Ngjarjet e përsëritura të dëmtimit dhe shembjes së veprave infrastrukturore, si rrugë, ura dhe projekte publike, kanë ngritur shqetësime serioze mbi cilësinë e ndërtimit, përdorimin e fondeve publike dhe ndikimin e tyre në borxhin publik. Rasti i rrugës Librazhd–Pogradec, i bllokuar për shkak të rrëshqitjeve të vazhdueshme të dherave në zonën e Arrat e Gurres, si dhe problematikat e përsëritura në Qafën e Plloçës, e kanë rikthyer në vëmendje domosdoshmërinë për mekanizma më të fortë kontrolli dhe garantimi financiar të veprave publike.
Një qytetari aktive dhe e ndërgjegjshme kërkon transparencë, llogaridhënie dhe eficiencë në përdorimin e fondeve publike. Në këtë kontekst, roli i sigurimeve në projektet infrastrukturore përbën një instrument thelbësor për garantimin e interesit publik, mbrojtjen e buxhetit të shtetit dhe rritjen e standardeve profesionale në sektorin e ndërtimit.
Roli i sigurimeve në ndërtimin e veprave publike
Sipas standardeve ndërkombëtare të ndërtimit, veprat infrastrukturore projektohen për një jetëgjatësi që varion nga 50 deri në 80 vjet. Për rrjedhojë, shfaqja e dëmtimeve serioze brenda një periudhe më të shkurtër se 10 vjet tregon qartë probleme që lidhen me projektimin, zbatimin ose mbikëqyrjen teknike të punimeve.
Për të adresuar këtë risk, në vitin 2019 u miratua Vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 693, i cili parashikon sigurimin e detyrueshëm të përgjegjësisë së ndërtuesit për një periudhë 10-vjeçare, për defekte të fshehura, si kusht për pajisjen me certifikatë përdorimi.
Megjithatë, zbatimi praktik i këtij detyrimi ka qenë i kufizuar, duke u fokusuar kryesisht në objektet e banimit, ndërkohë që parimi i sigurimit duhet të shtrihet mbi të gjitha veprat publike dhe private me ndikim shoqëror, përfshirë shkolla, kopshte, spitale, ura, rrugë, vepra hidroteknike dhe sisteme ujësjellës-kanalizimesh.
Mungesa e zbatimit të plotë të këtij mekanizmi ka sjellë si pasojë që kostot e riparimeve dhe rikonstruksioneve të përballohen nga buxheti i shtetit, duke transferuar barrën financiare te taksapaguesit, në vend që përgjegjësia të mbulohej përmes instrumenteve të sigurimit.
Zbatimi konsekuent i këtij detyrimi do të garantonte mbulim financiar të plotë për defektet ndërtimore, do të rritej llogaridhënia e aktorëve të përfshirë në ndërtim dhe do të përmirësohej ndjeshëm cilësia e investimeve publike.
Sigurimet që minimizojnë rrezikun financiar
Në praktikën ndërkombëtare, menaxhimi i riskut në ndërtim bazohet në kombinimin e disa instrumenteve të sigurimit, të cilat sigurojnë mbrojtje financiare gjatë gjithë ciklit jetësor të një vepre infrastrukturore.
Në rastet e dëmtimeve të parakohshme të rrugëve dhe urave, tre sigurime bazë do të kishin minimizuar ndjeshëm ndikimin financiar mbi buxhetin publik:
1. Sigurimi i përgjegjësisë 10-vjeçare të ndërtuesit
I parashikuar në VKM nr. 693, ky sigurim mbulon defektet e fshehura që shfaqen pas përfundimit të punimeve dhe përpara marrjes së certifikatës së përdorimit, duke garantuar riparimin e tyre pa kosto për buxhetin e shtetit.
2. Sigurimi i përgjegjësisë profesionale të arkitektëve dhe inxhinierëve
Ky sigurim mbulon dëmet e shkaktuara si pasojë e gabimeve në projektim, llogaritje teknike ose neglizhencës profesionale, duke garantuar standarde më të larta sigurie dhe korrektese teknike.
3. Sigurimi i përgjegjësisë profesionale të supervizorit
Supervizimi teknik është hallka kyçe për garantimin e cilësisë së ndërtimit. Për këtë arsye, mbulimi i sigurimit duhet të jetë në përpjesëtim me vlerën reale të veprës, në nivele që sigurojnë mbulim efektiv të riskut dhe jo thjesht formal.
Sigurimi si instrument i llogaridhënies publike
Zbatimi i këtyre tre instrumenteve të sigurimit do të sillte një përfitim të dyfishtë:
– Mbrojtje financiare të fondeve publike
– Rritje të standardeve profesionale dhe disiplinës teknike në sektorin e ndërtimit
Në të njëjtën kohë, sigurimi krijon një mekanizëm real llogaridhënieje, duke detyruar të gjithë aktorët – projektues, ndërtues dhe supervizorë – të zbatojnë standardet më të larta profesionale, pasi çdo devijim përkthehet drejtpërdrejt në kosto financiare dhe përgjegjësi ligjore.
Në këtë kuadër, qytetarët, media dhe shoqëria civile kanë të drejtën legjitime të ngrenë pyetje themelore:
A janë blerë këto polica sigurimi për veprat publike? Nëse jo, përse? Dhe kush mban përgjegjësi për mungesën e tyre?
Përgjigjet ndaj këtyre pyetjeve janë thelbësore për ndërtimin e një modeli të qëndrueshëm investimesh publike, të bazuar në transparencë, eficiencë dhe mbrojtje të interesit publik.
Sigurimi nuk është thjesht një formalitet kontraktor
Ai përfaqëson një mekanizëm thelbësor mbrojtjeje për qytetarët, financat publike dhe qëndrueshmërinë e investimeve infrastrukturore.
Forcimi i kulturës së sigurimit, rritja e ndërgjegjësimit institucional dhe zbatimi rigoroz i kuadrit ligjor ekzistues janë elementë kyç për ndërtimin e një modeli modern të zhvillimit, të bazuar në përgjegjësi, transparencë dhe standarde të larta profesionale.
Në këtë kuadër, Shoqata e Siguruesve e Shqipërisë mbështet fuqimisht forcimin e rolit të sigurimit si instrument i mirëqeverisjes, duke e konsideruar atë një shtyllë të rëndësishme për mbrojtjen e interesit publik dhe garantimin e cilësisë në investimet infrastrukturore.







