Senati i Shteteve të Bashkuara ka miratuar një rezolutë që autorizon shqyrtimin dhe votimin në bllok të 74 emërimeve të administratës amerikane në Kalendarin Ekzekutiv, përfshirë kandidaturën e Eric Wendt për ambasador të SHBA-ve në Shqipëri.
Rezoluta u miratua të enjten, 30 korrik, me 50 vota pro dhe 47 kundër, sipas vijave partiake. Tre senatorë – Marsha Blackburn, Mitch McConnell dhe Thom Tillis, abstenuan nga votimi.
Lista e emërimeve të përfshira në rezolutë përfshin edhe Eric Wendt, i nominuar për pozicionin e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Shqipërisë. Megjithatë, miratimi i Rezolutës nuk përbën konfirmimin e tij si ambasador.

Rezoluta është e natyrës procedurale dhe i jep Senatit mundësinë të shqyrtojë dhe votojë për këto emërime së bashku, në vend që secili prej tyre të trajtohet veçmas.
Nëse kandidatura e tij miratohet, Wendt do të bëhet ambasadori i parë i SHBA-ve në Tiranë pas largimit të Yuri Kim në qershor 2023. Që atëherë, ambasada është drejtuar nga të ngarkuarit me punë, ndërsa emërimet e mëvonshme nuk arritën të finalizoheshin.

Mungesa e një ambasadori me kohë të plotë për një periudhë kaq të gjatë është parë nga shumë vëzhgues si një periudhë në të cilën ndikimi i drejtpërdrejtë diplomatik amerikan në politikën shqiptare ka qenë më i kufizuar. Në këtë kontekst, emërimi i një figure me profil të lartë ushtarak dhe përvojë në strukturat e NATO-s shihet si një sinjal se Washingtoni synon të rrisë angazhimin e tij në Shqipëri.
Kandidatura e Wendt u dorëzua në Senat më 13 prill 2026 nga Presidenti amerikan Donald Trump. Më 20 maj, ai doli përpara Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë, ku prezantoi prioritetet e tij për marrëdhëniet mes SHBA-ve dhe Shqipërisë, duke vënë theksin te lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes, siguria kibernetike dhe rritja e investimeve amerikane.
Më 4 qershor, komisioni miratoi kandidaturën e tij me 19 vota pro dhe 3 kundër, duke e dërguar atë për shqyrtim në Senatin amerikan.
Emërimi i Wendt shihet si një sinjal për një angazhim më të madh të Uashingtonit në Shqipëri, duke pasur parasysh profilin e tij të lartë ushtarak dhe përvojën në strukturat e NATO-s.
Kandidatura e tij iu dorëzua Senatit më 13 prill 2026 nga Presidenti amerikan Donald Trump. Më 20 maj, Wendt u paraqit para Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë të Senatit, ku prezantoi vizionin e tij për marrëdhëniet SHBA-Shqipëri.
Gjatë dëshmisë së tij, Wendt deklaroi se ndihej i nderuar për besimin e dhënë dhe se, nëse konfirmohet, prioriteti i tij do të jetë mbrojtja e qytetarëve amerikanë dhe avancimi i interesave të Shteteve të Bashkuara.
“Për më shumë se 34 vite kam shërbyer Shtetet e Bashkuara të Amerikës si ushtar aktiv”, tha Wendt, duke kujtuar gjithashtu angazhimin e tij në Departamentin amerikan të Shtetit dhe në strukturat e NATO-s.
Ai theksoi përvojën e tij me Forcat e Operacioneve Speciale shqiptare, gjatë kohës kur ishte komandant i forcave speciale të NATO-s dhe gjatë misioneve në Afganistan.
“Forcat Speciale shqiptare mishërojnë shpirtin luftëtar të heroit shqiptar Skënderbeu, ndërsa populli shqiptar është krenar, punëtor dhe mikpritës”, u shpreh Wendt.
Nëse merr konfirmimin e Senatit, ai tha se do të fokusohet në katër drejtime kryesore në marrëdhëniet me Shqipërinë.
Prioriteti i parë do të jetë forcimi i sigurisë së SHBA-së përmes mbështetjes ndaj Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar ndërkombëtar dhe trafikut të drogës.
Prioriteti i dytë do të jetë forcimi i bashkëpunimit në mbrojtje dhe siguri, përfshirë rritjen e kapaciteteve ushtarake dhe kibernetike. Wendt vlerësoi transformimin e Shqipërisë nga një vend i izoluar gjatë komunizmit në një aleat të NATO-s dhe partner të rëndësishëm të SHBA-së.
Fusha e tretë do të jetë zhvillimi ekonomik dhe rritja e investimeve amerikane në sektorë si inteligjenca artificiale, energjia, infrastruktura dhe minierat.
“Bizneset dhe investitorët amerikanë duhet të mirëpriten dhe të trajtohen në mënyrë të drejtë, me transparencë dhe rregulla të barabarta ligjore”, deklaroi ai.
Prioriteti i katërt do të lidhet me mirëqenien e stafit diplomatik amerikan në Shqipëri, përmes asaj që Wendt e cilësoi si kujdes ndaj “faktorëve njerëzorë” brenda ambasadës.
Komisioni për Marrëdhëniet me Jashtë kishte miratuar më herët kandidaturën e Wendt më 4 qershor me 19 vota pro dhe 3 kundër, duke ia kaluar atë Senatit për shqyrtim final.







