HomeAktualitet190 nxënës ekselentë nderohen me Medalje, ndahen nga Rama për gjimnazistët me...

190 nxënës ekselentë nderohen me Medalje, ndahen nga Rama për gjimnazistët me 10 absolute

Advertismentspot_img

Në një ceremoni të veçantë të organizuar në Kryeministri, 190 nxënës ekselentë nga i gjithë vendi, që kanë përfunduar me rezultate të shkëlqyera ciklin e arsimit të mesëm të lartë, u nderuan me medalje ari.

Medaljet u dorëzuan nga Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro.

Në fjalën e saj, Kumbaro zgjodhi një mesazh frymëzues, duke theksuar se kjo ditë nuk ishte për leksione, por për besim.

“Sot, ju jeni më shumë se asnjëherë më parë: jeni 190 nxënës ekselentë nga i gjithë vendi, që keni shkëlqyer me rezultatet tuaja të gjimnazit e të Maturës Shtetërore. Jeni këtu sepse nuk jeni dorëzuar! Dhe për këtë arsye, sot nuk kam ndërmend t’ju mësoj asgjë. As nuk do të guxoja! Sepse më të mirëve nuk mund t’u japim leksione, por vetëm besim.”

Ministrja e cilësoi medaljen e artë si një simbol të karakterit dhe një provë se suksesi nuk vjen nga rastësia, por nga zgjedhjet e përditshme.

“Medalja e Artë që merrni sot është dëshmia më e mirë se suksesi nuk të vjen nga rastësia, por nga zgjedhjet e përditshme. Ju më mirë se kushdo e dini këtë, por nëse ma lejoni, unë do t’ju kërkoja që këtë t’ua tregoni sa më shumë prej bashkëmoshatarëve tuaj apo vëllezërve e motrave më të vegjël.”

Në vend të një fjalimi klasik, Kumbaro ndau me nxënësit disa fragmente nga letra e autores amerikane Maya Angelou, duke përcjellë mesazhe të forta motivuese:

“Ti mund të mos i kontrollosh të gjitha ngjarjet që të ndodhin, por mund të vendosësh të mos zvogëlohesh prej tyre. Përpiqu të jesh një ylber në renë e dikujt. Mos u anko. Bëj çdo përpjekje për të ndryshuar gjërat që nuk të pëlqejnë. Nëse nuk mund t’i ndryshosh, ndrysho mënyrën se si mendon për ato gjëra. Mund të gjesh një zgjidhje të re.”

Duke iu drejtuar nxënësve, Kumbaro nënvizoi se suksesi i tyre i vërtetë do të matet me ndikimin që do të kenë tek të tjerët.

“Jeni 190 më të shkëlqyerit, por unë do të thoja se suksesi juaj i vërtetë do të matet me ndikimin që do të keni tek të tjerët, se si do ta përdorni gjeniun brenda jush për të ndërtuar, për të përmirësuar jetën e të tjerëve, për t’i bërë gjërat edhe më mirë.”

Në fund, ministrja u bëri thirrje nxënësve të mos harrojnë vështirësitë e kaluara, sepse ato do t’i bëjnë më të fortë për sfidat e ardhshme.

“Mos i harroni kurrë vështirësitë që keni kaluar sepse pikërisht ato do t’ju bëjnë të fortë kur të vijë sfida tjetër. Faleminderit nga zemra për modelin që keni ndërtuar!”

Kryeministri Edi Rama ka vlerësuar me “Medaljen e Artë” 190 gjimnazistët e vendit që kanë përfunduar gjimnazin me 10 absolute.

Në shpërndarjen e medaljeve, ka rënë në sy edhe Gentian Berisha, një gjimnazist i shkollës “Sami Frashëri” në Tiranë, i cili është klasifikuar si i vetmi maturant me mesatare 10.0, gjë për të cilën kryeministri Rama tha se “ky maturant nuk e njeh notën 9”.

Dua të thërras këtu një djalë tjetër që edhe ky është histori më vete nga shkolla “Sami Frashëri”, jo në fund po as gjatë.

Ky nuk është mirë. Ky është shumë mirë. Dua ta thërras Gentianin nga shkolla “Sami Frashëri”, tha Rama në shpërndarjen e “Medaljes së Artë”.

Në fjalën e tij, maturanti Gentian Berisha falënderoi familjarët dhe shkollën për kontributin e dhënë në rrugëtimin e dijes.

Unë quhem Gentian Berisha, sot me një privilegj dhe nder të veçantë kam kënaqësinë të ndodhem para jush për të përfaqësuar jo vetëm një maturant të rezultateve ekselente por që duke u finalizuar si maturanti i vetëm në rang republike për këtë vit shkollor me një mesatare prej 10.0, një shifër sa i afrohet idealizimit platonik aq sa edhe utopisë së Campanellos, por që në fund të ditës është një simbol i një pune të palodhur dhe një përkushtimi 12 vjeçar tashmë që finalizohet me këtë sukses që është mënyra më e bukur për ta ndarë me të gjithë ju.

Është kënaqësi e veçantë që të shohim se si mundi i secilit prej nesh në këtë ditë të shënuar, finalizohet në një formë të tillë dhe i të gjithë atyre studentëve dhe nxënësve që janë të përkushtuar në rrugën e dijes janë suportuar nga familjet dhe shkolla, që kanë kontributin e tyre në këtë rrugëtim arsimor të tyrin”, tha maturanti Gentian Berisha.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular