Ka ndërruar jetë sot, 31 janar, në moshën 82-vjeçare aktori i mirënjohur, Fitim Makashi, babai i këngëtarit Redon Makashi. Ai u shua si pasojë e një sëmundjeje të rëndë.

Shuarja e tij përbën një humbje të madhe për kinematografinë shqiptare, pasi ishte një figurë e rëndësishme e teatrit dhe kinemasë, dhe ka lënë pas një trashëgimi të vyer artistike.
Jeta dhe vepra e Fitim Makashit
Fitim Makashi lindi më 10 prill 1944 në Gjirokastër. Në vitin 1963 nisi studimet në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë për aktor dhe mbaroi në 1967. Për një kohë të gjatë punoi si pedagog në ILA dhe në të njëjtën kohë pati një angazhim të herëpashershme në Teatrin Popullor (sot TK). Zyrtarisht ishte viti 1978 kur u emërua aktor në këtë Teatër, vendi ku vazhdoi karrierën artistike si aktor për rreth 12 vjet, saktësisht deri nga mesi i viteve 90-të.
Gjatë kësaj kohe realizoi një sërë rolesh që lanë gjurmë në skenën e teatrit, nga ku ku kujtojmë rolin e Pedagogut në “Pas provimit të dytë” , Drejtori i fermës në “Ata që duhen”, roli i Benit tek “Vdekja e një komisioneri”, Bedriu tek “Dritat e skenës”, Telhai tek “Besa”, Filipoviç tek shfaqja “Inspektori” që mbahet edhe si roli i fundit i tij në Teatër.

Fillimet në film i kishte që në vitin 1967 me një rol episodik të një marinari në filmin “Dueli i heshtur”, duke vazhduar me filmat e tjerë si “Prita” (1968) “Njësiti gueril” (1969) “Ndërgjegja” (1972) “Rugicat që kërkonin diell” (1975) “Në fillim të verës” (1975) “Ilegalët” (1976) “Nga mesi i errësirës” (1978) “Intendenti” (1980) “Gjurmë në kaltërsi” (1981) “Tre njerëz me guna” (1985) “Shpella e piratëve” (1991) “Vdekja e kalit” (1992).
Filmografia e Fitim Makashit:
-Vdekja e kalit (1992)
-Shpella e pirateve (1990)
-Tre njerëz me guna (1985)
-Gjurmë në kaltërsi (1981)
-Intendenti (1980)
-Nga mesi i errësirës (1978)
-Ilegalët (1976)
-Në fillim të verës (1975)
-Rrugicat që kërkonin diell (1975)
-Ndërgjegja (1972)
-Prita (1968)
-Duel i Heshtur (1967)








