Konsumatorët duhet të tregojnë kujdes të shtuar kur blejnë në internet, pasi kriminelët po përdorin inteligjencën artificiale (AI) për t’i bërë mashtrimet gjithnjë e më bindëse dhe të vështira për t’u dalluar bën të ditur pëmes një artikulli BBC.
Sipas autoriteteve britanike për mbrojtjen e konsumatorëve, disa mashtrues kanë krijuar faqe interneti që paraqiten si biznese familjare, të cilat pretendojnë se shesin produkte cilësore të prodhuara në Mbretërinë e Bashkuar. Për t’u dukur të besueshme, në fotografitë e tyre mund të shfaqen rrugë tregtare britanike dhe flamuj të vendit.
Por ata që kryejnë blerje në këto faqe rrezikojnë të mos e marrin kurrë porosinë ose të marrin një produkt të lirë, të prodhuar në masë në vende si Kina.
Sipas organizatës britanike National Trading Standards, imazhet e krijuara me inteligjencë artificiale, klonimi i zërit dhe videot deepfake po përdoren gjithnjë e më shumë për të mashtruar njerëzit dhe për t’u marrë paratë.
Për herë të parë, organizata ka hartuar një listë paralajmëruese që evidenton disa prej mjeteve dhe teknikave të përdorura nga mashtruesit që shfrytëzojnë inteligjencën artificiale.
Cilat janë mashtrimet që duhet të dalloni si teknikat më të përdorura?
Faqe të rreme interneti: Krijohen shpejt dhe me kosto të ulët, por kanë pamje profesionale dhe imitojnë dyqane apo kompani të besueshme.
Mashtrime romantike: Inteligjenca artificiale përdoret për të mbajtur mend detaje personale të viktimave dhe për të vazhduar bisedat me ta për javë ose muaj, duke krijuar një lidhje të rreme emocionale.
Video dhe regjistrime zanore të falsifikuara: Përmes deepfake-ve dhe klonimit të zërit, mashtruesit imitojnë familjarë ose miq të afërt që kërkojnë para, duke pretenduar se ndodhen në një situatë urgjente.
Mesazhe mashtruese bindëse: E-maile, SMS dhe postime të personalizuara në rrjetet sociale mund të krijohen në shkallë të gjerë, pa gabime drejtshkrimore apo gramatikore, për t’i bërë më të besueshme.
Si mund të mbroheni nga mashtrimet me AI?
- Mos dërgoni para apo të dhëna personale te persona që nuk i keni takuar nga afër.
- Verifikoni bizneset përpara se të blini ose të bëni pagesa.
- Kontrolloni autorizimin e kompanive financiare.
- Mos u mbështetni vetëm te zëri apo pamja.
Mesazhi kryesor i ekspertëve është të ndaleni dhe të mendoheni mirë përpara se të kryeni një pagesë, të ndani të dhëna personale apo të ndërmerrni ndonjë veprim.
Kujdes i veçantë duhet treguar kur dikush ju ushtron presion për të vepruar menjëherë ose pretendon se situata është urgjente. Kjo është një nga taktikat kryesore të mashtruesve, të cilët synojnë t’ju bëjnë të veproni pa pasur kohë të verifikoni informacionin.
Në një kohë kur inteligjenca artificiale mund t’i bëjë mashtrimet të duken pothuajse të përsosura, verifikimi i informacionit dhe kujdesi përpara çdo pagese mbeten mbrojtja më e mirë.







