Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pak pas mesnatës në fshatin Bërxullë të Vorës, ku ka mbetur i vdekur si pasojë e një atentati me armë zjarri 50-vjeçari Edmond (Ali) Sula.
50-vjeçari u qëllua në momentin kur po kthehej dhe po i afrohej banesës së tij. Dyshohet se ndaj tij është qëlluar nga një distancë e konsiderueshme me një armë të precizionit të lartë të pajisur me dylbi. Një plumb i vetëm i ka shkaktuar atij vdekjen e menjëhershme në derën e shtëpisë.
Edmond Sula njihej si person me influencë në zonë. Ai frekuentonte rregullisht një ambient në lagjen e tij, ku kryente takime me të njohur dhe persona të interesuar për çështje të shit-blerjes së tokave.
Policia dhe grupi hetimor kanë nisur punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve të këtij ekzekutimi.







