Derbi mes Gallatasarayt dhe Fenerbahçes përfundoi me tension dhe përplasje fizike mes futbollistëve, vetëm pak sekonda pas vërshëllimës përfundimtare. Situata doli jashtë kontrollit, duke detyruar ndërhyrjen e policisë në fushë, ndërsa dy futbollistë u ndëshkuan me karton të kuq.
Galatasaray fitoi derbin e javës së nëntë të kampionatit turk me rezultatin 2-1, por festimi i triumfit u la në hije nga skenat e dhunës pas ndeshjes. Victor Osimhen ishte protagonist i fitores, duke shënuar dy gola në minutat 29 dhe 44, ndërsa Fenerbahçe reagoi në pjesën e dytë me Irfan Xhan Kahveci, i cili ngushtoi diferencën në minutën e 62-të. Rezultati mbeti i pandryshuar deri në fund me vendasit që morën tre pikët dhe ruajnë kreun e superlgiës turke.
Megjithatë, vëmendja u zhvendos te përplasjet pas përfundimit të takimit. Fillimisht, Kerem Akturkoglu i Fenerbahçes dhe Roland Sallai i Galatasarayt u përfshinë në një debat që u shndërrua në konfrontim fizik.
Më pas, situata u tensionua edhe më shumë nga përplasja mes Broën dhe Bardakcı, të cilët përfunduan në tokë gjatë konfliktit.
Futbollistët dhe pjesëtarët e stafit teknik tentuan të ndanin palët, por për shkak të përshkallëzimit të situatës, në fushë ndërhynë edhe forcat e sigurisë.
Pas disa minutash përpjekjesh, situata u qetësua dhe lojtarët e Fenerbahçes u larguan drejt dhomave të zhveshjes nën shoqërimin e policisë.
Gjyqtari dha dy kartonë të kuq, nga një për secilën skuadër, ndërsa komisioni disiplinor pritet të japë të tjera dënime më të rënda.







