HomeOP EDKosova: një Presidente me profil të fortë profesional dhe akademik/Nga Bujar Leskaj

Kosova: një Presidente me profil të fortë profesional dhe akademik/Nga Bujar Leskaj

Advertismentspot_img

Nga Bujar Leskaj

Duke i uruar Presidentes së porsazgjedhur të Kosovës Justina Shiroka-Pula suksese, gjykoj se zgjedhja e një presidenti në Kosovë nuk duhet të shihet vetëm si një zhvillim politik i momentit. Ai është një investim në cilësinë e institucioneve kosovare, në përfaqësimin ndërkombëtar të vendit dhe në modelin e zhvillimit që Kosova dëshiron të ndjekë.

Në këtë këndvështrim, një personalitet me një karrierë të gjatë akademike, institucionale dhe publike, krahas angazhimit politik, si zonja Shiroka-Pula, përfaqëson një profil që me siguri do t’i japë Presidencës së Kosovës një dimension më të fortë profesional, akademik dhe intelektual.

Shiroka-Pula është ekonomiste, profesoreshë universitare, ish-ministre, ish-deputete dhe drejtuese e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Kjo përvojë e shumëfishtë përbën një kapital institucional që duhet shfrytëzuar në dobi të vendit, në një periudhë kur Kosovës i nevojitet jo vetëm stabilitet politik, por edhe forcim i institucioneve, rritje ekonomike, integrim evropian dhe konsolidim i pozitës së saj ndërkombëtare.

Presidenti i Republikës është një figurë që komunikon me politikën, akademinë, biznesin, shoqërinë civile dhe partnerët ndërkombëtarë. Përvoja universitare e zonjës Shiroka-Pula do t’i japë Presidencës së Kosovës mundësi të promovojë më fuqishëm politikëbërjen e bazuar në dije, analiza dhe evidencë.

Jam i sigurtë se Presidentja e re do të dijë me mençuri dhe maturi të zbatojë mësimet dhe formulën e Presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova “Miqësi permanente me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Ajo do të mbrojë fort kauzën e katër martirëve të rinj të Kosovës, ish-drejtuesve kryesorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi të dënuar padrejtësisht nga Gjykata e Hagës.

Kosova ka nevojë për një diplomaci që nuk kufizohet vetëm tek çështjet politike dhe të sigurisë. Një Presidente me formim të lartë ekonomik, si zonja Shiroka Pula do të dijë ta përdorë pozitën e saj për të promovuar Kosovën si destinacion për investime, teknologji, inovacion, prodhim dhe shërbime.

Diplomacia ekonomike e Presidentes së re me siguri do të përfshijë tërheqjen e investimeve të huaja, promovimin e eksporteve të Kosovës, forcimin e marrëdhënieve ekonomike me Diasporën, bashkëpunimin me institucionet financiare ndërkombëtare dhe promovimin e grave në biznes. Kjo e kthen Presidencën në një platformë më aktive për zhvillimin ekonomik të vendit.

Një element veçanërisht interesant i profilit të Shiroka-Pulës është angazhimi akademik në kërkimet operacionale dhe përdorimin e metodave matematikore e statistikore në ekonomi. Kjo fushë lidhet drejtpërdrejt me mënyrën se si institucionet moderne marrin vendime.

Optimizimi i burimeve, planifikimi, menaxhimi i proceseve, analiza statistikore dhe modelimi matematikor janë sot pjesë e rëndësishme e administrimit publik dhe të ekonomisë moderne.

Nëse ky formim do të reflektohet në aktivitetin presidencial, sikurse shpresojmë, Kosova ka mundësi të promovojë më shumë një kulturë institucionale, ku vendimmarrja mbështetet në të dhëna dhe analiza, dhe jo vetëm në perceptime politike.

Kosova ka nevojë për një lidhje më të fortë midis universiteteve, institucioneve publike dhe sektorit privat. Një Presidente me përvojë të gjatë akademike do të jetë një ndërmjetëse e rëndësishme në krijimin e kësaj ure.

Presidenca do të promovojë forume kombëtare ku akademikët, bizneset dhe institucionet diskutojnë për produktivitetin, arsimin profesional, inovacionin, inteligjencën artificiale, transformimin digjital, politikat e punësimit, kufizimin e emigracionit të të rinjve dhe rritjen e konkurrueshmërisë së ekonomisë. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për një vend me popullsi relativisht të re si Kosova, që e ka domosdoshmëri të krijojë vende pune me produktivitet dhe paga më të larta.

Angazhimi i hershëm i Presidentes Shiroka-Pula në fuqizimin ekonomik të grave përbën një tjetër avantazh të rëndësishëm. Fakti që ajo ka qenë ndër themelueset e Rrjetit të Biznesit të Grave Kosovare në vitin 2001 e lidh profilin e saj me një çështje që mbetet aktuale: rritjen e pjesëmarrjes së grave në ekonomi dhe në vendimmarrje në Kosovë. Për Kosovën, kjo nuk është vetëm çështje sociale. Është edhe çështje ekonomike. Sa më shumë gra të përfshihen në tregun e punës dhe në sipërmarrje, aq më i madh është potenciali prodhues i ekonomisë së saj.

Një nga dimensionet më të rëndësishëm në figurën dhe personalitetin e Presidentes së re, është potenciali që të forcojë ndjeshëm rolin e Presidencës si institucion bashkues i vendit. Kosova është një shoqëri me debate të forta politike. Në një mjedis të tillë, Presidentja mund dhe duhet të ketë një rol të rëndësishëm si faktor mirëkuptimi, çtensionimi, dialogu dhe bashkimi institucional.

Një figurë me përvojë akademike dhe institucionale si zonja Shiroka-Pula, patjetër që do të provojë fort të ndërtojë një komunikim më pak polarizues dhe më shumë konsensual në Kosovë.

Nën drejtimin e saj, Presidenca e Kosovës jam i sigurtë se do të shërbejë si hapësirë ku do të takohen partitë politike, akademikët, biznesi, shoqëria civile, Diaspora, shoqatat e grave në biznes dhe në shoqëri, të rinjtë, komunitetet dhe partnerët ndërkombëtarë.

Kjo do të jetë jo vetëm e dobishme, por edhe e domosdoshme për konsolidimin e kulturës demokratike në Kosovë.

Për të gjitha këto arsye, i uroj suksese në detyrë Presidentes së re të Kosovës Justina Shiroka-Pula!

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular