Gazetari investigativ Artan Hoxha ka bërë një deklaratë të fortë mbrëmjen e të martës (27 tetor) në studion e emisionit “Të Paekspozuarit” të Ylli Rakipit.
Duke folur për zhdukjen e Inez Hajrullës, Hoxha tha se ai është rrëmbyer në të njëjtën mënyrë si Ervis Martinaj.
Sipas gazetarit, duket se bëhet fjalë për të njëjtën dorë dhe të njëjtin organizim. Ai theksoi se në ngjarje të tilla kriminale kanë kapacitet të përfshihen vetëm grupe që kanë lidhje me Policinë e Shtetit.
Pjesë nga biseda:
Rakipi: Zhdukja e Inez Hajrullës? Kush është ky dhe çfarë përfaqëson ai?
Hoxha: Kjo është Shqipëria e vërtetë, të rrëmbejnë në kryeqytet pa lënë gjurmë.
Rakipi: Në Vlorë?
Hoxha: Jo në Vlorë, këtu e kanë rrëmbyer. Këtu të del shteti garant. Kjo histori ndodhi pak para se të fillonte protesta, prandaj u harrua. Vërtet, është një ngjarje me përmasa të mëdha në botën e nëndheshme.
Inez Hajrulla, në Vlorë dhe më gjerë, kishte lidhje shumë të forta. Bënte pjesë në grupin e personit që ishte shumë i njohur në rang kombëtar me nofkën “Faqedjeguri”, Eduart Harizaj. Nuk ka padrino në Vlorë, ata e duan autobusin për së gjati.
Në vitin 2018, unë kam publikuar një video ku ai është në makinë, merr një qytetar në makinë dhe zhduket. Sapo kishte ardhur nga Belgjika ai djali. E morën gjoja për të dhënë informacion. Elvis Troqja nuk u gjet më. Brenda 10 ditësh u morën dy persona të ardhur nga Belgjika.
Në vitin 2017, këtij iu bë atentat me minë të telekomanduar. Më pas pati edhe gjashtë atentate të tjera. Nuk mundën ta vrisnin. Zakonisht, këto ndodhnin në Lungomare.
Rakipi: Po pse aty?
Hoxha: Po këta nuk rrinë në shpellë, këta rrinë aty ku ka para.
Çfarë ndodhi? Në vitin 2023, ky pati fat, sepse u zbulua rastësisht një vrasës me pagesë që kishte ardhur nga Shkodra. Amraildo Nikolla u kthye në bashkëpunëtor të drejtësisë dhe zbuloi personazhet. Në mars të këtij viti, një person u shpall në kërkim nga SPAK dhe nuk është kapur.
Gjatë verës pati disa operacione. Kush e njihte Inez Hajrullën e dinte se aty ku shkonte RENEA, kishte baza që ishin përdorur nga Hajrulla, por ai vetë nuk gjendej aty.
Hajrulla përdorte policinë për të goditur kundërshtarët. Tani situata ka ndryshuar, policinë e ka kapur banda tjetër. Deri në vitin 2020, policia nuk ndërhynte. Me goditjet që iu bënë vitet e fundit, ai po humbiste terren.
Më 7 tetor, ai ka qenë në periferi të Tiranës. Të nesërmen, më 8 tetor, ka folur me dy persona të tij. Nuk është shfaqur njeri tjetër në kamera. Në orën 12:00 ka pasur një tjetër tentativë për të komunikuar me të.
Është lajmëruar policia, e cila ka shkuar për një kontroll rutinë, por nuk ka gjetur gjë. Policia ka thënë se nuk ka denoncim, por familja nuk bën denoncim në këtë rast.
Nga ky moment, ai është marrë në periferi të qytetit. Që nga ai moment e më pas, as policia dhe as familja nuk kanë asnjë informacion.
Policia ka një pistë që po ndjek. Skema është e ngjashme me atë të Ervis Martinajt. Janë e njëjta organizatë. Rrëmbimi i tij në kryeqytet, po ashtu edhe i Martinajt në periferi dhe i Harizajt në dalje të Durrësit.
Ngjarje të tilla, me personazhe kaq të rëndësishme, kanë një veçori, ky është në kërkim nga shteti, por e gjetën kundërshtarët. Edhe Martinaj ishte në kërkim. Ngjarje të tilla kanë kapacitetin t’i realizojnë vetëm struktura kriminale që kanë lidhje me Policinë e Shtetit.
E kam thënë se ata nuk dalin shpesh, por kur dalin, e realizojnë detyrën 100 për qind. SPAK e ka thirrur Ervis Martinajn si dëshmitar, ndërsa prokurori i Kurbinit kërkon kufomën. Ky lloj shteti jemi ne. Familjarët e Martinajt janë në gjykatë dhe kërkojnë njohjen e vdekjes. Ne nuk kemi gjetur as Eduart Belegun.
Tomorri: Ai iku, nuk u mor vesh.
Hoxha: Ishte njeriu kryesor i Dritan Priftit. Policia thoshte se ai kishte ikur vullnetarisht. Por, po pritëm institucionet, do të na ndodhë si me protestat. Ngjarja do të ketë pasoja. Në Vlorë, ky shihet si personazh i rëndësishëm.







