nga Pal Nikolli
Në diskursin bashkëkohor akademik, fjala “ndërdisiplinaritet” është shndërruar në një term tërheqës, pothuajse magjik. Ajo përmendet në projekte kërkimore, në aplikime për fonde, në reforma universitare dhe në debate publike. Megjithatë, në shumë raste, kjo fjalë përdoret për të justifikuar një fenomen shqetësues: kalimin e lirshëm nga një disiplinë në tjetrën pa përgatitje sistematike, pa themel teorik dhe pa metodologji të konsoliduar.
Shkenca nuk është territor ku mund të “kalosh” lirshëm, si në një hapësirë pa kufij. Çdo disiplinë ka historinë e saj epistemologjike, konceptet themelore, metodologjinë specifike dhe standardet e verifikimit. Fizika nuk është thjesht matematikë e aplikuar; historia nuk është vetëm rrëfim kronologjik; gjeografia nuk është përshkrim i sipërfaqes së tokës; juridiku nuk është opinion personal mbi drejtësinë. Secila fushë ndërtohet mbi dekada e shekuj kërkimesh, debatesh teorike dhe filtrash kritikë që përcaktojnë se çfarë konsiderohet njohuri shkencore.
Ndërlidhja ndërdisiplinore është padyshim pasuri. Përparimet më të mëdha të shekullit XXI – të, nga inteligjenca artificiale te shkencat e mjedisit, nga bioinformatika te gjeomatika, janë produkt i bashkëveprimit të disiplinave. Por ky bashkëveprim nuk është improvizim. Ai kërkon themel të fortë në secilën prej fushave që ndërthuren. Një studiues i shkencave sociale që përdor metoda statistikore duhet të ketë njohuri reale mbi analizën kuantitative; një inxhinier që merret me politika publike duhet të kuptojë konceptet e administrimit dhe të drejtës; një gjeograf që aplikon modele matematikore duhet të zotërojë bazat teorike të tyre, jo thjesht softuerin.
Rreziku i kalimeve të pakontrolluara është prodhimi i njohurive sipërfaqësore. Në mungesë të përgatitjes sistematike, ndërdisiplinariteti shndërrohet në një amalgamë termash, ku konceptet përdoren jashtë kontekstit dhe metodologjitë deformohen. Kjo krijon iluzionin e inovacionit, por në fakt prodhon konfuzion epistemologjik. Një studim që përdor terminologji teknike pa e kuptuar thelbin e saj nuk është shkencë, është retorikë e zbukuruar me fjalor special.
Universiteti si institucion ka detyrimin të ruajë standardin akademik. Hapja ndaj disiplinave të tjera duhet të jetë e strukturuar përmes formimit të dytë, studimeve pasuniversitare, bashkëpunimeve të mirëfillta dhe projekteve të përbashkëta kërkimore. Nuk mjafton interesimi personal për një fushë të re; kërkohet proces formimi, lexim sistematik, trajnim metodologjik dhe verifikim nga komuniteti shkencor.
Në realitetin tonë akademik, shpesh vërehet tendenca për ta konsideruar çdo përvojë profesionale si kompetencë shkencore universale. Por ekspertiza është e kufizuar nga fusha ku është ndërtuar. Kalimi në një disiplinë tjetër kërkon kohë, përulësi dhe gatishmëri për të nisur nga themelet. Ndryshe, rrezikohet jo vetëm cilësia e kërkimit, por edhe besueshmëria e institucionit akademik.
Ndërdisiplinariteti i vërtetë nuk është kapërcim spontan kufijsh, por urë e ndërtuar me themele të forta në të dy brigjet. Ai kërkon dialog mes specialistësh, jo zëvendësim të specialistëve. Kërkon bashkëpunim, jo improvizim.
Shkenca është territor i lirë në kërkim, por i rreptë në standard. Liria për të eksploruar nuk nënkupton liri për të anashkaluar përgatitjen. Vetëm kur ndërdisiplinariteti mbështetet mbi themel akademik të qëndrueshëm, ai bëhet burim inovacioni të mirëfilltë dhe jo burim konfuzioni.







