“Denoncimi është bërë plotësisht me qëllim për të dëmtuar reputacionin tim”
Detajet e dëshmisë së aktores turke Melis Sezen, e cila u ndalua në kuadër të një hetimi për drogë dhe më pas u la e lirë, janë bërë publike.
Gjatë dëshmisë së saj në polici, Sezen i mohoi kategorikisht akuzat, duke deklaruar se nuk ka përdorur apo shpërndarë lëndë narkotike. Ajo tha gjithashtu se të ardhurat e saj mesatare mujore janë rreth 400 mijë lira turke apo rreth 7 mijë euro.
Aktorja deklaroi se nuk ka pasur kontakte me persona të përfshirë në shitjen e drogës dhe se nuk ka ndërmjetësuar apo transferuar para për aktivitete të tilla. Sipas saj, jeta e saj jashtë punës është e qetë dhe ajo pothuajse nuk ka jetë nate.
Sezen e cilësoi denoncimin ndaj saj si të pabazuar dhe tha se nuk ekziston asnjë provë konkrete që e lidh me përdorimin e drogës. Ajo u shpreh e gatshme t’u nënshtrohet analizave të gjakut dhe flokëve, duke theksuar se është e bindur se rezultatet do të jenë negative.
“Gjatë gjithë jetës sime nuk kam përdorur drogë dhe nuk i kam ofruar askujt. Nuk ka asnjë provë konkrete që mbështet denoncimin ndaj meje”, deklaroi aktorja.
Sa i përket motivit të denoncimit, Sezen tha se ai ishte bërë me synimin për të dëmtuar reputacionin e saj. Ajo tregoi se prej vitesh jeton me nënën dhe vëllain dhe se bën një jetë të rregullt, larg çdo lidhjeje me drogën.
“Një denoncim i tillë ndaj dikujt që nuk ka asnjë lidhje me drogën është bërë plotësisht me qëllim për të dëmtuar reputacionin tim”, u shpreh ajo.
Aktualisht, Melis Sezen është pjesë e kastit të serialit “Gjeniu” i cili po transmetohet ne Tv Klan, ku interpreton një nga personazhet kryesore.







