Tuneli Fehmarnbelt i Danimarkës do të shkurtojë kohën e udhëtimit midis Skandinavisë dhe Evropës Qendrore. Danimarka dhe Gjermania janë një hap më afër lidhjes me tunelin më të gjatë nënujor dhe hekurudhor në botë.
Lidhja Fehmarnbelt, e cila pritet të hapet në vitin 2029, do të shkurtojë udhëtimin nga kalimi aktual i trageteve prej 45 minutash në shtatë minuta me tren, shkruan Eurnews.

Ai do të lidhë Roedby në anën daneze me Puttgarten në Gjermani, me lidhje të mëtejshme rrugore dhe hekurudhore me Evropën Qendrore dhe vendet nordike.
Mbreti danez, Frederik X përuroi nisjen e punimeve për tunelin e ardhshëm 18 kilometra nën Detin Baltik.
Në qendër të Detit Baltik po ndërtohet me ritme të avancuara ai që do të jetë tuneli i zhytur më i gjatë në botë. Një vepër gjigante infrastrukturore, që do të transformojë lidhjet mes Europës Qendrore dhe Gadishullit Skandinav, duke reduktuar varësinë nga tragetet që aktualisht lidhin brigjet gjermane dhe daneze të ngushticës së Fehmarnit.
Nga MSc Roland Tashi, ekspert i çështjeve të sigurisë
Ngushtica Fehmarn ndodhet në Detin Baltik, midis ishullit danez Lolland (në Veri) dhe ishullit gjerman Fehmarn (në Jug), ajo ndan Danimarkën nga Gjermania dhe është një nga rrugët kryesore detare dhe tregtare mes Skandinavisë dhe Europës Qendrore.
Tuneli i ri “Fehmarn Belt Fixed Link”, i cili ka filluar të ndërtohet, do të kalojë nën këtë ngushticë duke lidhur drejtpërdrejt qytetin danez Rodbyhavn me lokalitetin gjerman Puttgarden.
Një projekt me vlerë 6.2 miliardë paund, që pritet të përfundojë në vitin 2029, tuneli do të përfshijë një autostradë me katër korsi për automjete, si dhe linja hekurudhore.
Projekti parashikon një tunel me përdorim të dyfishtë rrugor dhe hekurudhor, i cili do të përgjysmojë kohën e udhëtimit mes dy vendeve dhe do të ndryshojë rrënjësisht transportin e mallrave përgjatë një prej korridoreve tregtare më të ngarkuara të kontinentit.
Pas përurimit, ai do të jetë zyrtarisht tuneli i zhytur më i gjatë i ndërtuar deri tani për trafikun rrugor dhe hekurudhor duke thyer të gjitha rekordet e mëparshme dhe duke hyrë në Librin e rekordeve Guinness.
Mbreti i Danimarkës ka inauguruar simbolikisht segmentin e parë të përfunduar, një seksion prej 217 metrash, i cili tashmë është vendosur në fundin e detit nga ana daneze.
Ky është një moment historik për një projekt që ka kërkuar shumë vite përgatitje dhe që po ecën drejt përfundimit të planifikuar në vitin 2029.
Kostoja e projektit është rritur me kalimin e kohës, nga 4.6 miliardë paund të parashikuara fillimisht në 6.2 miliardë paund, pas finalizimit të marrëveshjes dypalëshe mes Danimarkës dhe Gjermanisë.
Financimi mbulohet nga Danimarka, e cila synon të rikuperojë investimin përmes tarifave që do të paguajnë përdoruesit e tunelit në dekadat pas hapjes së tij.
Si do të ndërtohet tuneli
Struktura, tuneli i plotë, përbëhet nga 89 elemente të parapërgatitura prej betoni të armuar secili me gjatësi 217 metra dhe peshë rreth 73 mijë tonë.
Çdo segment ndërtohet në tokë, transportohet me anije dhe vendoset në një kanal të hapur në fundin e detit, rreth 16 metra nën sipërfaqe, ku lidhet me segmentet e tjera përmes nyjave të papërshkueshme nga uji.
Tuneli do të ketë gjerësi prej 60 metrash dhe do të përfshijë, katër korsi rrugore nga dy në secilin drejtim dhe dy linja hekurudhore të ndara.
Automjetet do të mund të lëvizin me shpejtësi deri në 110 km/orë ndërsa trenat, deri në 200 km/orë. Falë këtyre parametrave, kalimi i ngushticës do të zgjasë vetëm 10 minuta me makinë dhe 7 minuta me tren, krahasuar me 45 minutat që nevojiten sot me tragetet e kompanisë Scandlines.
Ky ndryshim pritet të ketë ndikim të madh për udhëtarët, turistët dhe veçanërisht për sektorin logjistik dhe mjedisor.
Materiali i nxjerrë nga fundi i detit gjatë gërmimeve nuk do të hidhet, por do të ripërdoret për zgjerimin e vijës bregdetare.
Punimet do të krijojnë rreth 3 km² tokë të re, pjesërisht në ishullin danez të Lollandit dhe pjesërisht në ishullin gjerman të Fehmarnit, e cila do të shfrytëzohet për zona natyrore dhe hapësira të gjelbra bregdetare.

Rëndësia për transportin europian të mallrave
Një nga aspektet më të rëndësishme të projektit lidhet me transportin ndërkombëtar të mallrave. Tuneli Fehmarn Belt është pjesë e rëndësishme e korridorit skandinavo-mesdhetar, rrjetit hekurudhor që lidh Skandinavinë me Italinë përmes Gjermanisë.
Pasi të vihet në funksion, ai do të lejojë kalimin e 68 trenave të mallrave në ditë përmes ngushticës, ndërsa 30 trena të tjerë do të devijohen nga porti i Travemundes drejt jugut, në drejtim të Italisë.
Për Italinë, e cila eksporton dhe importon sasi të mëdha mallrash me hekurudhë përmes Gjermanisë, kjo do të thotë rritje e ndjeshme e kapaciteteve transportuese dhe ulje e kohës së tranzitit në një nga korridoret më strategjike të tregtisë europiane. Pra, bëhet fjalë për një tunel nën det, por me ndikim ekonomik dhe logjistik që shtrihet nga Deti Baltik deri në hapësirën mesdhetare.
Disa përfundime kryesore lidhur me ndikimet e këtij projekti dhe në përgjithësi të investimeve strategjike në fushën e transportit, tregtisë, turizmit, etj.
– Përshpejtimi i transportit dhe i tregtisë, tuneli do të shkurtojë ndjeshëm kohën e udhëtimit midis Danimarkës dhe Gjermanisë, mallrat do të transportohen më shpejt dhe me kosto më të ulët duke rritur efikasitetin e zinxhirëve të furnizimit në Europën Veriore.
– Forcimi i integrimit ekonomik europian, lidhja do të përmirësojë korridorin transportues midis Skandinavisë dhe Europës Qendrore nga ku pritet të rriten shkëmbimet tregtare dhe investimet ndërkufitare.
– Rritja e konkurrueshmërisë së rajonit, bizneset do të përfitojnë nga qasja më e shpejtë në tregje dhe porte, rajonet përreth tunelit mund të tërheqin investime të reja industriale dhe logjistike.
– Zhvillimi i turizmit, udhëtimet më të shpejta do të lehtësojnë lëvizjen e turistëve midis vendeve nordike dhe pjesës tjetër europiane, kjo do të sjellë të ardhura shtesë për sektorin e turizmit dhe shërbimeve.
– Përfitime për tregun e punës, projekti ka krijuar vende pune duke nisur që prej fazës së ndërtimit, dhe pas përfundimit mund të rritet lëvizshmëria e punëtorëve dhe bashkëpunimi ekonomik ndërmjet rajoneve.
– Ndikimi mjedisor afatgjatë, kalimi i një pjese të trafikut nga tragetet dhe rrugët drejt hekurudhës mund të ulë emetimet e CO₂ për njësi transporti, proces që mbështet objektivat e BE-së për transport më të qëndrueshëm.







