Kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi, ka komentuar debatin e krijuar pas paraqitjes së aktorit Robert Ndrenika në sallën e gjyqit për të mbështetur kryebashkiakun Erion Veliaj.
I ftuar në “Off the Record” me Andrea Dangllin, Shehi tha se nuk dëshiron ta paragjykojë aktorin për zgjedhjet e tij personale.
“Zotin Ndrenika e kam mik. Është tamam nga ajo plejadë artistësh që iu bashkuan Partisë Demokratike. E kemi pasur edhe deputet dhe nuk dua ta gjykoj për këto muhabete. Ne fillojmë e u vendosim vulën njerëzve: ky është i këtyre, ky i atyre. Nesër mund t’i ndodhë një tjetri. Ai ka bërë zgjedhjen e vet personale, mund të ketë raportin e vet, hallall i qoftë, puna e tij”, u shpreh Shehi.
Ai kritikoi gjykimet publike ndaj artistëve dhe figurave publike për pozicionimet e tyre, duke pyetur: “Si do ia bëjmë kësaj pune? Do t’u vendosim gardh edhe artistëve? Ky lloj gjykimi nuk vlen”.
Më tej, Shehi bëri edhe një dallim mes figurës së intelektualit dhe asaj që ai e cilësoi si “i ditur”.
“Ai që prodhon, që bashkon kulturën me disidencën dhe kritikën, ai është intelektual. Ai që është konform regjimit është i ditur, por jo intelektual. Të ditur ka sa të duash. Edhe Enver Hoxha kishte të diturit e vet. Intelektual është ai që reagon ndaj të keqes, që ka forcën të bëjë kritikë edhe kur punët duken se shkojnë vaj”, deklaroi Shehi.
Ai gjithashtu nê Off The Record me Andrea Dangllin tha se shqiptarët e sotëm janë më të mençur se ata të diktaturës.
Duke folur për gjendjen ekonomike të artistëve, Shehi përmendi rastin e kompozitorit të ndjerë Aleksandër Lalo, i cili sipas tij merrte një pension minimal pas një jete të tërë në muzikë.
“Korrupsioni me miliona po ndodh. Miliarda po zhduken. Aleksandër Lalo që ish e kisha mik ka thënë nja dy batuta që për punë e artit. Një herë e para i them po merresh me ndonjë gjë Sandër? Tha jo Dash. Po pse s’merresh? Po shiko tha; muzika tha është si puna e frutave hahet mbas buke. Ky popull do bukë. Doli në pension. I thashë sa të ka dalë pensioni? Tha më ka ra 167.000 lekë të vjetra, kuptohet tha kam bërë 167 orë muzikë.
Më bie 1 mijë lekë për një orë muzikë. Për të qesh një kompozitor që ka bërë muzikë. ajo ishte batutë që flet shumë, prandaj duhen shtuar para publike për artin dhe një gjë tjetër se nuk mjaftojnë thjesht paratë duhet zgjeruar perimetri kultural. Nëpër shkolla fillojnë edukohen, kurrikulat që fëmijët ta duan artin. Të jenë të interesuar për artin sepse këto janë klientët e nesërm të artistit. Këto janë konsumatorët që do paguajnë biletën e kinemas, biletën e teatrit, biletën e koncertit”.







