Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) ka prezantuar sot planin e posaçëm të masave për garantimin e furnizimit të pandërprerë me energji elektrike gjatë festave të fundvitit.
Administratori i OSHEE-së, Enea Karakaçi, deklaroi se kompania ka marrë të gjitha masat për të siguruar stabilitetin e rrjetit dhe për të përballuar rritjen e konsumit në këtë periudhë.
Karakaçi theksoi se OSHEE e mbyll vitin 2025 me rezultate të mira financiare dhe teknike. Humbjet në rrjet janë ulur me rreth 1%, duke arritur nivelin e 16.9%, ndërsa arkëtimet kanë qenë në masën 100%. Sipas tij, kompania pritet të mbyllë vitin me rreth 70 milionë euro fitim, një rezultat i konsideruar shumë i mirë.
Kjo performancë do të mundësojë edhe indeksimin e pagave për punonjësit me 6.1%, si dhe rritje page për elektricistët.
Në kuadër të planit të masave për festat, Karakaçi nënvizoi se konsumi i energjisë ka shënuar rritje të ndjeshme, ku më 29 dhjetor u regjistruan 29.2 milionë kilovat-orë.
Megjithatë, nuk janë evidentuar problematika të theksuara në rrjet apo në furnizim. Rreth **1600 punonjës** janë angazhuar në terren, ndërsa linjat e komunikimit mbeten të hapura për raportimin e çdo problematike nga qytetarët.
Nga ana tjetër, kreu i OSSH, Bledian Dalipi, vuri në dukje investimet e kryera në sektorin e energjisë, të cilat kanë forcuar rrjetin e shpërndarjes.
Ai theksoi se OSSH funksionon përmes 4 njësive kryesore dhe 11 rajoneve për tensionin e mesëm dhe të ulët. Vetëm gjatë vitit 2025 janë kryer ndërhyrje në 12 nënstacione dhe në linjat e tensionit të mesëm, duke siguruar një rrjet më të qëndrueshëm dhe më të sigurt.
Dalipi shtoi se konsumi ka shënuar rritje mbi 7% në dy vitet e fundit, duke e vendosur rrjetin në ngarkesë të lartë, por investimet e kryera kanë bërë të mundur që në shumë zona të mos ketë më ndërprerje.
Ai nënvizoi se ekipet e terrenit dhe qendrat dispecer po ndjekin në kohë reale ngarkesat në rrjet, duke garantuar furnizim të pandërprerë jo vetëm për festat e fundvitit, por edhe gjatë gjithë sezonit të dimrit.
Në përfundim, drejtuesit e OSHEE dhe OSSH siguruan se falë masave të marra dhe investimeve të kryera, qytetarët do të kenë furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike në periudhën festive dhe më tej.







