Nga Bujar Leskaj
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç pranoi mbrëmë se koalicioni i tij i ka humbur zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të mbajtura më 25 tetor 2026. Lëvizja “Lista Studentore (Studentët Fitojnë)” ka dalë fituese me rreth 2.2 milionë vota dhe pritet të sigurojë 135 deri në 140 mandate në Kuvendin e Serbisë prej 250 vendesh.
Zhvillimet politike në Serbi shënojnë një moment të rëndësishëm për demokracinë në Ballkanin Perëndimor, në rradhë të parë tek ne. Lista e Studentëve, lëvizja politike e mbështetur tek të rinjtë dhe tek kërkesa e tyre shumëmujore për llogaridhënie të qeverisë së korruptuar të autokratit Vuçiç, sfidoi koalicionin dinosaur të Vuçiç, të konsoliduar prej vitesh dhe mjeshtër në manipulimin e votave dhe fitoi!
E njëjta gjë do të ndodhë edhe tek ne, me dorëheqjen e autokratit Rama, sivëlla i Vuçiç, bashkëautor me të i nismës famëkeqe “Ballkani i Hapur” që izoloi Kosovën. Edhe Shqipëria sot po përballet me sfida që prekin drejtpërdrejt brezin e ri: emigracionin masiv të ideuar dhe nxitur nga Rama, vështirësitë e strehimit, pasigurinë e punësimit dhe humbjen e besimit dhe shpresës mbi funksionimin e meritokracisë në vend.
Për një kohë të gjatë, të rinjtë e rajonit janë konsideruar më shumë si një kategori që largohet nga politika dhe emigron, sesa si një forcë që mund ta ndryshojë politikën e vjetër dhe të korruptuar të forcave politike të përfaqësuara nga Vuçiç dhe Rama.
Jo! Rinia shqiptare nuk e ka mendjen vetëm të ikë! Ajo ka 135 ditë që protestoi paqësisht në Tiranë dhe 14 ditë që po e sfidon rregjimin e Ramës me revoltë të pandërprerë rinore.
Lëvizjet studentore fitojnë ndikim të fortë, kur pjesa më e madhe e shoqërisë nuk ndihet më e përfaqësuar nga qeverisja që e mban me taksat e saj. Në këtë rast, studentët shndërrohen në zërin e një pakënaqësie që shkon përtej universiteteve dhe përfshin kërkesën për drejtësi, transparencë, mundësi të barabarta dhe luftë reale ndaj korrupsionit shtetëror. Dhe kur pakënaqësia masive shoqërore shndërrohet në organizim dhe pjesëmarrje elektorale, ajo ndikon drejtpërdrejt në ekuilibrat e pushtetit.
Ky është mësimi i kryesor për politikën shqiptare nga zgjedhjet e djeshme në Serbi: të rinjtë tanë nuk duan vetëm të dëgjohen, por edhe të marrin pjesë në vendimet që përcaktojnë të ardhmen e tyre.
Aleksandar Vuçiç ka qenë figura dominuese e politikës serbe për më shumë se një dekadë, fillimisht si kryeministër dhe më pas si president. Qeverisja e tij e gjatë 14-vjeçare u përball me protesta të shumta rinore, të intensifikuara muajt e fundit, si dhe me akuza të drejtpërdrejta për për përqendrimin e pushtetit, korrupsionin galopant, kufizimin e lirisë së medias dhe manipulime të shumta dhe të gjera zgjedhore.
Fundi i autokratëve që nuk i do, madje i urren populli, në rradhë të parë studentët dhe rinia mbarë, është i njëjtë. Edi Rama, humbja e Vuçiç është mesazh për ty! Jep dorëheqjen dhe lejo vendin të kalojë në zgjedhje të parakohshme.
Pushteti është mandat, jo pronë. Vota është përgjegjësi, jo çek i bardhë. Dhe e ardhmja e një vendi nuk mund të jetë peng i një njeriu të vetëm. Pengu yt, Edi Rama!







