Referuar të dhënave të publikuara nga Komisioni Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë (KQZ), procesi i numërimit të votave është drejt fundit, pasi deri të shtunën në orët e paradites janë numëruar 92.79 për qind e votave, ose 2,497 nga gjithsej 2,691 vendvotime.
Sipas rezultateve të përditësuara deri në orën 10:00 të së shtunës, Lëvizja Vetëvendosje kryeson bindshëm garën me 44.09 për qind të votave, që përkthehen në 310,591 vota.
Në vendin e dytë renditet Partia Demokratike e Kosovës me 20.82 për qind, ose 146,670 vota, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës pozicionohet e treta me 17.07 për qind, respektivisht 120,257 vota.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka siguruar deri tani 7.09 për qind të votave, ose 49,939 vota.
Sipas përllogaritjeve të KQZ-së mbi rezultatet aktuale, Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar 50 ulëse në Kuvend, PDK 23 ulëse, LDK 19 ulëse, ndërsa AAK 8 ulëse.
Procesi i numërimit vijon, ndërsa rezultatet pritet të konfirmohen zyrtarisht pas përfundimit të plotë të tabelimit në të gjitha vendvotimet.








