HomeBotaFranca “digjet” nga i nxehti, shkon në dhjetë numri i viktimave

Franca “digjet” nga i nxehti, shkon në dhjetë numri i viktimave

Advertismentspot_img

Një valë e jashtëzakonshme e të nxehtit me origjinë subtropikale po përfshin Evropën Qendrore dhe Perëndimore, me Francën në vijën e parë të emergjencës. I nxehti afrikan po sjell temperatura rekord, me vlera që tejkalojnë 40 gradë Celsius gjatë ditës dhe net tropikale me temperatura që nuk zbresin nën 20 gradë Celsius.

Në Francë, të paktën 10 persona kanë humbur jetën, ndërsa alarmi është ngritur edhe në Britaninë e Madhe, ku autoritetet kanë shpallur nivelin më të lartë të paralajmërimit për vapën ekstreme.

Dy fëmijë humbin jetën në një makinë

Dy fëmijë, të moshës 2 dhe 4 vjeç, u gjetën të pajetë brenda makinës së familjes së tyre në juglindje të Francës, një zonë e goditur rëndë nga temperaturat e larta.

“Shkaqet e vdekjes ende nuk janë përcaktuar zyrtarisht, por vala e të nxehtit është pista kryesore e hetimit”, deklaroi prokurorja e qytetit Carpentras, Hélène Mourges, ku temperaturat pritej të arrinin deri në 39 gradë Celsius.

Ndërkohë, zëdhënësi i Mbrojtjes Civile franceze, Jérôme Boulanger, bëri të ditur se të paktën 10 persona kanë humbur jetën nga mbytja në ujë gjatë ditëve të fundit.

Apeli i autoriteteve franceze

Përballë situatës së rënduar, autoritetet franceze u kanë bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal dhe të bëjnë plazh vetëm në zona të mbikëqyrura.

“Bëni plazh dhe notoni vetëm në vende të monitoruara”, theksojnë autoritetet, duke paralajmëruar se temperaturat e larta po shtyjnë shumë njerëz të kërkojnë freski në lumenj, liqene dhe zona bregdetare, duke rritur njëkohësisht rrezikun e incidenteve.

Franca nën alarm të kuq

Shërbimi meteorologjik francez, Météo-France, njoftoi se pjesa më e madhe e vendit ka hyrë në një fazë të qëndrueshme të valës së të nxehtit, me kushte ekstreme që pritet të zgjasin të paktën deri më 26 qershor.

Qindra shkolla janë mbyllur, ndërsa shumë të tjera kanë pezulluar pjesërisht mësimin. Në transportin publik të Parisit, udhëtarët po paralajmërohen vazhdimisht të konsumojnë sa më shumë ujë dhe të shmangin ekspozimin e panevojshëm në diell.

Ekspertët e shëndetit kanë paralajmëruar gjithashtu për rrezikun serioz që paraqet konsumimi i alkoolit gjatë periudhave me temperatura ekstreme, ndërsa autoritetet kanë shtuar kontrollet në hapësirat publike.

Sipas Météo-France, 49 departamente dhe rreth 35 milionë banorë ndodhen nën alarm të kuq për vapën, ndërsa 40 departamente të tjera janë në alarm portokalli. Në total, rreth 90 për qind e popullsisë franceze po përballet me temperatura ekstreme ditën dhe natën.

Alarm i kuq edhe në Britaninë e Madhe

Situata po përkeqësohet edhe në Britaninë e Madhe. Shërbimi meteorologjik britanik, Met Office, ka ngritur nivelin e alarmit nga portokalli në të kuq për datat 24 dhe 25 qershor në disa zona të Anglisë dhe Uellsit.

Vala e të nxehtit, që ka nisur prej gati një jave, u intensifikua ndjeshëm më 22 qershor. Temperaturat, të cilat tashmë kanë kaluar 30 gradë Celsius në Londër dhe në qarqe të tjera të Anglisë jugore, mund t’i afrohen pragut të rrallë prej 40 gradësh gjatë ditëve në vijim.

Kjo është vala e dytë e rëndë e vapës që godet Britaninë këtë vit, pas asaj të muajit të kaluar, kur u thyen rekorde historike të temperaturave dhe maji u regjistrua si më i nxehti në më shumë se një shekull matjesh meteorologjike.

Edhe në Britani, autoritetet raportuan disa viktima nga mbytja, kryesisht adoleshentë që kërkonin freski në lumenj, rezervuarë ujorë dhe zona detare me rrezik të lartë.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular