelit të parë, që përfshin instrumentet më cilësore të kapitalit, kryesisht kapitalin e paguar aksionar, primet e aksioneve, rezervat dhe fitimet e pashpërndara. Kontributin kryesor në rritjen e kapitalit rregullator e ka dhënë zgjerimi i fitimit të sektorit.
Nga ana tjetër, vlera e aktiveve të ponderuara me koeficientë rreziku në fund të tremujorit të tretë zbriti në 1099 miliardë lekë, në rënie me 0.3% krahasuar me tremujorin e dytë, por në rritje me 9.7% me bazë vjetore. Grupi kryesor i aktiveve me rrezik në bilancet e bankave janë kreditë për sektorin privat.
Rënia e vlerës së aktiveve të ponderuara me rrezik mund të lidhet kryesisht me një ngadalësim të rritjes së portofolit të kredisë gjatë tremujorit të tretë, veçanërisht të asaj pjese të tij që klasifikohet me koeficientët më të lartë të rrezikut (për shembull, kredia e ekspozuar ndaj rrezikut të kursit të këmbimit.
Raporti minimal bazë i mjaftueshmërisë së kapitalit për sektorin bankar është 12%, por pas vitit 2019 ka nisur aplikimi i shtesave të tjera të lidhura me kuadrin e ri makroprudencial, si edhe atë për rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme. Kjo i ka rritur ndjeshëm kërkesat për kapital, duke ndikuar edhe në një rritje graduale të niveleve mesatare të këtij treguesi për sektorin.
Duke shtuar edhe shtesën konservuese të kapitalit, prej 2.5%, raporti total i mjaftueshmërisë së kapitalit arrin në 14.5%. Ndërsa duke llogaritur edhe shtesat kundërciklike të miratuara deri tani nga Banka e Shqipërisë, deri në fund të vitit 2025 raporti minimal i mjaftueshmërisë së kapitalit për të gjitha bankat do të arrijë në 15.5%.
Ndërkohë, kërkesat e kapitalizimit janë edhe më të larta për një grup të veçantë bankash, të klasifikuara me rëndësi sistemike Banka Kombëtare Tregtare (BKT), Banka Credins, Banka Raiffeisen dhe Banka OTP Albania kanë shtesa të tjera në raportin e mjaftueshmërisë së kapitalit, në masën midis 0.5% dhe 1.5%.
Gjithashtu, bankat me rëndësi sistemike dhe banka Intesa Sanpaolo Shqipëri që nga 1 janari 2024 duhet të plotësojnë edhe shtesën e parë të kërkuar të raportit të mjaftueshmërisë së kapitalit që lidhet me kërkesën minimale për instrumente të kapitalit rregullator dhe detyrime të pranuara (MREL).
Rritja e kërkesave për kapital i bën bankat më të sigurta ndaj humbjeve të mundshme në të ardhmen. Por, nga ana tjetër, nivelet e larta dhe në rritje të mjaftueshmërisë së kapitalit në parim ndikojnë në uljen e rentabilitetit dhe në rritjen e kostove që i përcillen publikut.
Sektori bankar ka kërkuar me këmbëngulje prej vitesh që së paku kërkesat shtesë për kapital të aplikohen sipër një pragu minimal prej 8%, siç ndodh në Eurozonë. Por, sipas Bankës së Shqipërisë, një gjë e tillë mund të ndodhë vetëm pas certifikimit të ekuivalencës së mbikëqyrjes bankare në Shqipëri. / Monitor







