Pas një ngërçi të thellë politik dhe një situate tejet të tensionuar që rrezikonte të përshkallëzohej në një përplasje civile, Kuvendi i Kosovës ka arritur të zgjedhë pas mesnate presidenten e re të vendit.
Në një kthesë të papritur të ngjarjeve, kryeministri Albin Kurti u detyrua të hiqte dorë nga kandidatura e tij e preferuar, Vjosa Osmani, për t’i hapur rrugë një kompromisi mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës për të shmangur zgjedhjet e parakohshme.
Dhe nga minutat e para të ditës së sotme, Presidentja e re e Kosovës është Justina Pula, kryetare e Akademisë së Shkencave dhe një figurë me reputacion të lartë publik.
Por ajo që e bën këtë zgjedhje krejtësisht të pazakontë është fakti se propozimi ka qenë i papritur edhe për vetë protagonisten.
Gazetari Faton Mehmeti në një lidhje direkte nga Prishtina theksoi për “Ora News” se gjatë kohës kur po merrej vendimi politik, zonja Pula ishte në gjumë dhe u zgjua nga i biri me lajmin emergjent se palët kishin rënë dakord ta bënin atë presidente të shtetit.
Ndërkohë që situata në rrugët e Prishtinës është qetësuar dhe protestuesit janë larguar të kënaqur, një tjetër zhvillim i rëndësishëm ka ndodhur brenda Kuvendit me miratimin e ligjit për Dhomat e Specializuara.
Ky votim, i cili pritet të kalojë edhe filtrat e Gjykatës Kushtetuese, pritet të sjellë lehtësira për të arrestuarit e ardhshëm nga radhët e UÇK-së, ndonëse mbetet e vështirë të ketë efekt prapaveprues për Hashim Thaçin dhe të dënuarit e tjerë aktualë, të cilët janë gjykuar me legjislacionin e mëparshëm.







