Gjashtë vende anëtare të Bashkimit Evropian kanë kërkuar vendosjen e një takse në nivel evropian mbi fitimet e jashtëzakonshme të kompanive të naftës, në një kohë kur këto kompani po përballen me rritje të ndjeshme të fitimeve pas përshkallëzimit të luftës në Lindjen e Mesme.
Kërkesa është bërë përmes një letre të përbashkët, të parë nga agjencia e lajmeve AFP të shtunën, më 22 gusht. Dokumenti është nënshkruar nga ministrat e Financave të Gjermanisë, Italisë, Austrisë, Polonisë dhe Portugalisë, së bashku me ministrin spanjoll të Ekonomisë.
Letra i është dërguar ministrit të Financave të Irlandës, vendi që aktualisht mban presidencën e radhës të Bashkimit Evropian.
Sipas informacioneve të publikuara nga AFP, iniciativa është ndërmarrë fillimisht nga ministri gjerman i Financave, Lars Klingbeil. Ministrat nënshkrues kanë kërkuar që çështja e një takse mbi fitimet e jashtëzakonshme të kompanive të naftës të përfshihet në rendin e ditës së një takimi të ministrave të Financave të BE-së, që pritet të zhvillohet në Dublin muajin e ardhshëm.
Në letrën e përbashkët, ministrat argumentojnë se kompanitë e naftës po përfitojnë nga një situatë e jashtëzakonshme në tregjet energjetike.
“Kompanitë e naftës po gëzojnë një përfitueshmëri të përgjithshme dhe marzhe mbi produktet e rafinuara që tejkalojnë rritjen e çmimeve të naftës bruto”, thuhet në dokument, sipas AFP.







