HomeAktualitetReportazh mes tymit dhe dhimbjes -Runja e Lurës veshi një fustan tjetër...

Reportazh mes tymit dhe dhimbjes -Runja e Lurës veshi një fustan tjetër tani( Pjesë e Parkut Kombëtar Lurë- Mali i Dejës) nga Hamdi Hoti

Advertismentspot_img

nga Hamdi Hoti

Reportazh mes tymit dhe dhimbjes.
Runja veshi një fustan tjetër tani.
Nuk është më ai fustani i gjelbër me të cilin e njihnim. Flakët ia kanë ndërruar ngjyrën. Tymi i është ulur mbi supe dhe hiri i është bërë petal. Që prej 11 gushtit, ajo dergjet nën plagët e zjarrit.
Si dy zonja janë rritur këto dy motra: Kurora e Lurës dhe Runja. Më të mëdha se motrat e tjera, Bakullina dhe Kësula. Të gjitha kanë një nënë: Lurën.
Dhe sot, nëna e tyre qan.
Sot është dita e gjashtë që sytë e saj janë të përlotur. Kurora është ulur dhe qan për Runjën, motrën e saj që digjet nën flakë. Por lotët e saj nuk kanë shkuar kot. Ajo i ka mbledhur në barkun e saj dhe, prej këtyre lotëve, u mbushën helikopterët që luftojnë zjarrin. Prej tyre morën ujë edhe engjëjt që prej ditësh fluturojnë mbi trupin e plagosur të Runjës.
Nën çatinë e tyre sot janë vëllezërit e mi.
Flokët e tyre mbajnë erën e Lurës. Jo atë erën e pastër të malit, që të mbush mushkëritë dhe të sjell aromën e pyllit, por erën e djegies; erën e drurëve që po kthehen në hi, erën e trupit të Runjës që dergjet nën zjarrin e mallkuar.
Runja ishte e rrethuar nga bijtë dhe bijat e saj.
Si një gardian shtatlartë qëndronte i madhi i saj, Rrobulli, me trup kreshniku. Mjekra e tij ishte pjekur nga vitet dhe era e malit. Pranë tij ishin të tjerët, ata që dikur e mbulonin Runjën me gjelbërimin e tyre.
Por Zoti kishte qenë bujar me të. I kishte dhënë edhe fëmijë të tjerë.
Ishte ahu i ri, që rritej çdo ditë, duke u matur me sivëllanë e tij të Kurorës.
Ishte panja e malit, që me degët e saj mbulonte si me një fustan të gjelbër të vegjlit poshtë saj.
Ishin luleshtrydhet dhe manaferrat, të fshehura mes gjelbërimit.
Ishte dëllinja, ishte çaji i malit, ishin lulet që i jepnin Runjës ngjyrë, aromë dhe jetë.
— Do të të mbështjell rreth e rrotull, që të flesh ngrohtë — i thoshin ato. — Me dëllinjën, panjën, çajin e malit dhe lulet. Do të të zbukuroj edhe më shumë.
— Do të vendos mbi kokën tënde edhe lulen e zonjës, me petalet e bardha dhe zemrën e verdhë në mes. Do të të stolis me aguliçet, kokulur, me atë zemër të artë që duket sikur ruan një pikë dielli.
Por sot Runja ka veshur një fustan tjetër.
Pastaj, sikur zëri i saj të vinte nga thellësia e tymit, ajo pëshpëriti:
— Mos qaj, bijë. Të lutem, më jep pak ujë nga lotët e motrës time, Kurorës time. Buzët m’i ka djegur zjarri. Engjëjt e mi do t’i ruaj në shpirt. Dhe nga hiri… do të mbij përsëri.
Nuk e di nëse ishte zëri i Runjës apo zëri i vetë Lurës.
Por e dëgjova.
E dëgjuan edhe ata që kishin fjetur nën tym.
Vëllezërit e mi kanë fjetur këto net me erën e zjarrit mbi kokë. Sytë u janë skuqur nga tymi dhe pagjumësia. Por nuk kanë qëndruar larg flakëve. Kanë luftuar me to. Kanë hyrë atje ku zjarri afrohej, janë kthyer kur flaka i ka detyruar të tërhiqen dhe janë kthyer përsëri.
Flakët kanë triumfuar në shumë vende.
Por nuk kanë shfarosur gjithçka.
Sepse në mes të hirit ende ka jetë.
Ka drurë që qëndrojnë.
Ka rrënjë që presin shiun.
Ka fara që nuk kanë vdekur.
Dhe ka njerëz që nuk janë dorëzuar.
Dhimbja e Runjës ka ndezur shpirtin e çdo Lurjani. Ka plagosur shpirtin e çdo dashamiri të saj. Kudo ku ndodhet sot një njeri që e njeh Lurën, ndihet i brengosur.
Në Romë apo Milano.
Në Kanada apo SHBA.
Në ishull apo në tokë.
Ata janë larg me trup, por aty me zemër e shpirt.
Të gjithë pyesin të njëjtën gjë:
A po fiket zjarri i mallkuar?
Sepse Lura nuk u përket vetëm atyre që kanë lindur aty.
LURA u përket të gjithëve.
Aty ka kujtime e mbresa, mund e kontribute, dashuri dhe simpati të njerëzve që kanë kaluar nëpër të, kanë pirë ujin e saj të kristaltë, kanë marrë frymë me ajrin e saj dhe kanë parë atë bukuri që sot po lufton për të mbijetuar.
Në këtë betejë janë njerëzit e terrenit, ato që luftojnë me flakët.
Por ajo që të jep shpresë është prania e brezit të ri.
Erjon, Klevis, Aldi, Blerim dhe Jurgen Kaci, e shumë të tjerë, janë aty, atje ku flakët vazhdojnë edhe sot.
Janë aty ku dikur gjelbëronte pylli dhe tani tymi të vret sytë.
Por një mirënjohje të veçantë ua detyrohemi forcave të ushtrisë dhe pilotëve, që prej ditësh fluturojnë nga Kurora në Runjë, nën vapën e kësaj vere të flakët dhe mbi flakët e zjarrit.
Helikopterët ngrihen.
Marrin ujë.
Kthehen mbi Runjë.
E hedhin mbi zjarr.
Dhe përsëri ngrihen.
Sikur edhe ata të kenë kuptuar se nuk po luftojnë vetëm me një zjarr.
Po luftojnë për një kujtim.
Për një pyll.
Për një pjesë të Lurës.
Për Runjën.
Faleminderit çdo individi me detyrë shtetërore apo çdo dashamiri që derdhi djersën e tij për të shpëtuar qoftë edhe një fidan të vetëm.
Faleminderit, zjarrfikës, që latë djersën dhe sakrificën në betejë me zjarrin!
Sot është koha të kontribuojmë për të dalë nga kjo situatë.
Sot është koha të mbrojmë atë që ende mund të shpëtohet.
Sepse Runja ende nuk ka vdekur.
Mes tymit dhe hirit, ajo ende pret.
Pret shiun.
Pret lotët e Kurorës.
Pret njerëzit e saj.
Dhe, kur zjarri të shuhet, ndoshta një ditë do ta heqë atë fustan të zi që ia veshi zjarri dhe do të veshë përsëri fustanin e saj të gjelbër.
Atë që kishte para 11 gushtit.
Atë që i ka hije Lurës dhe Runjës.
Hamdi Hoti
16 gusht 2026

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular