Avokati i Popullit po zhvillon sot dhe nesër një inspektim të paparalajmëruar në burgun e Shënkollit, në kuadër të mandatit si Mekanizëm Kombëtar për Parandalimin e Torturës.
Gjetjet paraprake janë shqetësuese. Grupi i inspektimit konstatoi mbipopullim të rëndë të ambienteve të akomodimit dhe mungesë të theksuar të personelit mjekësor, në raport me nevojat shëndetësore të të burgosurve. Kushte të tilla cenojnë dinjitetin njerëzor dhe standardet minimale të Komitetit Evropian për Parandalimin e Torturës (CPT).
“Problemi kryesor është se duhet të ishte një spital me siguri të lartë, jo një burg me dy psikiatër”,-deklaroi Avokati i Popullit, Endrit Shabani pas inspektimit.
Gjatë inspektimit po verifikohen kushtet e akomodimit, kujdesi shëndetësor, regjistrat e ankesave dhe po zhvillohen biseda private me të burgosur, pa praninë e stafit të institucionit.
Pas përfundimit të inspektimit, Avokati i Popullit do t’i përcjellë Ministrisë së Drejtësisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve raportin e plotë me gjetjet dhe rekomandimet konkrete. Institucioni do të krahasojë gjetjet me inspektimin e vitit të kaluar në burgun e Shënkollit për të verifikuar zbatimin e tyre.
Kushtet në burgje nuk janë çështje mëshire apo favor, por një detyrim kushtetues i shtetit ndaj çdo personi që ndodhet nën kujdesin e tij.
Deklaratat e mbajtura para medias
Endrit Shabani (Avokati i Popullit)
Problemi i parë është që kjo nuk duhet të jetë një IEVP sepse këta nuk janë persona që po vuajnë dënimin. Këta janë persona ndaj të cilëve është marrë një masë mjekësore sepse ata nuk kanë zotësi për të vepruar, pra nuk kanë kuptuar pasojat e veprimeve të tyre. Pra nuk po flasim për të dënuar. Ndërkohë kushtet janë degraduese. Janë degraduese, ne po inspektojmë sot, po inspektojmë dhe nesër. Unë kam këtu ekipin tim, kam Komisionerin për Mekanizmin Kombëtar për Parandalimin e Torturës dhe edhe vitin e kaluar, dhe ndoshta Gloria mund t’i shpjegojë edhe më tepër detaje, është gjetur e njëjta e njëjta situatë, i njëjti realitet, 12 veta në një dhomë në kushte që janë denigruese për të drejtat e njeriut, janë shkelje direkte e të drejtave të njeriut.
Ajo që ne konstatojmë është që këtu duhet në mënyrë urgjente ndërhyrje, duhet që këtu të kemi një spital me siguri të shtuar, jo një burg me dy psikiatër. Pra këtu ka mungesë ekstreme të stafit mjekësor, këtu ka kushte jashtëzakonisht të rënda. Një pjesë e godinës është e pabanueshme, pra është për t’u shembur, një pjesë tjetër janë të përqendruar, dhe 12 veta në një qeli. Është e papranueshme. Do duhet ndërhyrë në mënyrë të sa më të shpejtë, këtu Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Drejtësisë do duhet të marrin përgjegjësitë e tyre në mënyrë urgjente. Qeniet njerëzore, aq më tepër ata të cilët vuajnë nga problemet e shëndetit mendor, nuk mund të trajtohen në këtë mënyrë. Është e papranueshme. Kolegja ime ndihmëskomisionerja e mekanizmit Gloria Çarkaxhiu mund t’u shpjegojë çfarë kemi parë vjet edhe për ta krahasuar edhe me sivjet, Gloria.
Gloria Çarkaxhiu (Ndihmëskomisionere)
Atëherë mund të themi që situata e pacientëve në institucionin e ekzekutimit të vendimeve penale Lezhë vazhdon të jetë e ngjashme me vjet, pra nuk kemi përmirësime të qëndrueshme. Vazhdon të kemi një mbipopullim të theksuar në dhomat e këtyre pacientëve, vazhdon trajtimi të ndodhë në kushtet e një IEVP-je, pra të një burgu dhe jo të një spitali të posaçëm, ose të paktën të një institucioni të posaçëm mjekësor, siç edhe pretendohet që quhet ky institucion. Ndër vite kemi thënë që ky institucion është një institucion tranzitor, pra kërkesat tona vazhdojnë të jenë të njëjta sipas legjislacionit në fuqi, duhet të ketë një spital forensik për këta persona dhe jo një IEVP siç ndodhet siç ndodhet mbrapa nesh.
Kërkojmë gjithashtu që ekipi mjekësor të jetë multidisiplinar, pra mos ketë vetëm mjekë të përgjithshëm apo sporadikisht mjekë psikiatër, por ne kërkojmë që shërbimi të jetë 24 orë në të tre turnet, pra mos ketë vakanca sepse këta pacientë kanë gjendje shëndetësore të veçantë siç e përmendi dhe avokati i popullit dhe nuk mund të mbetemi në kushtet e emergjencave dhe momenteve të rrezikshme dhe të pazgjidhshme. Kërkojmë gjithashtu që niveli i organizimit si edhe vetë organizimi i këtij institucioni të jetë në formën e një spitali. Pra nuk mund të ndodhemi tani para një ambienti ku kapacitetet maksimale vazhdojnë të jenë 280, por ne sot kemi mbi 430 pacientë që ndodhen aty dhe marrin mjekim.
Situata e kushteve materiale gjithashtu lë shumë për të dëshiruar, edhe pse godinat janë relativisht të reja ato nuk duken si të tilla, pra kemi një degradim të kushteve, të gjendjes materiale të gjithë institucionit por edhe të vetë kushteve të fizike të dhomave. Pra ndodhemi në një situatë që fatkeqësisht ndër vite, edhe pse institucioni i avokatit të popullit e ka ngritur zërin, sot avokati i popullit ka ardhur vetë personalisht pikërisht sepse situata është në një gjendje alarmante. Ne vijojmë të kemi problematikat midis institucioneve shtetërore të cilat duhet të ndryshojnë përgjegjësitë e tyre dhe të marrin përsipër standartet siç e kërkojnë dhe standartet ndërkombëtare.
Ahmet Prençi Komisioner, Mekanizmi kundër Torturës
E thënë thjesht, ky institucion me dyfish kapacitet të pacientëve është i pamundur që të respektohen liritë dhe të drejtat e njerëzve brenda tyre, dhe ideja themelore është që kjo nuk duhet të jetë më burg, duhet të jetë një spital që sigurohet nga Ministria e Drejtësisë vetëm rrethimi i jashtëm nga policia e burgjeve, dhe brenda duhet të ketë vetëm personel mjekësor të bollshëm, të mjaftueshëm për të kryer detyrën funksionale ndaj shërbimeve që u kryen pacientëve.
Endrit Shabani (Avokati i Popullit)
Nëse të dënuarit të cilët janë të vetëdijshëm për veprimet e veta dhe për pasojat e veprimeve të veta ndër këto vite kanë përfituar vazhdimisht nga amnistitë penale, këta pacientë, këta nuk përfitojnë as nga amnistia penale. Pra këta, në vend që të trajtoheshin në një mënyrë më të lehtë për shkak sepse nuk arrijnë të kuptojnë pasojat e veprimeve të tyre, në fakt trajtohen edhe më keq sepse nuk përfitojnë nga amnistitë, sepse nuk mund të përfitojnë për shkak të sistemit të drejtësisë që ne kemi organizuar dhe ndërkohë trajtohen në kushte që janë të papranueshme.
Pra kjo kërkon një ndërhyrje urgjente, kjo duhet të jetë prioriteti numër një i të dy ministrive të cilat kanë përgjegjësi direkte për të ndërhyrë. Ne kemi pasur një institucion të ngjashëm i Zaharisë i cili me insistimin e vazhdueshëm të avokatit të popullit është mbyllur, është e pafalshme që të jemi prapë aty ku ishim. Do duhet ndërhyrë sa më shpejt sepse nuk e nderon shtetin shqiptar.







