Futbolli italian ka humbur një nga figurat e tij më të mëdha. Sandro Mazzola, legjenda e Interit dhe e kombëtares së Italisë, është ndarë nga jeta në moshën 83-vjeçare, pas një beteje të gjatë me sëmundjen.
Klubi zikaltër e përshëndeti me një mesazh prekës, duke e cilësuar si “një nga futbollistët më të mëdhenj të historisë”, ndërsa kujtoi karrierën e jashtëzakonshme të njeriut që u bë simbol i “Grande Inter”.
Mazzola ishte fytyra e artë e Interit të viteve ’60. Me fanellën zikaltër fitoi katër tituj kampionë në Serie A, dy Kupa të Kampionëve dhe dy Kupa Ndërkontinentale. Në vitin 1965 u shpall golashënuesi më i mirë i kampionatit italian, ndërsa në vitin 1971 përfundoi i dyti në garën për Topin e Artë, vetëm pas Johan Cruyff.
Ai nuk ishte thjesht një sulmues. Ishte futbollisti që magjepste stadiumet me driblime të pazakonta, kontroll të rrallë të topit dhe një stil që e bënte të dallueshëm edhe pa emrin në fanellë. Në Budapest, kundër Vasasit, kaloi mbrojtësit dhe portierin përpara se ta shtynte topin në rrjetë, ndërsa me kombëtaren italiane dhuroi momente që mbetën pjesë e historisë së futbollit.
Mbiemri Mazzola ishte një trashëgimi e rëndë. Djali i Valentino Mazzolës, kapitenit legjendar të “Torinos së Madh”, u rrit nën hijen e një emri që dukej i paarritshëm. Madje, për një periudhë mendoi të linte futbollin për basketbollin, derisa vendosi të qëndronte besnik Interit – klubit ku do të kalonte të gjithë karrierën si lojtar.
Edhe kur Juventusi tentoi ta bindte në fund të karrierës, ai nuk pranoi të vishte fanellën bardhezi. Për Mazzolën, Interi nuk ishte thjesht një klub, por identitet.
Pas tërheqjes nga futbolli, ai vijoi të kontribuonte si drejtues i klubit dhe më pas si komentator sportiv, duke ruajtur gjithmonë lidhjen me botën që e kishte bërë legjendë. Ishte gjithashtu ndër njerëzit që besuan herët te talente si Andrea Pirlo dhe pati rol në afrimin e Ronaldos brazilian te Interi.
Në muajt e fundit të jetës vazhdonte të ishte pranë ish-shokëve të skuadrës dhe tifozëve, duke ndjekur me krenari rrugëtimin e Interit.
Me largimin e Sandro Mazzolës mbyllet një tjetër kapitull i artë i futbollit italian, por emri i “Mustaqes” do të mbetet përgjithmonë i gdhendur në historinë e Interit dhe të sportit botëror.







