Detaje të reja janë zbardhur nga vrasja e 20-vjeçarit Johan Zuko, ngjarje e ndodhur pasditen e kësaj të shtune në lagjen nr. 14 në Korçë.
Sipas raportimeve, viktima dhe autori i dyshuar kanë qenë shokë dhe janë rritur bashkë. Ende nuk dihet motivi që ka çuar në përplasjen mes dy të rinjve, të cilët njiheshin prej vitesh.
Autori i dyshuar është identifikuar nga Policia dhe rezulton të ketë precedentë penalë. Sipas të dhënave paraprake, ai është përfshirë më herët në ngjarje të lidhura me armëmbajtjen pa leje dhe plagosjen.
Mësohet se 20-vjeçari i cili ishte dhe pjese e Forcave te Armatosura është ndjekur nga autori në rrugët e lagjes dhe ka tentuar t’i shpëtojë duke u futur në një pallat. Megjithatë, autori dyshohet se e ka ndjekur dhe e ka qëlluar me armë zjarri brenda godinës.
Pas ngjarjes, Policia ka ngritur postblloqe në disa zona të Korçës dhe vijon kontrollet për kapjen e autorit të dyshuar. Ndërkohë, grupi hetimor po sekuestron kamerat e sigurisë në zonën ku ndodhi krimi, të cilat pritet të ndihmojnë në përcaktimin e lëvizjeve të viktimës dhe autorit dhe në dokumentimin e plotë të ngjarjes.
Hetimet vijojnë për të zbardhur motivin dhe dinamikën e plotë të vrasjes.







