Një aksident tragjik ajror është regjistruar të dielën në Florida të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku një avion privat është rrëzuar në një zonë të banuar, duke shkaktuar vdekjen e të nëntë personave që ndodheshin në bord.
Ngjarja ndodhi pranë zonës së Cresthaven, rreth 14 kilometra larg rezidencës Mar-a-Lago, në Palm Beach County. Përplasja u regjistrua rreth orës 12:50 sipas orës lokale.
Pamjet nga vendngjarja tregojnë përmasat e aksidentit, ku në mes të një rruge rezidenciale është krijuar një gropë e madhe, ndërsa flakët, copëzat e betonit dhe mbetjet e avionit janë shpërndarë në zonën përreth.
Sipas Administratës Federale të Aviacionit (FAA), avioni i tipit Learjet 60 ishte nisur nga Austin, Teksas dhe kishte si destinacion Bahamasin.
Dyshimet e para për shkakun e aksidentit lidhen me një problem serioz gjatë fluturimit. Sipas regjistrimeve të komunikimit mes pilotit dhe kontrollorëve të trafikut ajror, avioni po humbiste lartësi me një shpejtësi jashtëzakonisht të madhe.
Piloti pak para rrëzimit shpalli emergjencën, duke deklaruar se avioni po zbriste me shpejtësi.
“Jemi në një situatë tejkalimi të shpejtësisë. Do të rrëzohemi… nuk kemi më kohë”, raportohet të ketë thënë piloti në komunikimin me kullën e kontrollit.
Një video e publikuar në rrjetet sociale, autenticiteti i së cilës nuk është konfirmuar, duket se tregon momentin e përplasjes. Në pamje shihet një avion që zhytet pothuajse vertikalisht drejt tokës, përpara se të shpërthejë në një top të madh flakësh.







