HomeAktualitetFermeri shqiptar prodhon speca të kuq me helme, Kroacia gropos 14.7 tonë

Fermeri shqiptar prodhon speca të kuq me helme, Kroacia gropos 14.7 tonë

Advertismentspot_img

Kroacia ka asgjësuar 147 kuintalë, ose 14 tonë e 700 kilogramë, speca të kuq me origjinë nga Fieri.

Vendimi për groposjen e produktit shqiptar erdhi pas rezultateve të analizave, të cilat treguan se specat e kuq kishin ngarkesë të lartë me fungicidin proquinazid, në një nivel prej 0.050 mg/kg.

Sipas të dhënave të sistemit RASFF, prodhimi shqiptar rezultoi i ngarkuar me lëndën aktive proquinazid, ndërkohë që për këtë substancë niveli i lejuar i pranisë në speca është zero.

Proquinazidi, sipas listës së produkteve për mbrojtjen e bimëve të miratuara nga Ministria e Bujqësisë, tregtohet në Shqipëri me emrin Talendo, me vlefshmëri regjistrimi dhe tregtimi deri në fund të vitit 2028.

Burime për gazetaren Rudina Muça nga Top Channel bëjnë me dije se proquinazidi nuk është i ndaluar për t’u shitur, por përdorimi i tij në mënyrë kategorike nuk lejohet në perime. Lënda aktive proquinazid është e autorizuar për përdorim në kulturat e rrushit, për luftimin e sëmundjeve kërpudhore, veçanërisht të mykut pluhur.

Prania e kësaj substance në specat e kuq ngre dyshime të forta se fermeri shqiptar e ka përdorur një preparat të destinuar për vreshtat në kultivimin e perimeve.

Fermeri, por edhe specialistët apo agronomët që këshillojnë përdorimin e produkteve për mbrojtjen e bimëve, mund të kenë aplikuar një preparat të papërshtatshëm në kulturën e specit. Në përpjekje për të mbrojtur prodhimin dhe për të kapur në kohë tregun, përdorimi i një produkti të gabuar mund të ketë sjellë mbetje të larta të pesticidit në produktin final.

Por kjo nuk është hera e parë që specat shqiptarë përfundojnë në qendër të alarmit të autoriteteve kroate.

Pothuajse e njëjta histori është përsëritur më 7 shtator, kur një sasi tjetër specash me origjinë nga Shqipëria është asgjësuar pasi analizat zbuluan nivel të lartë të pesticidit acetamiprid.

Këtë herë, prodhimi shqiptar kishte kaluar përmes një tregtari maqedonas, i cili, pasi kishte blerë specat nga fermeri shqiptar, tentoi t’i rieksportonte drejt Kroacisë. Sipas informacionit të disponueshëm, tregtari nuk ishte në dijeni të nivelit të pesticideve në produkt.

Ishin kontrollorët e ushqimit në Kroaci ata që zbuluan praninë e lartë të acetamipridit në speca. Si pasojë, autoritetet vendosën që produkti të asgjësohej menjëherë në territorin kroat.

Dy raste të tilla brenda një periudhe të shkurtër ngrenë pikëpyetje serioze për kontrollin e përdorimit të pesticideve në fermat shqiptare dhe për mënyrën se si produktet bujqësore kontrollohen përpara se të dalin në treg apo të eksportohen.

Veprime të tilla duhet të parandalohen në kohë nga strukturat përgjegjëse për kontrollin e ushqimit dhe sigurinë ushqimore. Inspektorët duhet të garantojnë që në fermat shqiptare të prodhohen produkte të sigurta dhe cilësore, në përputhje me normat e përdorimit të produkteve për mbrojtjen e bimëve, dhe jo produkte me mbetje pesticidesh që mund të përbëjnë rrezik për konsumatorët.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular