Vjedhja ndodhi në lagjen Nakano, ku një burrë u paraqit në dyqan si klient…
jë ngjarje e pazakontë ka ndodhur në Tokio të Japonisë, ku një orë luksoze zvicerane, me vlerë mbi 260 mijë euro, e vjedhur nga një dyqan javën e kaluar, është kthyer në mënyrë misterioze së bashku me një letër kërkimfaljeje.
Vjedhja ndodhi në lagjen Nakano, ku një burrë u paraqit në dyqan si klient dhe kërkoi të provonte një orë të markës Audemars Piguet, me vlerë 46 milionë jen. Pasi e vendosi në kyçin e dorës, ai u largua nga dyqani pa e kthyer atë.
Por ngjarja mori një kthesë të papritur më 1 nëntor, kur dyqani mori një pako që përmbante pikërisht orën e vjedhur, së bashku me një letër të shkruar me dorë, ku kërkohej falje për veprimin. Sipas mediave japoneze, numri serial i orës konfirmoi se bëhej fjalë për të njëjtin aksesor të raportuar të vjedhur. Megjithatë, identiteti i personit që e ktheu atë mbetet i panjohur.
Policia e Tokios vijon kërkimet për të dyshuarin, ndërsa dyqani nuk ka pranuar të komentojë ngjarjen. Ky nuk është rasti i parë i vjedhjes së orëve luksoze në këtë zonë. Në gusht, nga një tjetër dyqan në të njëjtën qendër tregtare u vodhën katër ora me vlerë mbi 1.13 milionë euro.







