Shitja e parë e hapur e biletave për Kampionatin Botëror të Futbollit 2026, ka nxjerrë në pah çmime rekord për tifozët, duke shkaktuar reagime të forta dhe kritika ndaj FIFA-s.
Sipas të dhënave të publikuara, një biletë për finalen e turneut mund të arrijë deri në 10 mijë e 990 dollarë, çmimi më i lartë i regjistruar ndonjëherë për një ndeshje futbolli.
Siç shkruan BBC, ky nivel çmimesh është shumë më i lartë nga sa ishte premtuar fillimisht në ofertën për organizimin e turneut nga Shtetet e Bashkuara, Kanadaja dhe Meksika, ku çmimi maksimal për finalen ishte parashikuar të ishte 1 mijë e 550 dollarë. Edhe në dhjetor, kur nisën shitjet për tifozët e regjistruar, çmimi më i lartë ishte 8 mijë e 680 dollarë, çka tregon një rritje të vazhdueshme.
Çmimet u rritën sërish kur nisi faza përfundimtare e shitjes të mërkurën.
Ndërkohë, sjellim ndërmend se biletat për finalen e Kupës së Botës në vitin 2022 kushtonin rreth 1 mijë e 604 dollarë për vendet më të shtrenjta.
Përcaktimi i kostos reale të biletave për këtë turne është i vështirë, pasi FIFA nuk e ka publikuar strukturën e çmimeve. Ajo po përdor gjithashtu një formë të çmimeve dinamike, ku çmimet ndryshojnë në fillim të çdo faze shitjeje në varësi të kërkesës. Kjo ka bërë që çmimet për finalen të rriten deri në 38% krahasuar me fazat e mëparshme të shitjes.
Në fund të vitit të kaluar, çmimet fillestare u cilësuan si një “tradhti monumentale”. Në dhjetor, FIFA njoftoi një numër të vogël biletash me çmim 60 dollarë.
Por të mërkurën, biletat dolën për herë të parë në shitje të hapur, duke dhënë një tjetër pasqyrë të çmimeve.
Çmimet për finalen
Është e pamundur të vlerësohet plotësisht struktura e çmimeve, pasi nuk ka informacion për kategoritë dhe numrin e biletave në dispozicion.
Nga ajo që është vërejtur, çmimet për finalen janë rritur deri në 38% krahasuar me dhjetorin.
Përveç biletës së kategorisë së parë prej 10 mijë e 990 dollarësh:
• Kategoria e dytë u rrit me 32.78% nga 5 mijë e 575 në 7 mijë e 380 dollarë.
• Kategoria e tretë u rrit me 38.23% nga 4 mijë e 185 në 5 mijë e 785 dollarë.

FIFA nuk ka dhënë asnjë njoftim paraprak për ndeshjet që do të ishin në shitje dhe çmimet e tyre në fazën e fundit. Ata që arritën të hynin panë se çmimet ishin rritur për ndeshjet më të kërkuara, përfshirë ekipet kryesore dhe fazat eliminatore.
Shumë tifozë raportuan probleme gjatë procesit të blerjes: radhë virtuale që i ridërgonin gabimisht në seksione të tjera, vonesa deri në gjashtë orë për të hyrë në faqen e biletave dhe mungesë transparence mbi ndeshjet e disponueshme.
Çmimet për ndeshjet e fazës së grupeve varionin nga 140 deri në afro 3 mijë dollarë, ndërsa paketat VIP arrinin shifra shumë më të larta. Një ofertë për një suitë luksoze në ndeshjen Angli–Panama kapte vlerën 124 mijë e 800 dollarë për 24 persona.
Kritikat ndaj FIFA-s janë përqendruar jo vetëm te çmimet e larta, por edhe te mungesa e transparencës dhe organizimi i dobët i procesit. Përfaqësues të tifozëve kanë deklaruar se informacioni për shitjen e biletave është i kufizuar dhe i paqartë, duke e bërë të vështirë planifikimin për ndjekësit e futbollit.
Ekspertët paralajmërojnë se kostoja totale për të ndjekur disa ndeshje të Kupës së Botës mund të arrijë në mijëra euro, madje mbi 10 mijë për një përvojë të plotë. Për shumë tifozë, kjo do të thotë se pjesëmarrja në turneun më të madh të futbollit mbetet jashtë mundësive financiare.
Ndërkohë, pritet që çmimet të rriten edhe më tej në platformën zyrtare të rishitjes së biletave, ku përdoruesit mund t’i shesin ato me çmime të lira ose shumë më të larta, duke shtuar edhe më shumë debatet mbi aksesin dhe drejtësinë për tifozët.







