HomeKryesore“Libri është magji”: Ahmet Prençi në një rrëfim për jetën, drejtësinëm letërsinë...

“Libri është magji”: Ahmet Prençi në një rrëfim për jetën, drejtësinëm letërsinë dhe romanin “Ministri”!

Advertismentspot_img

Nga Anita Aliaj
Ka rrëfime që nuk lindin thjesht nga imagjinata, por nga jeta e jetuar, nga përplasjet me realitetin dhe nga heshtjet që mbartin më shumë se fjalët. Në këtë udhëtim mes së vërtetës dhe letërsisë, Ahmet Prençi vjen me romanin “Ministri”, përmbylljen e një trilogjie që nuk kërkon vetëm të lexohet, por të ndihet. Pas “Anja” dhe “Brenga e Prokurorit”, kjo vepër e tretë shënon kulmin e një rrëfimi, ku pesha e pushtetit, dilemat morale dhe hija e realitetit ndërthuren në një narrativë të fortë dhe tronditëse. Pas më shumë se dy dekadash të suksesshme në institucionet ligjzbatuese, duket se kostumi i shkrimtarit i rri po ashtu më së miri, dhe talenti i tij është vlerësuar me çmime të shumta, brenda dhe jashtë vendit. Në këtë bisedë për “Mediaprint”, autori nuk ndan vetëm detaje mbi librin e tij më të ri, por hap një dritare drejt botës së tij të brendshme, aty ku përvoja e gjatë në institucionet ligjzbatuese takohet me ndjeshmërinë e shkrimtarit. Mendimet e tij mbi drejtësinë, shoqërinë, kujtesën dhe rininë vijnë të sinqerta, të vyera dhe thellësisht reflektuese. Kjo nuk është thjesht një intervistë; është një bisedë që të fton të ndalesh, të mendosh dhe, mbi të gjitha, të ndjesh.  

Pas romaneve “Anja” dhe “Brenga e prokurorit”, vini me librin e tretë dhe të fundit të kësaj trilogjie, “Ministri”. Na tregoni pak më shumë rreth tij. 

Romani “Ministri” është hallka përmbyllëse e një rruge narrative që nis me “Anja” dhe merr formë më të plotë me romanin “Brenga e Prokurorit”. Në fakt, kemi të bëjmë me një histori që lind si një farë e vogël në romanin e parë, rritet dhe ndërlikohet në të dytin, për të arritur kulmin dhe zgjidhjen e saj në këtë roman të tretë, pra te “Ministri”. Fabula mbetet një ndërtim letrar, një trill artistik, por ajo ushqehet vazhdimisht nga realiteti. Personazhet, situatat, përplasjet e brendshme dhe tensionet psikologjike janë të ndërtuara mbi përjetime, vëzhgime dhe fragmente të jetës që i përkasin kohës sonë. Pikërisht kjo ndërthurje mes imagjinatës dhe reales i jep romanit një ndjesi autenticiteti dhe afërsie me lexuesin. “Ministri” nuk është vetëm një vazhdim i historisë, por një thellim i saj. Është një përballje më e ashpër mes individit dhe pushtetit, mes ligjit dhe moralit, mes asaj që është e drejtë dhe asaj që imponohet si e tillë. Personazhet në këtë roman përballen me zgjedhje të vështira, ku çdo vendim ka kosto, shpeshherë të pakthyeshme. Atmosfera e romanit mbetet e errët, ndoshta edhe më e rënduar se në dy librat e mëparshëm. Por kjo nuk është një zgjedhje estetike e rastësishme. Është reflektim i një realiteti që ne e njohim, që e jetojmë, dhe që shpesh e shmangim ta shohim drejt në sy. Në këtë kuptim, narrativa ime përpiqet të mos largohet nga e vërteta, por ta përkthejë atë në gjuhën e letërsisë. Në fund, “Ministri” është një përmbyllje, por jo një qetësim. Shpresoj që ky roman të jetë një pasqyrë që mbetet përballë lexuesit edhe pasi libri të mbyllet. 

A fshihet pas personazhit të ministrit një figurë reale apo është një ndërthurje personazhesh nga realiteti politik? 

Personazhi i ministrit nuk është një figurë reale dhe nuk përfaqëson drejtpërdrejt një individ konkret. Ai është një krijim letrar, një produkt i imagjinatës, siç e kam theksuar që në fillim të romanit. Por, si çdo personazh i ndërtuar me ndërgjegje artistike, ai ushqehet shumë nga realiteti. 

Në të vërtetë, ministri është më shumë një përmbledhje tiparesh, një ndërthurje e sjelljeve, mekanizmave dhe mënyrave të ushtrimit të pushtetit që lexuesi i ka parë, i ka dëgjuar apo edhe i ka përjetuar në forma të ndryshme. Prandaj, edhe pse nuk është “dikush” konkret, ai mund të duket i njohur. Qëllimi im nuk ka qenë të portretizoj një individ, por të reflektoj mbi një fenomen. Një mënyrë të menduari dhe vepruari që, nëse nuk vihet në diskutim, rrezikon të bëhet normë. Në këtë kuptim, romani synon të shkojë përtej emrave dhe të prekë thelbin e marrëdhënies mes pushtetit dhe përgjegjësisë. Jam i bindur se lexuesi do të gjejë brenda ngjarjeve të romanit elementë të realitetit tonë, ndoshta jo në të njëjtën përmasë, por mjaftueshëm për të nxitur reflektim. Dhe kjo është ajo që më intereson më shumë: që romani të ngrejë pikëpyetje, të trazojë ndërgjegjen dhe, në fund, të japë një mesazh të qartë për atë që nuk duhet të përsëritet më në shoqërinë tonë. 

Veprat letrare shpesh konsiderohen si një thirrje për ndryshim. Sa e besoni këtë dhe si reflektohet në veprën tuaj? 

Unë besoj se ky është një nga misionet më të rëndësishme të letërsisë. Jo domosdoshmërisht për të ndryshuar menjëherë realitetin, por për të zgjuar ndërgjegjen dhe për të nxitur reflektimin. Në këtë kuptim, edhe romanet e mia janë një përpjekje për të thënë diçka që shpesh mbetet e pathënë. Përvoja ime e gjatë në institucionet ligjzbatuese më ka dhënë mundësinë të jem dëshmitar i shumë ngjarjeve, situatave dhe përplasjeve që nuk janë thjesht episode profesionale, por histori njerëzore me peshë të madhe. Kjo përvojë është bërë lënda ime e parë krijuese. Ajo që dikur ishte realitet i përditshëm, sot shndërrohet në materie letrare. Në letërsinë shqiptare, ky zhanër, që ndërthur botën e policisë, hetimit, moralit dhe dilemave njerëzore, ende nuk është eksploruar në mënyrë të thelluar. Ndoshta për këtë arsye kam ndjerë edhe një lloj përgjegjësie për ta sjellë këtë botë më afër lexuesit, me gjithë kompleksitetin dhe koston e saj. Në veprat e mia përpiqem të tregoj jo vetëm përballjen me krimin, por edhe sakrificat e oficerëve të policisë, tensionet e brendshme, dilemat morale dhe çmimin që ata paguajnë, shpesh në heshtje, në shërbim të shtetit dhe të shoqërisë. Në mënyrë modeste, shpresoj që ky zë, i ardhur përmes letërsisë, të gjejë vend te lexuesi. Nëse arrin të ngrejë një pyetje, të trazojë një mendim, apo të nxisë një reflektim, atëherë besoj se ka përmbushur një pjesë të qëllimit të tij. Njëkohësisht, këto vepra janë edhe një formë kujtese. Një dëshmi për brezat që do të vijnë, për të kuptuar më mirë rrethanat, sfidat dhe sakrificat e një kohe që ne po e jetojmë. Sepse pa kujtesë, çdo shoqëri rrezikon të përsërisë të njëjtat gabime. 

Si e interpretoni shprehjen: “Një popull e meriton qeverinë që ka”? 

Kjo është një shprehje e vjetër, e lindur nga përvoja historike e shoqërive dhe nga reflektime të gjata mbi marrëdhënien mes popullit dhe pushtetit. Në një farë mase, unë besoj se ajo përmban një të vërtetë. Një popull nuk e ndërton qeverisjen e tij në vakum. Ajo ndikohet nga historia që ka kaluar, nga kultura që ka trashëguar, nga rrugët e vështira apo të drejta që ka përshkuar, nga raporti që ka ndërtuar me lirinë dhe përgjegjësinë. Të gjitha këto elemente krijojnë një ndërgjegje kolektive që, në një mënyrë apo në një tjetër, reflektohet edhe në mënyrën si qeveriset. 

Megjithatë, unë nuk do ta shihja këtë shprehje si një dënim të përhershëm. Shoqëritë nuk janë statike. Ato ndryshojnë, evoluojnë, mësojnë nga gabimet dhe përpiqen të përmirësohen. Prandaj, më shumë se një përkufizim fatalist, kjo shprehje duhet parë si një thirrje për përgjegjësi. Sepse në fund të fundit, cilësia e qeverisjes lidhet ngushtë me nivelin e ndërgjegjësimit qytetar, me guximin për të kërkuar llogari dhe me vullnetin për të mos pranuar padrejtësinë si normalitet. Ajo që është vërtet e rrezikshme për një shoqëri nuk janë vetëm gabimet, por ngecja. Ngecja në vend, humbja e shpresës dhe pranimi i realiteteve të padrejta si të pandryshueshme dëmtojnë thellë ndërgjegjen e një kombi. Për këtë arsye, unë besoj se çdo shoqëri ka gjithmonë mundësinë të bëhet më e mirë se qeveria që ka, nëse zgjedh të mos dorëzohet. 

Në librin tuaj përcillet ideja e një vendi që fillimisht harron, më pas fal dhe në fund vuan. Çfarë mesazhi doni të jepni përmes kësaj? 

Mesazhi kryesor që përpiqem të përcjell është nevoja për të forcuar vetëdijen tonë kolektive. Një shoqëri që harron lehtë, rrezikon të përsërisë të njëjtat gabime. Prandaj, njohja e historisë nuk është thjesht një akt kujtese, por një domosdoshmëri për të mos e lejuar të keqen të rikthehet në forma të reja. Ideja e “harresës, faljes dhe më pas vuajtjes” është një cikël që shumë shoqëri e kanë përjetuar. Falja është një vlerë e madhe, por ajo nuk duhet të vijë si pasojë e harresës apo e mungesës së reflektimit. Kur harrojmë pa kuptuar, falim pa analizuar dhe ecim përpara pa nxjerrë mësime, atëherë rrezikojmë të paguajmë sërish të njëjtin çmim. Në roman përpiqem të theksoj se përparimi nuk vjen duke mbyllur sytë ndaj së keqes, por duke e përballur atë, duke e kuptuar dhe duke ndërtuar mekanizma që e pengojnë që e keqja të përsëritet. Kjo do të thotë të ndërtojmë institucione të forta, të drejta dhe funksionale. Të kërkojmë përgjegjësi dhe të kultivojmë një kulturë qytetare që nuk e pranon padrejtësinë si normalitet. Vetëm në këtë mënyrë mund të synojmë një shoqëri më të zhvilluar, me më shumë mirëqenie ekonomike dhe kulturore, por mbi të gjitha, me më shumë dinjitet. Kujtesa e asaj që na ka lënduar nuk duhet të na mbajë peng, por të na shërbejë si udhërrëfyes. Sepse vetëm duke e mbajtur gjallë këtë kujtesë, mund të ecim përpara pa u detyruar të vuajmë përsëri të njëjtat trauma. 

Për më shumë se dy dekada keni shërbyer në institucionet ligjzbatuese në Shqipëri. Nëse do ta përmblidhnit shkurt, pse mendoni se sistemi i drejtësisë shpesh nuk funksionon si duhet? 

Ndoshta nuk jam personi i vetëm që mund të japë një përgjigje përfundimtare për një çështje kaq komplekse, por si një qytetar i angazhuar dhe si dikush që e ka njohur nga afër këtë sistem, mund të ndaj disa shqetësime. Reforma në drejtësi, e nisur me shumë shpresë rreth një dekadë më parë, ende nuk ka prodhuar plotësisht rezultatet që prisnim. Një nga problemet më të dukshme mbetet vonesa në dhënien e drejtësisë. Dhe siç thuhet shpesh, drejtësia e vonuar është drejtësi e munguar. Zvarritja e çështjeve për vite me radhë ka krijuar jo vetëm frustrim individual, por edhe pasoja të thella sociale. Mendoj se vëmendja duhet të përqendrohet më shumë te gjykatat, sepse në fund të fundit, drejtësinë e jep gjykata. Diskursi publik shpesh fokusohet te policia apo prokuroria, por vendimi përfundimtar, ai që prek jetën e qytetarit, merret nga trupa gjykuese. 

Sfida kryesore mbetet ndërtimi i një gjyqësori që është realisht i pavarur, i paanshëm dhe efikas. Një sistem ku qytetari të hyjë në sallën e gjyqit me besim se do të marrë drejtësi, jo thjesht një vendim formal. Sot, për fat të keq, ky besim nuk është në nivelin që duhet. Ka perceptime dhe raste që krijojnë dyshime mbi balancën mes kërkesave të prokurorisë dhe vendimmarrjes së gjykatës. Kur pafajësitë janë të rralla dhe vendimet duken shpesh si formalizim i kërkesave të prokurorit, atëherë lind natyrshëm pyetja mbi cilësinë e drejtësisë që po jepet. Gjyqësori është një nga tri shtyllat themelore të shtetit dhe duhet të jetë garancia më e fortë e të drejtave të qytetarëve. Janë bërë investime, janë rritur pagat, janë ngritur institucione të reja, por perceptimi publik dhe realiteti i përditshëm tregojnë se kemi ende shumë rrugë për të bërë. Në fund, matësi më i saktë i një sistemi drejtësie nuk janë statistikat, por besimi i qytetarëve. Dhe ky është testi që ne ende nuk e kemi kaluar. 

Edhe pse keni një karrierë të gjatë në institucione dhe në shoqërinë civile, lidhja juaj me letërsinë ka nisur herët. Si lindi kjo marrëdhënie dhe si ka evoluar ndër vite? 

Lidhja ime me letërsinë ka nisur shumë herët, që në fëmijëri. Sa mbaj mend veten, gjithmonë kam pasur një libër pranë. Ishte një lloj strehe, por edhe një mënyrë për të kuptuar botën përreth. 

Kam filluar të shkruaj poezi që në bankat e shkollës dhe disa prej tyre janë botuar në gazetat e kohës. I ruaj ende sot ato faqe të zverdhura nga vitet, janë ndër kujtimet më të çmuara që kam, sepse mbajnë brenda emocionin e fillimeve. Më pas, edhe gjatë studimeve universitare, kam qenë pjesë e redaksisë së gazetës “Studenti”, ku vazhdova të shkruaj dhe të botoj. Jeta profesionale më çoi drejt një rruge krejt tjetër, intensive dhe shpesh të vështirë. Për më shumë se dy dekada në institucionet ligjzbatuese, ritmi i punës dhe natyra e angazhimeve nuk më lanë hapësirë për të shkruar letërsi. Por lidhja me të nuk u ndërpre kurrë. Vazhdova të lexoj, të ndjek autorët e mi të preferuar dhe të mbaj gjallë atë ndjenjë që kisha që fëmijë. Rikthimi erdhi natyrshëm, në një moment kur zgjodha një ritëm më të qetë jete. Fillova të shkruaj sërish, fillimisht me një lloj droje, madje edhe me mendimin se ndoshta nuk do t’i botoja kurrë ato që shkruaja. Isha mësuar që njerëzit të më shihnin në një tjetër rol, në uniformë, duke folur për ligjin dhe kriminalitetin. Kalimi në botën e letërsisë më dukej shumë i vështirë. Por falë nxitjes së miqve, e kapërceva këtë hezitim. Fillimisht erdhi një vëllim me poezi, e më pas një rrugëtim që vazhdon edhe sot me romane dhe tregime. Sot, shkrimi është bërë pjesë e përditshmërisë sime. Është një nevojë e brendshme, një mënyrë për të përpunuar përvojat e jetuara dhe për t’i kthyer ato në letërsi. Ndjej një kënaqësi të veçantë kur lexues të panjohur më shkruajnë dhe ndajnë përshtypjet e tyre. Në ato momente kuptoj se ia ka vlejtur çdo përpjekje, çdo orë vetmie përballë faqes së bardhë. Letërsia është një udhëtim i brendshëm, por edhe një urë lidhëse me të tjerët. Dhe për mua, është një nga gjërat më të bukura që mund të bëjë njeriu. 

Për shumëkënd ka qenë surprizë kalimi juaj drejt romaneve. Si e përjetuat mirëpritjen e lexuesve? 

Të them të drejtën, kalimi drejt prozës së gjatë ka qenë një ëndërr e hershme e imja, por për shumë kohë më dukej si diçka e largët, pothuajse e paarritshme. Pas botimit të vëllimit me poezi “Udhë në pasqyrë” vazhdimisht kisha në mendje një subjekt që më shoqëronte prej vitesh. E rrotulloja në imagjinatë vazhdimisht, e ndërtoja në heshtje, por nuk kisha gjetur kurajën të ulesha dhe ta hidhja në letër. Një moment i veçantë ishte kur shkrimtari Besnik Mustafaj më tha, me një lloj entuziazmi të thjeshtë: “Kam hedhur paragrafin e parë të romanit që po shkruaj dhe ky është momenti më i vështirë. Pas këtij momenti romani ecën vetë – më tha”. Kjo fjali më mbeti gjatë në mendje. U ktheva në shtëpi dhe vendosa të bëj pikërisht atë hap të parë. Nuk ishte e lehtë. U ndala gjatë tek ai paragraf, e rishkrova shumë herë, por sapo e ndjeva se e kisha gjetur ritmin, diçka ndryshoi. Fillova të shkruaj pa u ndalur. Ishte si të hapje një derë që kishte qenë gjithmonë aty, por nuk e kishe shtyrë kurrë. Kur përfundova kapitujt e parë, ia dërgova mikut tim, shkrimtarit Shefqet Meko, i cili ka 25 vite në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai jo vetëm që i lexoi me kujdes, por më mbështeti, më këshilloi dhe më dha besimin për të vazhduar. Kështu lindi “Anja”. Mirëpritja e lexuesve ishte përtej çdo pritshmërie. Libri u ribotua disa herë dhe kjo më dha shtysën për të mos u ndalur më. Në një farë mënyre, lexuesi u bë bashkudhëtar në këtë rrugëtim. Sigurisht, kjo mirëpritje nuk sjell vetëm kënaqësi, por edhe përgjegjësi. Çdo libër i ri kërkon më shumë përkushtim, sepse pritshmëritë rriten. Por kjo është një përgjegjësi e bukur. Dhe dua të shfrytëzoj rastin për t’i falënderuar nga zemra të gjithë lexuesit e mi. Sepse në fund, janë ata që i japin kuptim çdo faqeje të shkruar. 

Romanet “Anja” dhe “Brenga e prokurorit” kanë patur sukses të madh, me ribotime dhe botime jashtë vendit, si edhe vlerësime të shumta. Si ndiheni për këtë arritje? 

Jam vërtet shumë i lumtur. Unë pavarësisht nga mosha jam një autor i ri. Para 9 vitesh botova librin e parë. Anja siç e thashë u botua dhe ribotua disa herë, u përkthye dhe u botua në Turqi, u përkthye dhe është botuar me disa kapituj në disa revista letrare në Rumani, është në proces për t’u botuar i plotë atje nga e pakrahasueshmja përkthyesja Oana Anca Mihaela Glasu. Gjithashtu “Brenga e Prokurorit” u botua në anglisht në Minneapolis në SHBA, dhe në shtëpinë botuese “Rubbettino” në Itali me titullin “Dentro la notte di Martin Guri”. Gjithashtu të dy këto romane janë nominuar nga Ministria e Kulturës, secili në dhjetë romanet më të mira në vitet që u botuan. Kanë fituar çmime, por më e rëndësishmja janë lexuar dhe janë pritur shumë mirë nga lexues të shumtë. Çdo mesazh e fjalë që marr nga persona të ndryshëm është një nxitje e jashtëzakonshme për mua. 

Si e shihni rininë e sotme dhe marrëdhënien e saj me librin? Çfarë mesazhi do të donit t’u jepnit? 

Nga përvoja ime në takimet e shumta me lexuesit, unë jam më shumë optimist sesa skeptik për rininë e sotme dhe marrëdhënien e saj me librin. Dua të përmend disa takime që kam pasur në shkollën e Zejmenit në Lezhë, ku kam hasur një përkushtim të rrallë. Nën drejtimin e një mësueseje të jashtëzakonshme, si Mimoza Gjoka, nxënësit kishin lexuar librin tim dhe vinin në takim të përgatitur, me shënime dhe pyetje që shpesh të vinin në mendime. Ishte një kënaqësi e veçantë të përballeshe me një vëmendje kaq serioze dhe një dashuri kaq të sinqertë për librin. E njëjta ndjesi më ka shoqëruar edhe në disa shkolla në Kamëz, ku, përveç kushteve të mira të krijuara në ato shkolla moderne, kam gjetur nxënës inteligjentë dhe të lidhur me leximin. Kam parë në çdo shkollë biblioteka të jashtëzakonshme. Këto përvoja më bindin se, pavarësisht sfidave që sjell teknologjia, libri nuk e ka humbur vendin e tij. Shpesh thuhet se teknologjia e largon rininë nga libri. Unë do ta shihja ndryshe: teknologjia është një mjet i fuqishëm, por libri është një përjetim. Ai është një lidhje e thellë dhe e qëndrueshme. Kush e zbulon këtë lidhje, nuk e braktis më kurrë. Libri është një botë më vete. Është magji, është reflektim, është rritje. Dhe nëse lidhemi me të që në moshë të re, ai na shoqëron besnikërisht gjatë gjithë jetës. Më vjen në mendje shprehja e Ciceronit: “Nëse ke një kopsht dhe një bibliotekë, atëherë ke gjithçka që të duhet”. Për mua, libri dhe natyra janë dy nga pasuritë më të mëdha që mund të ketë njeriu. Mesazhi im për të rinjtë do të ishte i thjeshtë: përdoreni teknologjinë, përfitoni prej saj, por mos e ndani librin nga vetja. Sepse libri është ajo pasuri shpirtërore që ju formon, ju pasuron dhe ju qëndron pranë gjatë gjithë jetës. 

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular