nga Mark Rupa
Në vitin 1921, Rose Wilder Lane shkoi për vizitë në shtëpinë e Sadri Lukës, në Okol të Thethit. Sadriu, që Lane e përshkruan si burrë në moshë të mesme dhe si një nga njerëzit ma të pasur të pesë bajraqeve, kishte në odë edhe burra të tjerë të krahinës, që kishin ardhë me taku e me nderu mysafirët amerikanë.
Mes tyne ishte edhe një kryeplak i moshuem. Biseda nisi me një kangë të vjetër. Kur Rose tha se tregimi i kësaj kange i kujtonte një histori greke, plaku iu përgjigj me ironi se ishte greke “aq sa asht grek Lec i Madhe.” Rose pyeti kush ishte Lec i Madhe dhe ia shpjeguen se bëhej fjalë për Aleksandrin e Madh.
Kur biseda u kthye te Leci i Madh, plaku nisi me renditë mbretërit që njihte. Rose i hodhi emrat në fletoren e saj si ma poshtë:
1. Karanna
2. Cenua
3. Trimi
4. Perdika
5. Argua
6. Filip
7. Ajeropi
8. Alqeti
9. Aminti
10. Lec
11. Perdika i dytë
12. Arqelloja
13. Oresti
14. Arqelloja i dytë
15. Arminti i dytë
16. Pafsania
17. Arminti i tretë
18. Lec i dytë
19. Ptolemeoja
20. Perdika i tretë
21. Arminti i katërt
22. Filipi i dytë
23. Lec i Madhe
24. Filipi i tretë
Pra, deri te Leci i Madh ai rendit 23 emra; pastaj nis me Filipin III, por tregimi ndërpritet, sepse vizitorët duan me dëgju ma shumë për Aleksandrin. Kjo nuk asht një pemë e pastër me 24 breza babë-bir, por një varg mbretërish e sundimtarësh, siç ishte përcjellë nga tradita deri te kujtesa e plakut.
Sot ne mund t’i krahasojmë këta emra me burimet e lashta. Dhe këtu nis kureshtja e vërtetë. Lexoni si vijon:
Karanna – Caranus/Karanos
Cenua – Coenus/Koinos
Trimi – Tyrimias
Perdika – Perdiccas
Argua – Argaeus
Filip – Philippus
Ajeropi – Aeropus
Alqeti – Alcetas
Aminti – Amyntas
Lec – Alexander
Arqelloja – Archelaus
Oresti – Orestes
Pafsania – Pausanias
Ptolemeoja – Ptolemy
Te Herodoti, në shekullin V para Krishtit, gjejmë vargun: Perdiccas – Argaeus – Philip – Aeropus – Alcetas – Amyntas – Alexander, pothuajse fjalë për fjalë me Perdika – Argua – Filip – Ajeropi – Alqeti – Aminti – Lec, të rrëfyem nga plaku i Thethit.
Shumë interesant asht krahasimi me kronikën e Eusebiut. Ajo nis me: Caranus – Coenus – Tyrimias – Perdiccas – Argaeus – Philippus – Aeropus – Alcetas – Amyntas – Alexander – Perdiccas – Archelaus – Orestes – Archelaus – Amyntas – Pausanias – Amyntas… Pra, 17 emrat e parë dalin në të njëjtin rend bazë me atë që Lane dëgjoi nga plaku i Thethit.
Plaku thoshte se këto dije vinin prej etërve, gjyshërve dhe kangëve të vjetra, të përcjella brez pas brezi. Ai i foli edhe për qytetin e lashtë të Emadhisë, kryeqyteti i mbretërisë së bashkuar. Një vit pas takimit, në vitin 1922, Rose shkoi vetë në Mat e Bulqizë për me pa vendet që plaku i kishte lidhë me Emadhinë, Filipin II dhe Lecin e Madh.
Sot, bashkë me këta emra, na ngacmon edhe një pyetje:
Si kishte mbërritë në odën e një shtëpie të Thethit, në vitin 1921, një varg kaq i gjatë emrash mbretërorë?
Ndoshta përgjigjja gjendet ende diku mes historive të papërfundueme, kangës dhe kujtesës së maleve.
Referenca:
Rose Wilder Lane, Peaks of Shala (1923), kap. X; Herodotus, Histories, VIII.137–139;
Eusebius of Caesarea, Chronicon, Libri I







