Shtatë persona mësohet të kenë mbetur të plagosur nga flakët që përfshinë një nga hotelet në zonën e Lungomares, prej të cilëve pesë prej tyre mësohet se janë nisur me urgjencë drejt Tiranës. Ndërsa një vajzë raportohet se ndodhet në gjendje të rëndë, pasi ka pësuar djegie në pjesën më të madhe të trupit. Ngjarja e rëndë mësohet se ka ndodhur në hotelin “Brooklyn” që ndodhet në Lungomare.
Burime për mediat bëjnë me dije se dy të plagosur janë transportuar drejt Tiranës për të marrë mjekim më të specializuar, ndërsa katër të tjerë raportohet se janë nënshtruar ndërhyrjeve kirurgjikale. Paraprakisht mësohet se personat e dëmtuar janë gjashtë shtetas të moshave 25-30 vjeç nga Kosova dhe një shtetas nga Rrësheni.
Nga personat e dëmtuar në zjarrin që përfshiu hotelin në Lungomare të Vlorës, gjashtë kanë marrë ndihmë mjekësore në spitalin e Vlorës, nga të cilët pesë prej tyre janë dërguar për trajtim më të specializuar në Tiranë.
Ndërsa tre personat që janë prekur nga flakët, ndodhen aktualisht në departamentin e djegieve në QSUT-së. Njëri prej tyre raportohet se po trajtohet në repartin e Kirurgjisë së Spitalit të Vlorës. Ndërsa dy persona kanë pësuar fraktura pasi u hodhën nga hoteli për t’ju shpëtuar flakëve.
Si pasojë e ngjarjes së rëndë raportohet se një vajzë ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore, pasi thuhet se ka pësuar djegie pothuajse 100% të sipërfaqes së trupit.
“Ishte situatë shumë emergjente, ishin 6 pacientë të dëmtuar nga ekspozimi. Ishin në katin e dytë. 3 ishin të djegur rëndë dhe 2 ishin hedhur nga kati i dytë, kishin pësuar fraktura të kolonës. Dy prej tyre i nisëm në qendrën e Traumës sepse s’kishin djegie dhe 3 në repartin e djegieve. Patëm lajmërim të të gjithë ekipit, ishin të gjithë në gatishmëri. Kanë mbërritur rreth orës 4 e gjysmë. Një paciente që rrezikon jetën ishte djegur pothuajse 100%, një 50%. Ishin mosha të reja, 25-30 vjeç. Ishin nga Prishtina, Lipjani dhe njëri pacient nga Rrësheni”, është shprehur shefi i Reanimacionit në Spitalin e Vlorës, Edmond Breshanaj.







