Policia e Dibrës ka finalizuar një aksion kundër falsifikimit në organet shtetërore, me qëllim marrjen e pasaportës bullgare të shtetasve shqiptarë.
Bëhet me dije se janë proceduar penalisht për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh administratori aktual, Ndriçim Sula dhe ish-administratori i njësisë administrative Ostren, Bashkia Bulqizë, Bajram Mata.
Ata kanë falsifikuar dokumente të gjendjes civile, me qëllim pajisjen e personave të ndryshëm me vërtetime sikur janë banorë të njësisë administrative Ostren dhe më pas këto dokumente do t’i dërgonin në Bullgari, me qëllim pajisjen me pasaporta bullgare.
Sakaq, ditën e djeshme në godinën e Bashkisë Bulqizë kanë zbarkuar forcat Shqiponja, ku dyshohet se janë vënë në kërkim të dokumenteve që i shërbejnë hetimeve për këtë çështje.
Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “IDENTITETI”, i ndjekur prej rreth 1 muaji, me metoda speciale hetimi. Tentoi të kalonte kufirin me 21 dokumente të dyshuara të falsifikuara për 21 shtetas të ndryshëm, me qëllim pajisjen e tyre me pasaporta bullgare, vihet në pranga 49-vjeçari nga Bullgaria.
Procedohen penalisht për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh administratori aktual dhe ish-administratori i njësisë administrative Ostren, Bashkia Bulqizë.
Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër, bazuar në informacionet e siguruara se disa shtetas falsifikonin dokumente të gjendjes civile me qëllim pajisjen e personave të ndryshëm me vërtetime sikur janë banorë të njësisë administrative Ostren dhe më pas këto dokumente do t’i dërgonin në Bullgari, me qëllim pajisjen me pasaporta bullgare, kanë nisur hetimet proaktive, të ndjekura me metoda speciale hetimi, për rreth 1 muaji, për goditjen e këtij grupi.
Si rezultat i hetimeve të kryera, strukturat e DVP Dibër, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Kufitare Dibër, nën drejtimin e Prokurorisë Dibër, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Identiteti”, ku, si rezultat, në dalje të PKK Bllatë, u bë ndalimi i shtetasit E. T., 49 vjeç, banues në Sofje, Bullgari.
Gjatë kontrollit fizik të ushtruar nga shërbimet e Policisë Kufitare, në automjetin që ky shtetas drejtonte, iu gjetën 21 dokumente të dyshuara të falsifikuara për 21 shtetas të ndryshëm, me qëllim pajisjen e tyre me pasaporta bullgare. Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit:
Këta dy shtetas gjatë ushtrimit të detyrës dyshohet se kanë kryer veprime në kundërshtim me ligjin, duke lëshuar dhe falsifikuar dokumente të gjendjes civile për persona të ndryshëm, me qëllim përfitimin e pasaportave të shtetit bullgar.
Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti, si dhe për identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari të paligjshme.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.







