Pavarësisht rritjes së vazhdueshme të primeve në vitet e fundit, tregu shqiptar i sigurimeve mbetet ende një nga segmentet më pak të zhvilluara të sektorit financiar. Sigurimi vijon të shihet më shumë si një detyrim që duhet përmbushur, veçanërisht në produktet motorike, sesa si një mjet për mbrojtjen e pasurisë, shëndetit apo aktivitetit të biznesit.
Sfida e industrisë tashmë nuk është vetëm rritja e volumit të tregut, por ndryshimi i mënyrës se si shqiptarët e perceptojnë sigurimin.
Kalimi nga një kulturë e “blerjes së policës” vetëm kur kërkohet nga ligji, drejt një qasjeje ku sigurimi shihet si menaxhim i riskut, kërkon më shumë besim, edukim financiar dhe produkte që lidhen me nevojat reale të klientëve.
Klaidi Çitozi, Drejtor i Përgjithshëm i SIGMA Vienna Insurance Group, thotë se tregu do të matet më shumë nga rritja e penetrimit të sigurimeve dhe zhvillimi i produkteve vullnetare sesa vetëm nga rritja nominale e primeve.
Sipas tij, potenciali më i madh qëndron te sigurimet e shëndetit, pronës, KASKO-s, përgjegjësive dhe mbulimeve për bizneset, por për këtë nevojiten produkte më të kuptueshme dhe një marrëdhënie më e afërt me klientin.
Si do ta vlerësonit ecurinë e SIGMA-s në vitin 2025 dhe në pjesën e deritanishme të vitit 2026? Cilët kanë qenë segmentet me ecurinë më të mirë dhe cilat sfidat kryesore?
Viti 2025 ishte një vit pozitiv për SIGMA Vienna Insurance Group, si në drejtim të zhvillimit të portofolit, ashtu edhe në konsolidimin e mëtejshëm të pozicionit tonë në treg. Kemi vijuar të rritemi në mënyrë të qëndrueshme, duke ruajtur njëkohësisht disiplinën teknike, cilësinë e portofolit dhe fokusin e pandryshuar te shërbimi ndaj klientit.
Konkretisht, gjatë vitit 2025, të ardhurat nga primet u rritën me 11%, ndërsa kompania ruajti një peshë prej rreth 13% të totalit të tregut. Kjo performancë u reflektua edhe në rezultatet financiare, me një fitim prej rreth 3.5 milionë eurosh, duke konfirmuar një zhvillim të shëndetshëm dhe të qëndrueshëm të aktivitetit.
Ecuri pozitive kemi evidentuar në disa segmente strategjike, përfshirë sigurimet motorike, sigurimin e pronës dhe sigurimet e shëndetit. Përtej volumit të primeve, për ne është po aq e rëndësishme cilësia e rritjes: një portofol i diversifikuar, tarifimi i duhur i riskut dhe një proces sa më efikas i trajtimit të dëmeve.
Gjatë vitit 2026 po vijojmë në të njëjtën linjë, ndërkohë që po investojmë më tej në digjitalizim dhe në përmirësimin e eksperiencës së klientit. Po konsolidojmë gjithashtu një klientelë gjithnjë e më besnike, e cila na zgjedh jo vetëm për produktin apo çmimin, por për korrektësinë në trajtimin e dëmeve, sigurinë dhe stabilitetin që ofrojmë.
Për ne, ky besim është një kapital shumë i rëndësishëm dhe baza mbi të cilën vazhdojmë të ndërtojmë partneritete të qëndrueshme me klientët, bizneset dhe partnerët tanë, me një perspektivë afatgjatë.
Sfida kryesore mbetet njëkohësisht edhe sfida e gjithë tregut shqiptar: zgjerimi i sigurimeve përtej produkteve të detyrueshme dhe krijimi i një kulture ku sigurimi perceptohet si instrument i menaxhimit të riskut dhe jo thjesht si një detyrim.
Cilat janë pritshmëritë tuaja për tregun e sigurimeve dhe për performancën e kompanisë gjatë pjesës së mbetur të vitit 2026 dhe në periudhën afatmesme?
Jemi pozitivë për perspektivën afatmesme të tregut, por mendoj se duhet të shohim përtej rritjes nominale të primeve. Treguesi real i maturimit të tregut do të jetë rritja e penetrimit të sigurimeve dhe, në veçanti, zhvillimi i produkteve vullnetare.
Për SIGMA VIG, objektivi është një rritje e qëndrueshme dhe cilësore. Ne shohim potencial të veçantë te sigurimet e shëndetit, pronës, KASKO-s, përgjegjësive dhe mbulimeve për biznesin.
Paralelisht, teknologjia do të ketë rol gjithnjë e më të rëndësishëm. Klienti i sotëm kërkon akses të menjëhershëm, procese të thjeshta dhe transparencë.
Prandaj investimi ynë nuk është vetëm në produkte të reja, por në të gjithë eksperiencën e sigurimit, nga informimi i klientit dhe blerja e policës së sigurimit, deri tek administrimi dhe pagesa e dëmit.
Pavarësisht rritjes së primeve, pesha e tregut të sigurimeve në ekonomi mbetet shumë e ulët krahasuar me vendet e rajonit dhe të Europës. Cilat janë, sipas jush, arsyet kryesore që pengojnë një depërtim më të madh të sigurimeve në Shqipëri?
Nuk mendoj se ekziston një arsye e vetme. Është rezultat i disa faktorëve që janë zhvilluar ndër vite.
Së pari, kultura e sigurimit në Shqipëri vazhdon të jetë relativisht e orientuar drejt produkteve që kërkohen me ligj. Së dyti, një pjesë e familjeve dhe bizneseve vazhdojnë ta shohin sigurimin si një kosto dhe jo si një mekanizëm për transferimin e riskut.
Fuqia blerëse është gjithashtu një faktor, por jo i vetmi. Ka tregje me nivele të krahasueshme të të ardhurave që kanë penetrim më të lartë të sigurimeve. Kjo tregon se edukimi financiar, besimi, cilësia e produkteve, shpërndarja dhe eksperienca e klientit kanë një rol po aq të rëndësishëm.
Në këtë drejtim, industria ka edhe vetë një përgjegjësi: duhet të flasim më thjeshtë për sigurimet, të ndërtojmë produkte që adresojnë nevoja konkrete dhe, mbi të gjitha, të demonstrojmë vlerën e sigurimit pikërisht në momentin kur klienti ka nevojë për të, në momentin e dëmit.
Në tregun shqiptar kanë hyrë prej vitesh edhe grupe të mëdha të huaja, por kjo nuk është përkthyer në një diversifikim të fortë të produkteve apo në një rritje të ndjeshme të sigurimeve vullnetare. Si e shpjegoni këtë?
Prania e grupeve ndërkombëtare është shumë e rëndësishme, sepse sjell kapital, know-how, standarde të qeverisjes, ekspertizë teknike, si dhe akses në praktikat e tregjeve më të zhvilluara.
Megjithatë, një produkt sigurimi nuk mund të transferohet mekanikisht nga një treg europian në Shqipëri. Ai duhet të ketë një bazë ekonomike, një nevojë të identifikueshme dhe një nivel kërkese që e bën të qëndrueshëm.
Prandaj, problemi nuk është mungesa e produkteve në vetvete. Sfida është krijimi i një ekosistemi ku konsumatori e kupton riskun, e percepton sigurimin si të vlefshëm dhe ka mundësi ekonomike për ta blerë atë.
Avantazhi ynë si pjesë e Vienna Insurance Group është pikërisht mundësia për të marrë eksperiencën e një grupi të madh europian dhe për ta përshtatur atë me karakteristikat e tregut shqiptar. Edhe pse Shqipëria nuk është ende pjesë e Bashkimit Europian, SIGMA VIG ka zgjedhur të operojë sot sipas standardeve që karakterizojnë tregjet europiane.
Në linjë me kërkesat dhe praktikat e Grupit, zbatojmë standardet IFRS 17, parimet e Solvency II dhe vlerësimin e riskut sipas praktikës ORSA (Own Risk and Solvency Assessment). Kjo disiplinë rrit cilësinë e qeverisjes, transparencën, menaxhimin e riskut dhe qëndrueshmërinë financiare të kompanisë.
Në këtë kuptim, ne synojmë të jemi në pararojë të tregut dhe, përmes standardeve që aplikojmë, të kontribuojmë edhe në zhvillimin e mëtejshëm të tij.
Tregu vazhdon të mbështetet në një masë të madhe te sigurimet e detyrueshme, veçanërisht ato motorike. Çfarë duhet të ndryshojë që sigurimet vullnetare të pronës, shëndetit, jetës apo të biznesit të fitojnë më shumë peshë?
Duhet një kombinim masash dhe jo një ndërhyrje e vetme.
Edukimi financiar është themelor. Por paralelisht duhen produkte më të kuptueshme, procese më të thjeshta, shpërndarje më e gjerë dhe një lidhje më e fortë midis sigurimit dhe nevojave reale të individëve dhe bizneseve.
Një familje që investon pjesën më të madhe të kursimeve në një banesë duhet të kuptojë se po mban një ekspozim financiar shumë të madh nëse ajo pronë nuk është e siguruar. E njëjta logjikë vlen për një biznes që ka investuar në ndërtesa, pajisje, inventar apo teknologji.
Edhe zhvillimi i bancassurance, kanaleve digjitale dhe partneriteteve të reja mund ta bëjë sigurimin shumë më të aksesueshëm. Mendoj se industria duhet gradualisht të evoluojë nga një qasje e fokusuar kryesisht te produkti dhe polica, drejt një marrëdhënieje më këshilluese, ku klienti ndihmohet të kuptojë ekspozimin e tij dhe të menaxhojë riskun në mënyrë më të plotë.
Ngjarjet ekstreme të motit, zjarret dhe përmbytjet po bëhen më të shpeshta dhe kostot ekonomike po rriten. Si po ndikojnë ndryshimet klimatike në vlerësimin e rrezikut, çmimin e primeve dhe ofertën e produkteve të sigurimit në Shqipëri?
Ndryshimet klimatike po ndryshojnë mënyrën se si industria globale e sigurimeve e vlerëson riskun dhe Shqipëria nuk mund të jetë jashtë këtij realiteti.
Frekuenca dhe intensiteti i ngjarjeve natyrore ndikojnë drejtpërdrejt në modelet e riskut, në kapacitetet e risigurimit dhe, në afat më të gjatë, edhe në çmimin e mbulimit.
Si pjesë e Vienna Insurance Group, ne kemi avantazhin e aksesit në ekspertizën dhe eksperiencën e një grupi që operon në shumë tregje dhe që e trajton riskun klimatik në nivel strategjik.
Por sigurimi është vetëm një pjesë e zgjidhjes. Duhet të flasim gjithnjë e më shumë edhe për parandalimin. Një treg modern sigurimesh nuk duhet vetëm të kompensojë dëmin pasi ai ndodh; duhet të kontribuojë në identifikimin, reduktimin dhe menaxhimin më të mirë të riskut.
Ky është një proces që kërkon bashkëpunim të ngushtë mes industrisë së sigurimeve, institucioneve shtetërore, autoritetit rregullator dhe aktorëve të tjerë të përfshirë, në mënyrë që parandalimi dhe rritja e qëndrueshmërisë të trajtohen si një përgjegjësi e përbashkët.
Si do ta vlerësonit draftin për sigurimin e detyrueshëm të banesave nga tërmetet dhe katastrofat natyrore? Cilët elemente mendoni se duhen përmirësuar përpara miratimit të tij?
Në parim, krijimi i një mekanizmi të qëndrueshëm për mbrojtjen financiare të banesave ndaj katastrofave natyrore është një hap i rëndësishëm për Shqipërinë. Tërmeti i vitit 2019 tregoi qartë jo vetëm dimensionin njerëzor të katastrofave, por edhe ekspozimin shumë të madh financiar të familjeve dhe të shtetit.
Pikërisht për këtë arsye, një skemë e tillë duhet të projektohet me shumë kujdes. Duhet të ketë qartësi të plotë mbi mbulimin, limitet, përjashtimet, mënyrën e përcaktimit të primit, vlerësimin dhe pagesën e dëmeve, si dhe raportin midis mekanizmit publik, kompanive të sigurimit dhe tregut të risigurimit.
Një hap pozitiv në këtë drejtim ishte Forumi Ndërkombëtar “Albanian Natural Catastrophe – Risk & Insurance Solutions”, i zhvilluar në Tiranë më 14 maj 2026 dhe i organizuar bashkërisht nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, AON Reinsurance dhe Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë.
Forumi solli në një tryezë përfaqësues të institucioneve publike, industrisë së sigurimeve dhe risigurimeve, si dhe ekspertë ndërkombëtarë nga AON dhe Hannover Re, së bashku me eksperienca nga modele të vendeve si Italia dhe Rumania.
Fakti që ky diskutim po mbështetet në ekspertizë ndërkombëtare dhe në modele të testuara në tregje të tjera është shumë i rëndësishëm për të ndërtuar një skemë të përshtatshme dhe të qëndrueshme për realitetin shqiptar.
Nga këndvështrimi ynë, është me rëndësi që eksperienca dhe infrastruktura ekzistuese e tregut të sigurimeve të shfrytëzohen maksimalisht. Kompanitë disponojnë ekspertizën, rrjetin, sistemet e administrimit të policave dhe dëmeve, si dhe marrëdhëniet me tregjet ndërkombëtare të risigurimit.
Në fund, objektivi nuk duhet të jetë thjesht krijimi i një detyrimi të ri, por ndërtimi i një mekanizmi funksional që, kur ndodh një katastrofë, i jep qytetarit mbrojtje reale dhe ekonomisë një nivel më të lartë qëndrueshmërie.
Cilat janë prioritetet dhe planet kryesore të SIGMA-s për vitet e ardhshme? Në cilat produkte, teknologji apo segmente të tregut synoni të zgjeroheni?
Prioriteti ynë mbetet klienti. Kjo mund të tingëllojë si një klishe, por për ne ka një kuptim shumë konkret: çdo investim në teknologji, produkte apo procese duhet të përkthehet në një eksperiencë më të mirë për klientin.
Do të vijojmë investimet në digjitalizim dhe automatizim, në kanalet online të shitjes dhe shërbimit, si dhe në përdorimin e teknologjisë për procese më të shpejta dhe më eficiente.
Nga pikëpamja e produkteve, shohim potencial të konsiderueshëm te sigurimet e shëndetit, pronës, KASKO, si dhe sigurimet e biznesit, duke ruajtur njëkohësisht pozicionin tonë në portofolat tradicionale.
Vienna Insurance Group na jep një avantazh të rëndësishëm në këtë proces: akses në ekspertizë ndërkombëtare, teknologji, modele të avancuara të riskut, praktika të testuara në tregje të ndryshme dhe shkëmbim të vazhdueshëm know-how.
Ambicia jonë është që teknologjia të mos jetë thjesht një projekt IT, por një instrument për ta bërë sigurimin më të thjeshtë, më transparent dhe më pranë klientit.
Paralelisht, po investojmë po aq seriozisht te njerëzit tanë. Mirëqenia e punonjësve dhe krijimi i një mjedisi ku ata mund të zhvillohen janë pjesë e rëndësishme e strategjisë sonë.
Një tjetër konfirmim i kësaj qasjeje është edhe vlerësimi si Best Place to Work për të dytin vit radhazi, një çmim që reflekton investimin tonë të vazhdueshëm në mirëqenien, zhvillimin dhe angazhimin e punonjësve.
Së shpejti SIGMA VIG do të zhvendoset në ambiente të reja pune, më komode, moderne dhe të konceptuara për të ofruar më shumë mundësi për bashkëpunim dhe një eksperiencë më të mirë të punës.
Po vijojmë gjithashtu me trajnime të vazhdueshme për zhvillimin profesional dhe personal, përfshirë programe lidershipi, si në Shqipëri me lektorë të certifikuar ndërkombëtarisht, ashtu edhe përmes programeve të zhvillimit në vende të ndryshme të Europës.
Besojmë se një kompani moderne nuk ndërtohet vetëm me produkte dhe teknologji, por mbi të gjitha me njerëz që rriten bashkë me të.
Pas ndryshimeve të fundit në strukturën e tregut dhe reduktimit të pranisë së grupeve të huaja, si e shihni rolin e Vienna Insurance Group dhe të SIGMA-s në zhvillimin e mëtejshëm të tregut shqiptar të sigurimeve?
Pas ndryshimeve të fundit në strukturën e tregut, Vienna Insurance Group është sot i vetmi grup i madh ndërkombëtar europian i sigurimeve me prani në Shqipëri. Për ne, ky nuk është vetëm një avantazh konkurrues, por edhe një përgjegjësi më e madhe për të kontribuar në modernizimin dhe zhvillimin e tregut shqiptar të sigurimeve.
VIG vazhdon njëkohësisht të zgjerohet dhe të forcojë pozicionin e tij në Europë. Sot Grupi përfshin më shumë se 50 kompani sigurimi dhe fonde pensioni në 30 vende, me rreth 34,000 punonjës dhe rreth 36 milionë klientë.
Vetëm në gjashtëmujorin e parë të vitit 2026, Grupi raportoi 9.0 miliardë euro prime të shkruara bruto, një rezultat para taksave prej 641.5 milionë euro dhe një nivel Solvency prej 272%, tregues që reflektojnë një pozicion shumë të fortë financiar dhe kapacitet të lartë për rritje afatgjatë.
Një nga zhvillimet më të rëndësishme të fundit ishte zgjerimi në Gjermani. Në maj 2026, Vienna Insurance Group përfundoi blerjen e NÜRNBERGER Beteiligungs-AG, transaksioni më i madh në historinë e Grupit, duke zotëruar 99.2% të kapitalit dhe të drejtave të votës. NÜRNBERGER sjell në Grup një markë të konsoliduar, rreth 2.6 milionë klientë dhe një prani të fortë në një nga tregjet më të mëdha të sigurimeve në Europë.
Edhe në Shqipëri, angazhimi afatgjatë i VIG është konkretizuar me zgjerimin në sigurimet e jetës dhe tashmë ka tre kompani sigurimi në tregun shqiptar, dhe mbulon një spektër më të gjerë të nevojave të klientëve individualë dhe të biznesit, nga sigurimet e jo-jetës te jeta dhe shëndeti.
Këto zhvillime tregojnë qartë se VIG e sheh Shqipërinë dhe rajonin në një perspektivë afatgjatë. Roli ynë nuk kufizohet vetëm te rritja e SIGMA VIG; ne duam të kontribuojmë në rritjen e standardeve, në inovacion, në edukimin financiar, në zhvillimin e sigurimeve vullnetare dhe në forcimin e besimit të publikut tek industria.
Objektivi është që, duke sjellë eksperiencën dhe fuqinë e një grupi europian, të ndihmojmë që tregu shqiptar të zhvillohet më shpejt dhe sigurimi të zërë gradualisht vendin që duhet të ketë në ekonominë dhe në jetën financiare të familjeve dhe bizneseve. marre nga Monitor.al







