Nga Bujar Leskaj
Në demokraci, pushteti fitohet përmes votës, por ruhet përmes besimit. Sa më gjatë të qëndrojë një drejtues në krye të qeverisë, aq më i madh bëhet rreziku dhe madje realiteti, që vota e marrë të shndërrohet në vetëkënaqësi dhe jo në kontratë përgjegjësish.
Në një rreth të ngushtë ku pushteti përdoret për favore dhe abuzime për veten dhe ata që ke rreth vetes në sekt, vendimmarrja largohet gradualisht nga dialogu dhe afrohet me arrogancën politike. Kjo e ka sjellë Ramën në 14 vite paudhësi, abuzim, babëzi dhe korrupsion, që të bëhet krye-autokrati dhe krye-arroganti i Shqipërisë.
I. Nga premtimi për ndryshim tek përqendrimi i pushtetit për favore dhe korrupsion
Kur Partia Socialiste erdhi në pushtet në vitin 2013, ajo premtoi një model të ri qeverisjeje, më transparent, më të hapur dhe më pranë qytetarëve. Pas shumë mandatesh në qeveri, ky premtim jo vetëm nuk është mbajtur dhe është sfumuar, por, në vend të dialogut dhe llogaridhënies, është forcuar një model kleptokrat, i përqendruar rreth figurës së kryeministrit.
Pjesa dërrmuese dhe më e rëndësishme e vendimeve politike, ekonomike dhe administrative të qeverisë është identifikuar gjithnjë e më shumë me vullnetin e një personi, duke e degraduar rolin e Kuvendit në një noter të rëndomtë, duke e dobësuar deri në zerim rolin e institucioneve kushtetuese të pavarura dhe të mekanizmave të kontrollit demokratik.
Institucionet e Shtetit në Ramën ndihen të demotivuara dhe të konsumuara nga pushteti i gjatë, nga lakmia e korrupsionit të sektit në pushtet dhe nga mungesa e rotacionit. Një nga sfidat kryesore të çdo demokracie është ruajtja e ekuilibrave institucionalë. Pushteti i gjatë jo vetëm e ka gjeneruar rrezikun e identifikimit të shtetit me qeverinë dhe të qeverisë me drejtuesin e saj, por edhe e ka shndërruar këtë rrezik në përditësi të çdo shërbimi që qeverisja u ofron qytetarëve.
Vendi ynë ka nevojë, madje domosdoshmëri për institucione më të forta dhe më pak të varura nga figurat individuale. Shteti ligjor funksionon më mirë, kur rregullat janë më të rëndësishme se individët dhe kur vendimmarrja kalon përmes institucioneve, dhe jo përmes autoritetit politik e qeveritar të mishëruar nga një njeri i vetëm.
II. Arroganca si perceptim politik. Rama, Luigji i XIV-të modern
Arroganca politike nuk është domosdoshmërisht një kategori juridike. Ajo është edhe një perceptim që krijohet, kur qytetarët ndjejnë se qeveria dhe drejtuesi i saj nuk i dëgjojnë kritikat, nuk i pranojnë gabimet dhe nuk japin llogari. Janë disa elemente bazë, që e kanë ushqyer në këto 14 vite këtë perceptim politik tek qytetarët shqiptarë.
Së pari, gjuha e përdorur ndaj kundërshtarëve politikë, në rradhë të parë Partisë Demokratike dhe liderit të saj, jo vetëm është denigruese dhe fyese, por është kthyer në gjuhë të urrejtjes. Rama e urren opozitën, sepse e sheh atë si minën e vetme ndaj pushtetit të tij absolutist dhe autokratik.
Së dyti, raporti i tensionuar me median kritike. Rama ndërtoi një model komunikimi politik të bazuar tek tallja dhe denigrimi i gazetarëve kritikë ose përfaqësues të mediave kritike ndaj tij. Ky komunikim është rrekur të defaktorizojë dhe të ulë rolin e medias së pavarur dhe denoncimeve të saj ndaj abuzimeve të pushtetit, në një kohë kur media në demokraci ka detyrën të bëjë pyetje të vështira dhe të verifikojë deklaratat e pushtetit.
Përplasjet verbale mes kryeministrit dhe gazetarëve kritikë janë bërë një fenomen i shëmtuar dhe i përsëritur gjatë këtyre 13 viteve. Gazetarë apo media të caktuara janë etiketuar publikisht në konferencat për shtyp të Ramës, janë përballur me sulme verbale ose janë paraqitur si kundërshtarë politikë, për shkak të raportimeve të tyre.
Organizata ndërkombëtare që monitorojnë lirinë e medias kanë ngritur fuqishëm zërin e tyre në këto 13 vite, me shqetësime të thella lidhur me klimën në të cilën operojnë gazetarët në Shqipëri, me presionin ekonomik, kontrollet dhe gjobat fiskale të targetuara mbi mediat kritike, me vetëcensurën dhe vështirësitë për akses në informacion.
Në çdo demokraci funksionale, media kritike nuk konsiderohet armik i qeverisë. Këtë e bën vetëm Rama. Kur marrëdhënia mes pushtetit dhe medias dominohet nga tensioni, humbësi kryesor është publiku. Polarizimi i skajshëm krijon mosbesim ndaj informacionit, dobëson debatin publik dhe vështirëson kontrollin demokratik mbi institucionet.
Së treti, mungesa e reflektimit publik, pas skandaleve të panumurta, në të cilat është kapur me presh në duar qeverisja e Ramës. Krye-autokrati është përpjekur në çdo skandal të shpërthyer ta largojë vëmendjen prej tij dhe, në pamundësi për ta devijuar vëmendjen politike, ta anashkalojë apo sfumojë përgjegjësinë direkte. Mjafton të përmendim skandalet e inceneratorëve, të sterilizimit, Tunelit të Llogarasë, etj.
Së katërti, përqendrimi i komunikimit politik tek kryeministri. Në një demokraci funksionale, qytetarët duhet të informohen dhe të komunikojnë me institucione të ndryshme: ministri, drejtori qendrore, bashki, parlament dhe institucione kushtetuese të pavarura. Kur komunikimi publik dominohet nga kryeministri dhe ai flet për gjithshka dhe komunikon i vetëm, institucionet e tjera e humbasin dukshmërinë dhe autoritetin e tyre publik. Në vend që qytetarët të identifikojnë përgjegjësitë institucionale, ata fillojnë të lidhin pothuajse çdo vendim me vullnetin e një personi të vetëm. Kjo ushqen çdo ditë arrogancën dhe autokracinë në qeverisje.
Rama instaloi konceptin autokratik “Shteti jam unë”, duke u shndërruar në një Luigj të XIV-të modern.
- Denigrimi i protestave historike ndaj dhunës në Zvërnec
Protestat janë një nga instrumentet më të rëndësishme të demokracisë. Ato janë momenti kur qytetarët dalin përtej rrjeteve sociale, deklaratave dhe sondazheve për të shprehur drejtpërdrejt qëndrimet e tyre ndaj një çështjeje që e konsiderojnë jetike për të ardhmen e vendit.
Protestat e zhvilluara në Tiranë nga 31 maji deri sot më 7 qershor 2026, por edhe në qytetet e tjera të vendit, si në Vlorë, Durrës dhe Korçë, si dhe në Diasporë në Nju Jork, Londër, Berlin, Bruksel, Milano, Stokholm, Toronto, etj., tashmë nuk janë më vetëm pët të denoncuar dhunën e ushtruar ndaj protestuesve në Zvërnec më 30 maj.
Ato kanë zgjuar fuqishëm revoltën dhe vetëdijen qytetare, si dhe kanë krijuar një debat të gjerë publik dhe politik mbi raportin midis autokratit dhe arrogantit Rama dhe qytetarëve. Për shumicën e qytetarëve, çështja e Zvërnecit nuk është më vetëm një debat lokal apo mjedisor. Ajo është kthyer në simbol të një pakënaqësie më të gjerë dhe të thellë, ndaj (keq)qeverisjes së Ramës.
Zvërneci përfaqëson një nga zonat më të rëndësishme natyrore, historike dhe turistike të Shqipërisë. Çdo projekt apo ndërhyrje që prek këtë zonë ka pasoja që shkojnë përtej kufijve të një komuniteti lokal. Vendimmarrja për zona të tilla duhet të karakterizohet nga konsultim i gjerë publik, transparencë dhe respekt për standardet mjedisore. Arroganca e Ramës, mungesa e një dialogu të tillë ka krijuar mosbesim, revoltë dhe ka nxitur mobilizimin qytetar.
Pas tetë ditësh protestash të pandërprera me praninë dërrmuese të të rinjve, protestat qytetare që patën si zanafillë Zvërnecin tani janë kthyer në protesta mbarë popullore kundër korrupsionit, abuzimeve pa fre dhe shtetit të oligarkëve, që ka pjellë keq-qeverisja Rama.
xxx
Në demokraci, një protestë njëditore mund të jetë reagim emocional. Një protestë që vazhdon për ditë me radhë tregon këmbëngulje dhe bindje të fortë nga pjesëmarrësit. Fakti që protestat për Zvërnecin po vazhdojnë për shtatë ditë radhazi është dëshmi se pakënaqësia nuk është e rastësishme, por reflekton një shqetësim, zhgënjim nga qeverisja dhe një revoltë të thellë qytetare.
Protestat për Zvërnecin përfaqësojnë një sinjal të qartë se krye-autokrati dhe krye-arroganti Rama duhet të largohet nga qeverisja e vendit. Shqipëria ka nevojë për një fillim të ri politik, institucione më të forta dhe një kulturë më të madhe llogaridhënieje. Ka ardhur koha për një ndryshim të rëndësishëm politik në vend. Në fund, janë qytetarët dhe proceset demokratike që do të përcaktojnë drejtimin që do të marrë Shqipëria në vitet e ardhshme.







