HomeAktualitetVrau Ilaria Sulën dhe e hodhi në greminë, dënohet me burgim të...

Vrau Ilaria Sulën dhe e hodhi në greminë, dënohet me burgim të përjetshëm 24-vjeçari! Babai i shqiptares: Drejtësia u vu në vend! Nëna: Tani ajo është në paqe!

Advertismentspot_img

Gjykata e Tretë e Krimeve të Rënda në Romë ka dënuar me burgim të përjetshëm Mark Antony Samson, të riun që në mars të vitit 2025 vrau me thikë ish-të dashurën e tij, shqiptaren Ilaria Sula, dhe më pas hodhi trupin e saj, të futur në një thes, nga një greminë.

Samson, i cili e ka pranuar autorësinë e krimit, nuk ishte i pranishëm në sallën e gjyqit në kompleksin e burgut Rebibbia, ku u lexua vendimi. Ai akuzohet për vrasje me rrethana rënduese, përfshirë paramendimin, si dhe për fshehjen e kufomës.

“Drejtësia u vu në vend, por burgimin e përjetshëm të vërtetë e kemi ne, unë dhe bashkëshortja ime. Ai ende merr frymë, ndërsa vajza ime nuk merr më frymë. Ky është një moment i rëndësishëm për drejtësinë. Unë kam pasur gjithmonë besim te drejtësia dhe nuk jam braktisur”, deklaroi Flamur Sula, babai i Ilaria Sulës, pas shpalljes së vendimit.

Ai iu drejtua gjithashtu miqve të vajzës së tij dhe të rinjve në përgjithësi, duke u bërë thirrje të respektojnë njëri-tjetrin dhe të flasin me prindërit për problemet që përjetojnë.

“U them miqve të Ilarias dhe të rinjve në përgjithësi që të respektoni njëri-tjetrin dhe të flisni me prindërit. Mos heshtni”, shtoi ai.

Pak më vonë, nëna e Ilaria-s, Gezime Sula, e tronditur dukshëm nga ngjarja, iu drejtua të rinjve me një apel: “Respektoni gratë, duajini ato”.

Më pas, mes lotësh dhe e mbështetur te bashkëshorti i saj, ajo tha: “Tani ajo është në paqe”.

Studentja 22-vjeçare Ilaria Sula u vra nga ish-i dashuri i saj më 25 mars 2025, pasi ai e goditi tri herë me thikë në fyt.

Pas vrasjes, Samson e futi trupin e saj në një thes dhe e hodhi nga një greminë në zonën e Capranica Prenestina. Kufoma u gjet më 2 prill.

I riu, 24 vjeç në kohën e ngjarjes, e pranoi më pas krimin, duke deklaruar se nuk arrinte të shpjegonte se çfarë e kishte shtyrë të vepronte në atë mënyrë.

“Është sikur një perde të më kishte rënë para syve. Ndieja një përzierje emocionesh negative. Nuk më kujtohet sa herë e godita në fytyrë, por me siguri më shumë se dy herë”, u shpreh ai.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular