Një sulm kibernetik ka vënë në shënjestër instalimet frigoriferike që përdoren nga Shërbimi Kombëtar i Gjakut në Francë, duke rrezikuar ruajtjen e mostrave të gjakut dhe produkteve të destinuara për transfuzione.
Sipas raportimeve të mediave franceze, hakerat kanë ndërhyrë në sistemet e kontrollit të temperaturës, duke riprogramuar pajisjet frigoriferike që normalisht funksionojnë në temperaturën -30 gradë Celsius, për të arritur deri në 110 gradë Celsius.
Sulmi ndodhi gjatë natës mes së dielës dhe të hënës, më 1 dhe 2 nëntor, dhe kishte në shënjestër kompaninë Coolworld, e cila mirëmban kontejnerët frigoriferikë të përdorur nga Instituti Francez i Gjakut (EFS), përfshirë edhe instalimet në rajonin Bourgogne-Franche-Comté.
Alarmi u dha pasi një teknik që ishte në shërbim gjatë natës konstatoi rritje të pazakontë të temperaturës në ambientet frigoriferike. Ndërhyrja në kohë bëri të mundur identifikimin e problemit dhe shmangien e pasojave në funksionimin e shërbimit. Fillimisht, autoritetet kishin bërë të ditur se në frigoriferët e prekur ruheshin mostra të dhuruesve të gjakut, të përdorura për monitorimin shëndetësor në lidhje me transfuzionet.
Megjithatë, më pas Instituti Francez i Gjakut konfirmoi se në ambientet e prekura ndodhej edhe plazmë e ngrirë, e destinuar për transfuzione te pacientët. Ky detaj e bën incidentin veçanërisht shqetësues, pasi ruajtja e produkteve të gjakut kërkon kontroll të rreptë të temperaturës dhe çdo ndërprerje e zinxhirit të ftohjes mund të ndikojë në sigurinë dhe përdorshmërinë e tyre.
Ministria Franceze e Shëndetësisë ka deklaruar se incidenti nuk ka sjellë pasoja operative, pasi anomalitë u zbuluan në kohë.
Pavarësisht shifrës alarmante prej 110 gradësh Celsius, ende nuk është konfirmuar se kjo temperaturë është arritur realisht brenda frigoriferëve apo në produktet e gjakut. Informacionet e publikuara flasin për ndryshimin e parametrave të komanduar në sistemin elektronik. Temperatura e vendosur në sistem dhe ajo e matur realisht në ambientet e ruajtjes janë dy gjëra të ndryshme.
Gjithashtu, nuk janë bërë të ditura numri i saktë i pajisjeve të prekura dhe kohëzgjatja e ndërhyrjes. Sulmet ndaj frigoriferëve, një kërcënim i ri për sektorin shëndetësor
Ky incident vjen pas një serie sulmesh kibernetike ndaj sistemeve frigoriferike në supermarkete në Francë dhe vende të tjera europiane, ku hakerat kanë ndryshuar parametrat e temperaturës, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme ekonomike dhe humbje të produkteve ushqimore. Kësaj here, objektivi ka qenë një sektor shumë më i ndjeshëm: ruajtja e produkteve të gjakut që përdoren në sistemin shëndetësor.
Deri më tani, nuk është bërë e ditur identiteti i autorëve dhe as nuk ka prova që sulmi të jetë kryer nga të njëjtët persona përgjegjës për ndërhyrjet në frigoriferët e supermarketeve. Ngjarja ngre shqetësime për sigurinë e sistemeve të lidhura me internetin, veçanërisht kur ato kontrollojnë pajisje jetike për funksionimin e spitaleve dhe shërbimeve shëndetësore.







