Modelja dhe stilistja e rrobave të banjës, Sahara Ray, ka ndërruar jetë në moshën 34-vjeçare. Ajo ishte e njohur edhe për lidhjen e saj të mëparshme me këngëtarin e famshëm Justin Bieber.
Lajmi i trishtë u bë i ditur nga familja e saj përmes një deklarate zyrtare. Sipas njoftimit, Sahara Ray ndërroi jetë në spital, e rrethuar nga familjarët e saj. Deri më tani, shkaku i vdekjes nuk është bërë i ditur.

Ray fitoi popullaritet falë karrierës së saj në modeling, ndërsa ishte mjaft aktive edhe në rrjetet sociale. Në Instagram, ku promovonte markën e saj të rrobave të banjës, Sahara Ray Swim, ajo kishte grumbulluar afro 900 mijë ndjekës. Në vitin 2020, ajo krijoi gjithashtu një llogari në platformën OnlyFans.
Modelja ishte vajza e legjendarit australian të sërfit, Tony Ray. Gjatë fëmijërisë, ajo kaloi shumë kohë duke udhëtuar mes Australisë, Kalifornisë dhe Havait.
Jeta e saj mori një tjetër drejtim pak muaj më parë, kur u bë nënë për herë të parë. Në janar, Sahara Ray njoftoi lindjen e vajzës së saj, të cilën e quajti Snow, duke publikuar edhe fotografi të foshnjës në rrjetet sociale. Megjithatë, ajo nuk zbuloi identitetin e babait të fëmijës.








