nga Prof.Dr. Pal Nikolli
Para vitit 1990, mësuesi në Shqipëri ishte më shumë se një profesionist i arsimit: ishte misionar i dijes, model moral dhe intelektual i komunitetit. Në kushte jashtëzakonisht të vështira materiale, pa pajisje moderne, pa teknologji ndihmëse dhe shpesh pa libra të mjaftueshëm, mësuesit dhe punonjësit e arsimit arritën të formojnë mijëra nxënës e studentë, duke mbjellë tek ata jo vetëm njohuri, por edhe vlera njerëzore, disiplinë dhe respekt për dijen. Këmbëngulja, përkushtimi dhe niveli i lartë profesional ishin kapitali i vetëm mbi të cilin mbështetej sistemi arsimor i asaj kohe.
Mësimi zhvillohej kudo: në qytete dhe fshatra të largëta, në kushte atmosferike të vështira, në shi e në borë. Arsimi shihej si prioritet kombëtar, ndërsa mësuesi gëzonte respekt të veçantë si nga shoqëria, ashtu edhe nga shteti. Ai ishte një nga figurat më të vlerësuara të jetës publike, sepse përfaqësonte dijen, formimin dhe të ardhmen.
Pas vitit 1990, me gjithë ndryshimet politike dhe hapjen ndaj botës, arsimi nuk arriti të ruajë këtë standard moral dhe profesional. Përkundrazi, në shumë raste u vu re rënie e nivelit të njohurive dhe e cilësisë së mësimdhënies. Profesioni i mësuesit, nga një mision shoqëror, u shndërrua shpesh në një mjet mbijetese apo fitimi, duke humbur dimensionin e tij etik dhe edukues. Pajisjet moderne, të cilat duhej të ishin një avantazh i madh, ose u keqpërdorën, ose mbetën të papërdorura, ose rezultuan jofunksionale. Teknologjia nuk arriti të zëvendësojë atë që mungonte gjithnjë e më shumë: përgatitjen serioze, autoritetin profesional dhe pasionin për mësimdhënie.
Paradoksi është i dukshëm: ndërsa sot kemi më shumë mjete, më shumë teknologji dhe më shumë infrastrukturë, në disa raste mësimi nuk zhvillohet as në kryeqytet. Ndërkohë, dikur arsimi arrinte edhe në skajet më të largëta të vendit. Ky regres nuk është thjesht teknik, por thellësisht moral dhe institucional.
Respekti për mësuesin ka rënë ndjeshëm. Sot ai shpesh nuk respektohet as nga nxënësit, as nga prindërit, as nga vetë mekanizmat shtetërorë. Politizimi i sistemit arsimor, emërimet partiake dhe mungesa e meritokracisë kanë dëmtuar rëndë themelet e arsimit, duke e kthyer atë në një fushë eksperimentesh të vazhdueshme, pa vizion afatgjatë.
Një shoqëri që nënvlerëson mësuesin, në fakt nënvlerëson të ardhmen e saj. Krahasuar me sistemin arsimor para vitit 1990 dhe me modelet bashkëkohore të Europës së qytetëruar, sistemi ynë sot paraqet kontraste të forta, “si nata me ditën”. Rindërtimi i arsimit kërkon depolitizim, rikthim të autoritetit të mësuesit, investim serioz në formimin profesional dhe, mbi të gjitha, rikthimin e respektit për dijen si vlerë themelore kombëtare.
Pa këtë kthesë, çdo reformë do të mbetet sipërfaqësore, dhe humbja më e madhe nuk do të jetë e sotmja, por e ardhmja e kombit.







