HomeKultureMbushi 90 vjeç/Prof. Muzafer Korkuti një personalitet që i ka dhënë shumë...

Mbushi 90 vjeç/Prof. Muzafer Korkuti një personalitet që i ka dhënë shumë arkeologjisë dhe studimeve prehistorike në Shqipëri. Fjala e akademikëve Skënder Gjinushi, Neritan Ceka, Adem Bunguri

Advertismentspot_img

Në datën 18 Maj në Akademinë e Shkencave u festua 90-vjetori i akademik, Muzafer Korkutit.
Skënder Gjinushi-Kryetar i Akademisë së Shkencave të RSH:

Profesor Muzafer Korkutit është një shembull i përkushtimit, këmbënguljes dhe vizionit

Prof. Adem Bunguri:

Prof. Korkuti ka lënë një gjurmë të pashlyeshme në studimet albanologjike dhe në ruajtjen e kujtesës historike të kombit shqiptar.

Prof. Neritan Ceka:

Prof. Myzafer Korkuti një personalitet që i ka dhënë shumë arkeologjisë dhe studimeve prehistorike në Shqipëri.

Më 18 maj 2026, në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë u zhvillua aktiviteti jubilar kushtuar 90-vjetorit të lindjes së akademikut Myzafer Korkuti. Veprimtaria u organizua nga Seksioni i Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike, në bashkëpunim me Institutin e Arkeologjisë dhe Komisionin e Përhershëm të Arkeologjisë. Me këtë rast, ishin të pranishëm: Kryetari i Akademisë së Shkencave, z.Skënder Gjinushi, arkeologu i vjetër dhe njëri nga miqtë e bashkëpunëtorët e profesorit, z.Neritan Ceka, drejtori i arkeologjisë shqiptare Adem Bunguri, si dhe shumë kolegë, miq, shokë, bashkëpunëtorë dhe studentë të profesorit dhe të arkeologjisë shqiptare, por edhe nga Kosova. Përveç familjarëve të Muzaferit, bashkëshortes dhe djalit të madh të tyre, dhe Rebiut, ishin të pranishëm edhe fterjotët Agim Kofina, Sulejman Mato, Xhemal Mato, Firdus Mita dhe Feksor Shkurti. Ishin njëkohësisht Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës Labëria “Nderi i Kombit”. Z. Kastriot Moço, kryeredaktori i gazetës Labëria, Albert Zholi, etj. Në fillim të takimit Kryetari i SSHSHA, akad. Gëzim Hoxha, vuri në dukje se veprimtaria shkencore për ditëlindjen jubilare të arkeologut të shquar akad. Myzafer Korkuti synon të sjellë në vëmendje kontributin e tij në studimet mbi etnogjenezën e ilirëve, rolin e tij në drejtimin e arkeologjisë shqiptare, si dhe ndikimin e tij në arkeologjinë e Kosovës.

Veprimtarinë e përshëndeti Kryetari i Akademisë së Shkencave, akad. Skënder Gjinushi. Kryetari i Institutit të Arkeologjisë, akad. Adem Bunguri, theksoi se akad. Korkuti është një nga figurat qendrore të brezit të dytë të arkeologjisë institucionale, i cili me gërmimet dhe studimet e tij në qendra si Tren, Dunavec, Vashtëmi, Cakran e Konispol ka sjellë dëshmi të rëndësishme për prehistorinë dhe qytetërimin ilir. Veprat e tij, ndër të cilat “Qytetërimi neolitik dhe eneolitik në Shqipëri” dhe “Arti shkëmbor në Shqipëri”, mbeten referenca themelore për studiuesit. Në fund të fjalës së tij, akad. Bunguri vlerësoi veçanërisht disiplinën e lartë shkencore të akad. Korkutit, përdorimin e metodave moderne si datimet radiokarbonike, klasifikimin e qeramikës në terren dhe kujdesin për formimin e arkeologëve të rinj. Veprën e akad. Korkutit e vlerësuan edhe prof. dr. Neritan Ceka, kryetar i Komisionit të Arkeologjisë; prof. dr. Ilir Gjipali; prof. dr. Kemajl Luci; dhe dr. Rovena Kurti, të cilët nënvizuan veprimtarinë e tij kërkimore të lidhur ngushtë me zbulimin, dokumentimin dhe interpretimin e kulturave të hershme në territorin e Shqipërisë, duke filluar nga epokat e neolitit dhe eneolitit, e deri te formësimi i etnosit dhe kulturës ilire. Aktiviteti u regjistrua nga shumë gazetarë e fotografë, ku u realizuan disa video e fotografi, ku nuk mungoi edhe fterjoti i papërtuar, duararti Xhemal Mato. Urime Profesor!

Skënder Gjinushi-Kryetar i Akademisë së Shkencave të RSH:

Profesor Muzafer Korkutit është një shembull i përkushtimit, këmbënguljes dhe vizionit

I dashur, prof. E kademik Korkuti… Të nderuar akademikë, të nderuar kolegë e studiues, të dashur miq. Sot kemi privilegjin e veçantë të mblidhemi në këtë veprimtari festive dhe shkencore për të nderuar 90-vjetorin e lindjes së një prej figurave më të shquara të akademizmit e  arkeologjisë shqiptare, të anëtarit e kryetarit të Akademisë, profesor doktor Muzafer Korkuti.Në emër të Kryesisë së Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, kam nderin dhe kënaqësinë t’i shpreh Profesor Korkutit urimet më të përzemërta në këtë përvjetor, duke i shoqëruar ato me mirënjohjen më të thellë institucionale për një jetë të tërë të përkushtuar ndaj shkencës, dijes dhe identitetit kulturor të historisë e origjinës së vendit e popullit tonë. Rruga jetësore dhe shkencore e Profesor Muzafer Korkutit është një shembull i përkushtimit, këmbënguljes dhe vizionit. Duke nisur që nga  formimi i hershëm arsimor në trevat e Jugut e të Veriut të Shqipërisë, deri te studimet universitare në Tiranë dhe specializimet jashtë vendit, ai ndërtoi një profil të plotë të studiuesit të përkushtuar, i cili i dha drejtim dhe përmbajtje një prej fushave më themelore të albanologjisë: arkeologjisë prehistorike. Veprimtaria e tij kërkimore është e lidhur ngushtë me zbulimin, dokumentimin dhe interpretimin e kulturave të hershme në territorin e Shqipërisë, duke filluar nga epokat e neolitit dhe eneolitit, e deri te formësimi i etnosit e  kulturës ilire. Ekspeditat dhe gërmimet e drejtuara prej tij në qendra të rëndësishme si Maliqi, Treni, Dunaveci, Vashtëmia, apo Konispoli, kanë shënuar etapa të rëndësishme në njohjen shkencore të prehistorisë sonë. Përmes një veprimtarie të gjerë botuese, ku përfshihen me dhjetëra monografi dhe artikuj shkencorë botuar në vend dhe jashtë vendit, Profesor Korkuti ka kontribuar në mënyrë të qenësishme në ndërtimin e një narrative shkencore të qëndrueshme mbi autoktoninë dhe vijimësinë kulturore të popullsive në hapësirën shqiptare. Veprat e tij mbeten sot referenca të domosdoshme për studiuesit dhe një bazë e fortë për zhvillimin e mëtejshëm të kërkimeve albanologjike. Një dimension i veçantë i personalitetit të tij është ai i pedagogut dhe formuesit të brezave. Për dekada me radhë, ai ka qenë një udhërrëfyes i sigurt për studentët dhe studiuesit e rinj, duke përcjellë jo vetëm dije, por edhe metodë, etikë shkencore dhe pasion për kërkimin. Po aq i rëndësishëm është edhe roli i tij si drejtues. Si drejtor i Institutit të Arkeologjisë në disa periudha kyçe, si dhe si Kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, ai ka kontribuar në konsolidimin dhe zhvillimin e institucioneve shkencore, duke forcuar rolin e tyre në jetën akademike dhe shoqërore të vendit. Këtë detyrë me shumë përgjegjësi ai e ka kryer në një periudhë tranzicioni drejt reformimit të saj, duke përcjellë më tej vlerat e akademizmit shqiptar për të krijuar një akademi të hapur ndaj vlerave shkencore kudo ku gjenden dhe në harmoni me brezat e kërkuesve shkencorë nga të gjithat fushat e shkencës. Vlerësimet dhe dekoratat e larta shtetërore dhe akademike që ai ka marrë ndër vite janë dëshmi e një vlerësimi të merituar për një kontribut të jashtëzakonshëm. Por mbi të gjitha, vlerësimi më i madh mbetet trashëgimia e tij shkencore dhe njerëzore, e cila vazhdon të jetojë në veprat e tij dhe në punën e brezave që ai ka frymëzuar.Veçojmë në mes këtyre nderimin nga Presidenti i Republikës me dekoratën e lartë “Nderi i Kombit” me motivacionin: “Për drejtimin profesional dhe vizionar të Institutit të Arkeologjisë e të Akademisë së Shkencave; në vlerësim të kontributit të vyer shumëvjeçar për përparimin e shkencës së arkeologjisë dhe qasjen e saj te publiku i gjerë, si dhe për angazhimin e përhershëm në ndërtimin e urave të komunikimit dhe bashkëpunimit me studiuesit ndërkombëtar në fushën e kërkimeve dhe studimeve arkeologjike”. Në këtë përvjetor të shënuar, ne nuk nderojmë vetëm një individ, por një epokë të tërë të zhvillimit të arkeologjisë shqiptare, një traditë kërkimi që prof. Korkuti, ndihmoi ta themelojë dhe ta çojë përpara me dinjitet dhe kompetencë shkencore. Kolegë e bashkëpunëtorë të ngushtë të Profesorit, do të paraqesin këtu në mënyrë më të thelluar kontributin e  veprën shumëplanëshe të tij edhe për t’i lënë vend atyre, më lejoni edhe një herë që t’i uroj profesorit e mikut tonë të dashur shëndet të mirë dhe jetë të gjatë, duke i  shprehur edhe një herë mirënjohjen tonë më të sinqertë për gjithçka që ka bërë për shkencën shqiptare. Emri dhe vepra Juaj do të mbeten përgjithmonë pjesë e historisë së Akademisë e të shkencës shqiptare.

**

Fjala e Prof. Adem Bunguri:

-Prof. Korkuti ka lënë një gjurmë të pashlyeshme në studimet albanologjike dhe në ruajtjen e kujtesës historike të kombit shqiptar.
Kontributi i Akad. Muzafer Korkutit në studimet mbi formimin etno-gjenetik të ilirëve
(me rastin e 90 vjetorit të lindjes)

Muzafer Korkuti është përfaqësuesi më i spikatur i brezit II të arkeologjisë institucionale shqiptare dhe njëherësh një figurë qendrore e saj. Ai ka lindur më 17.05.1936 në Fterrë të Sarandës. Arsimin fillor e ka kryer fillimisht në vendlindje, më pas në Kuç të Kurveleshit, ndërsa arsimin e mesëm në Shkodër (Shejnaze Juka), pas të cilit ai punoi për 3 vjet si mësues dhe drejtor shkolle në Kuç të Vlorës. Studimet e larta i filloi në Universitetin “A. Lomonosov” të San Peterburgut dhe pas ndërprerjes së marrëdhënieve me ish BS, i përfundoi në Universitetin e Tiranës në vitin 1962, ndërsa studimet pasuniversitare i kreu në Universitetin e Pekinit në vitet 1965–1966.Jeta dhe veprimtaria e tij janë të lidhura ngushtë me historinë e kërkimeve arkeologjike në Shqipëri dhe me ndërtimin e traditës moderne të studimeve mbi prehistorinë, neolitin, eneolitin dhe qytetërimin ilir. Pas diplomimit në degën e historisë në Universitetin e Tiranës (1962), ai iu përkushtua për dekada kërkimit shkencor dhe dokumentimit të trashëgimisë së lashtë shqiptare. Akademik Korkuti ka drejtuar gërmime dhe ekspedita arkeologjike në qendra të rëndësishme si Tren, Dunavec, Vashtëmi, Burim, Cakran, Patos, Bënjë, Katundas, Kolsh, Çetush, Gradec dhe Konispol, duke sjellë dëshmi të rëndësishme për zhvillimin kulturor dhe historik të rajonit në periudhat më të hershme të njerëzimit. Punimet e tij kanë kontribuar jo vetëm në pasurimin e arkeologjisë shqiptare, por edhe në afirmimin ndërkombëtar të saj. Përveç kontributit në terren, akademik Muzafer Korkuti ka mbajtur role të rëndësishme drejtuese në jetën shkencore dhe akademike të vendit. Ai ka qenë kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, drejtor i Institutit të Arkeologjisë në dy periudha të rëndësishme, kryeredaktor i revistës shkencore “Iliria”. Veprimtaria e tij institucionale është karakterizuar nga përkushtimi për zhvillimin e shkencës, mbështetjen e brezave të rinj të studiuesve dhe promovimin e trashëgimisë kulturore shqiptare në arenën ndërkombëtare.
Kontributet e tij janë vlerësuar edhe jashtë vendit: anëtar i Komitetit të Përhershëm të Shkencave Pre/Protohistorike Botërore, anëtar korrespondent i Institutit Gjerman të Arkeologjisë, si dhe i dekoruar me urdhrin “Mjeshtër i Madh”.Veprat e tij, ndër të cilat “Qytetërimi neolitik dhe eneolitik në Shqipëri”, “Arti shkëmbor në Shqipëri” (botuar edhe në Universitetin e Heidelbergut, duke afirmuar ndërkombëtarisht veprën e tij), “Harta Arkeologjike e Shqipërisë” dhe “Archaeological Studies on the Prehistory of Albania”, mbeten referenca themelore për studiuesit e arkeologjisë dhe historisë së lashtë. Një kontribut i veçantë është edhe studimi i piktogrameve prehistorike, ku zbulimet shqiptare janë përfshirë në rrjetin e studimeve evropiane mbi artin shkëmbor, krahas Italisë, Francës dhe Maltës. Akad. Muzafer Korkuti ka udhëhequr gjithashtu restaurimin e pikturës së Lepenicës nga një grup shqiptaro-spanjoll, duke ruajtur një monument me vlerë evropiane.Në këtë përvjetor jubilar, Akademia e Shkencave e Shqipërisë shpreh vlerësimin më të lartë për figurën dhe veprën e akademikut Muzafer Korkuti, duke e konsideruar atë një nga personalitetet më përfaqësuese të shkencës shqiptare bashkëkohore.Me punën, përkushtimin dhe autoritetin e tij shkencor, ai ka lënë një gjurmë të pashlyeshme në studimet albanologjike dhe në ruajtjen e kujtesës historike të kombit shqiptar. Disa tipare të punës së Korkutit: • Disiplinë e lartë shkencore në gërmim. • Gërmime stratigrafike me kritere rigorozisht shkencore.• Punë sistematike në dokumentimin e gërmimit. • Përdorimi i datimeve radiokarbonike (Dunavec).• Punë sistematike në sheshin e gjetjeve (ploshtad). • Klasifikimi shkencor në terren i qeramikës dhe i gjetjeve arkeologjike. • Plotësimi i kartelave të objekteve dhe regjistrit fushor. • Diskutime të përditshme të situatave arkeologjike të gërmimit. • Përcaktimi i saktë i pozitës kulturore e kronologjike të vendbanimit. • Interpretime të sakta historiko-kulturore të depozitimeve kulturore
• Punë kualifikuese me arkeologët e rinj. • Kujdesi për krijimin e kushteve të përshtatshme të akomodimit etj.• Konispoli mundësoi modelin “regional contact” të neolitizimit. • Konispol I – Paleolit i Lartë.

Prof. Neritan Ceka:

Prof. Myzafer Korkuti një personalitet që i ka dhënë shumë arkeologjisë dhe studimeve prehistorike në Shqipëri.

Në fjalën e tij për 90-vjetorin e arkeologut të shquar Muzafer Korkuti, zoti Neritan theksoi se :Korkuti mbetet një nga arkeologët më të mirë shqiptarë, një personalitet që i ka dhënë shumë arkeologjisë dhe studimeve prehistorike në Shqipëri. Ai vlerësoi jo vetëm punën e tij shkencore, por edhe kontributin si drejtues i Akademia e Shkencave e Shqipërisë, ku solli një frymë më të hapur dhe bashkëkohore në jetën akademike.Gjatë veprimtarisë së tij 41-vjeçare në këtë institucion, Muzafer Korkuti u specializua në fushën e prehistorisë dhe drejtoi gërmime në më shumë se 15 qendra pre dhe protohistorike në Shqipëri. Ai është bashkautor i disa teksteve universitare dhe botimeve të rëndësishme shkencore, ndër to “Arkeologjia” (1972 dhe 1993), “Historia e Shqipërisë”, botimi “Les Illyriens” (1985), si edhe “Historia e Popullit Shqiptar” (2003).Një nga veprat e tij më të njohura është libri “Neolithicum und Chalkolithicum in Albanien”, botuar në Gjermani më 1995, vepër që u bë referencë për studimet mbi neolitin dhe eneolitin shqiptar. Nga viti 1968 deri në vitin 2002 ai ishte lektor i Arkeologjisë në Universiteti i Tiranës, ndërsa gjatë viteve 1972–1975 dha mësim edhe në Universiteti i Prishtinës, duke ndikuar në formimin e shumë brezave të arkeologëve dhe historianëve shqiptarë”.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular