HomePolitikeDeputeti Bujar Leskaj: PD të prezantojë alternativën e saj buxhetore dhe të...

Deputeti Bujar Leskaj: PD të prezantojë alternativën e saj buxhetore dhe të paketës fiskale

Advertismentspot_img

Nga Bujar Leskaj
Pa dyshim, Partia Demokratike, opozita kryesore e vendit e përmbush misionin e saj historik dhe politik edhe përmes pjesmarrjes në protestat e sotme të studentëve dhe shumë mirëbën. Mirëpo misioni kërkon edhe pjesmarrjen në debatet parlamentare dhe dhënien e alternativave të saj.

Partia Demokratike duhet të jetë e pranishme aty ku merren vendimet, të sfidojë qeverinë e korruptuar dhe të paaftë të sektit Rama me argumente, të paraqesë alternativa konkrete dhe bindëse për politika fiskale pranë qytetarit dhe lehtësuese për biznesin.

Partia Demokratike duhet të dëshmojë se është e përgatitur të qeverisë dhe se detyrat e formulimit të një buxheti pragmatik dhe efiçient, si dhe të zbatimit të një pakete fiskale në shërbim të qytetarit dhe biznesit, do t’i kryente me përkushtim, profesionalizëm dhe transparencë, krejt ndryshe nga qeverisja e korruptuar deri në palcë e autokratit Rama.

Mosmarrja pjesë në diskutimet parlamentare për Buxhetin e Shtetit 2027 dhe Paketën Fiskale 2027 është një gabim që i heq Partisë Demokratike mundësinë të ndikojë në vendimmarrje dhe të përfaqësojë interesat e qytetarëve dhe të biznesit.

I. Nuk mjaftojnë konferencat e shtypit për të dhënë alternativën tonë

Buxheti 2027 kërkon një alternativë të mirëfilltë nga opozita. Projektbuxheti i Shtetit për vitin 2027 nuk është thjesht një dokument financiar i kësaj qeverie të korruptuar.

Për këtë arsye, ne duhet të dalim me një alternativë të plotë për Buxhetin 2027, duke u dhënë përgjigje pyetjeve se si duhet të financohet realisht dhe jo me demagogji, rritja e pensioneve dhe mbështetja për shtresat në nevojë, cilat duhet të jenë prioritetet e investimeve publike, si do të mbështetet prodhimi vendas dhe konkurrueshmëria e ekonomisë, si do të lehtësohet, dhe jo të shtohet, barra fiskale mbi biznesin e vogël dhe të mesëm, si duhet të financohet me efektivitet zhvillimi i bujqësisë, energjisë dhe industrisë përpunuese dhe çfarë ndryshimesh duhet të propozohen për tatimin mbi fitimin, dividendin dhe TVSH-në.

Projektbuxheti i Partisë Demokratike, ndryshe nga ai i sektit Rama në qeverisje, duhet të ndërtohet mbi përcaktimin dhe implementimin e Minimumit Jetik Zyrtar, si masa themelore për të mbështetur realisht pensionistët dhe familjet shqiptare me të ardhura të pakta

Qytetarët, sipërmarrësit, pensionistët, fermerët dhe punonjësit kanë nevojë të dinë jo vetëm se çfarë kundërshton PD-ja në këtë buxhet jo efiçient dhe këtë paketë fiskale kontradiktore dhe që të lë në udhëkryq. Dhe, mbi të gjitha, qytetareët duhet të dinë se çfarë do të bënte ndryshe Partia Demokratike për të mirën dhe të ardhmen e tyre, nëse do të ishte në qeverisje.

Paketa Fiskale 2027 e sektit Rama parashikon masa që rrisin ndjeshëm barrën fiskale për kategori të konsiderueshme biznesesh. Ne duhet të shpjegojmë me durim, në detaje dhe me profesionalizëm pse i kundërshtojmë këto masa dhe çfarë alternativash propozojmë

Për shembull, ulja e pragut të TVSH-së nga 10 në 5 milionë lekë prek mijëra biznese të vogla, të cilat do të përballen me kosto të reja kontabiliteti, administrimi dhe deklarimi. Kjo është një çështje që kërkon analizë të hollësishme në komisionet parlamentare.

Po kështu, rritja e tatimit mbi dividendin nga 8% në 15% kërkon një debat të argumentuar për ndikimin në investime, kapitalizimin e bizneseve dhe tërheqjen e investimeve të reja.

Me bashkëpunimin edhe të ekspertëve të Grupit tonë parlamentar D. Teliti dhe Y. Asllani për pushtetin vendor, ne i kemi të gjitha kapacitetet dhe duhet të paraqesim alternativa të matshme, duke treguar se si mund të mbrohen të ardhurat buxhetore, pa frenuar sipërmarrjen dhe zhvillimin ekonomik.

Partia Demokratike ka në radhët e saj ekonomistë, ekspertë fiskalë, specialistë të financave publike dhe përfaqësues me përvojë në administrimin e institucioneve.

Përfaqësuesit e PD-së nuk duhet të kufizohen në deklarata për mediat apo në reagime politike, pas projektbuxhetit dhe paketës fiskale të paraqitur nga narko-qeveria e sotme. Ne duhet të prezantojmë programin tonë qeverisës dhe objektivat tona dhe, në këtë drejtim, qëndrimi i Kryetarit të Partisë Demokratike është ai i duhuri.

II. Sa herë i shmangemi debatit parlamentar, aq herë mpaket forca dhe potenciali i PD-së

Ne duhet të jemi të pranishëm në komisionet parlamentare, të analizojmë në detaje dhe me përgjegjësi projektligjet, të kërkojmë të dhëna, të propozojnë amendamente dhe të argumentojnë publikisht qëndrimet tona. Sa herë i shmangemi dhe nuk e bëjmë këtë, mpaket forca dhe potenciali rinovues i Partisë Demokratike.

Ne duhet sa më parë të kthehemi nga një forcë që reagon ndaj politikave ekonomike të papërgjegjshme të qeverisë, në një forcë që prodhon politika publike profesionale, transparente dhe të zbatueshme.

Provokimet e dyshes Peleshi-Balla nuk duhet të përcaktojnë axhendën tonë. Është e kuptueshme që përfaqësuesit e opozitës të reagojnë ndaj provokimeve, ndërhyrjeve dhe sjelljeve të shumicës parlamentare. Por është e pajustifikueshme që këto përplasje të bëhen arsye për të braktisur diskutimet, aty ku opozita ka mundësi të ushtrojë kontrollin e saj kushtetues dhe politik.

Ne duhet të dimë të ndajmë konfliktin politik nga përgjegjësia institucionale. Veprimtaria e SHISH-it dhe mega-skandali Vlora Hyseni kërkonin një debat parlamentar të plotë. Është mundësi e humbur nga ne që nuk morëm pjesë në diskutimin për veprimtarinë dhe përgjegjshmërinë e rëndë institucionale të Shërbimit Informativ të Shtetit, çështje kjo që lidhet me sigurinë kombëtare, funksionimin e institucioneve të pavarura dhe mekanizmat e kontrollit demokratik.

Në vend të një debati të dominuar nga përplasjet politike, vendi kishte nevojë për një diskutim serioz mbi standardet e drejtimit, mbikëqyrjen parlamentare dhe përgjegjshmërinë e SHISH-it. Ne duhet të flisnim gjatë gjithë seancës për skandalin e SHISH, pavarësisht se mazhoranca me forcën e kartonit hodhi poshtë kërkesën për komision hetimor.

Ne duhet të diskutonim për efiçiencën e institucioneve të dala nga reforma në drejtësi në 10-vjetorin e saj, dhe jo të binim në grackën Balla-Peleshi për të kaluar rezolutat në votim (apo projektligje në raste të tjera) pa diskutim apo debat parlamentar.

Në çdo seancë parlamentare, ia vlen që ne deputetët opozitarë të vazhdojmë të këmbëngulim edhe më fort se deri tani, që kërkesat e protestës dhe revoltës së fuqishme qytetare studentore të respektohen dhe zbatohen, pasi përbën detyrim kombëtar sot.

Ne duhet ta kërkojmë reformën zgjedhore sipas kërkesave të qytetarëve protestues, të cilët kanë këmbëngulur për zgjedhje jo me lista të mbyllura, jo me deputetë të këtyre listave, por për një sistem proporcional të hapur kombëtar ose rajonal. Duhet të kërkojmë me forcë lejimin e koalicioneve parazgjedhore, të cilat Autokrati dhe sot Diktatori Rama i hoqi me deputetët e korporatave në vitin 2020, si dhe të përkrahim si lindjen e partive të reja progresiste nga revolta, ashtu edhe të mbështesim partitë e vogla aktuale, për të formuar një koalicion opozitar sa më të gjerë.

Diskutimet për Bankën e Shqipërisë dhe Kontrollin e Lartë të Shtetit janë ndër momentet më të rëndësishme të kontrollit parlamentar. Banka e Shqipërisë ka përgjegjësi thelbësore për stabilitetin monetar dhe financiar, mbikëqyrjen bankare dhe ruajtjen e stabilitetit të çmimeve. Në një periudhë kur ekonomia përballet me sfida të inflacionit, kreditimit, kursit të këmbimit dhe financimit të investimeve, opozita duhet të ketë një qëndrim të qartë për politikat monetare dhe stabilitetin financiar.

KLSH është institucioni që kontrollon mënyrën se si përdoren paratë e taksapaguesve. Raportet e tij për administrimin e fondeve publike, prokurimet, investimet dhe përgjegjësitë financiare duhet të jenë objekt i analizës së thelluar parlamentare.

Kur opozita mungon në debatet për këto dy tema, ajo humbet mundësinë të ushtrojë një nga funksionet e saj më të rëndësishme: kontrollin mbi institucionet që administrojnë interesa jetike të shtetit.

Nuk mjafton të denoncohen abuzimet në konferenca shtypi. Ato duhet të dokumentohen, të debatohen dhe të ndiqen, përmes mekanizmave institucionalë.

Raporti vjetor 2025 i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve(KQZ) ishte një tjetër gabim dhe mundësi e humbur për të kërkuar përgjegjësi. Viti 2025 ishte vit zgjedhor, ku KQZ, me veprimet dhe mosveprimet e tij, garantoi vjedhjen dhe manipulimin skandaloz të zgjedhjeve nga Partia Socialiste.

Raporti vjetor i KQZ-së ishte një mundësi për një debat të thelluar dhe të argumentuar mbi përgjegjësitë e administratës zgjedhore për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, mbi trajtimin e paanshëm të ankesave dhe pretendimeve të subjekteve politike, mbi përdorimin e burimeve shtetërore në mënyrë abuzive gjatë fushatës zgjedhore, mbi barazinë e munguar të konkurrimit politik dhe aksesin në media, si dhe mbi zbatimin e rekomandimeve të OSBE-ODHIR-it për përmirësimin e standardeve zgjedhore.

PD-ja kishte mundësinë të paraqiste një analizë të dokumentuar të përgjegjësive institucionale të KQZ-së dhe të kërkonte masa urgjente konkrete për zgjedhjet e ardhshme.

Ne i kemi të gjitha kapacitetet dhe mundësitë të ndërtojmë një qeverisje alternative, dhe jo vetëm një axhendë kundërshtimi. Dhe këtë gjë duhet ta bëjmë sa më parë!

Partia Demokratike duhet të ndërtojë një mekanizëm të përhershëm bashkëpunimi ndërmjet grupit parlamentar, ekspertëve të ekonomisë, specialistëve të financave publike, juristëve dhe përfaqësuesve të pushtetit vendor.

Ky mekanizëm mund të funksionojë përmes disa instrumenteve konkrete, si Platforma alternative për Buxhetin 2027, me propozime të qarta për të ardhurat, shpenzimet, investimet dhe borxhin publik, Paketa alternative fiskale e PD-së, me analiza të ndikimit të çdo takse mbi biznesin, punësimin dhe konsumatorët, etj..

Kjo do t’i jepte opozitës një profil më profesional dhe do të krijonte një raport më të drejtpërdrejtë tonin me qytetarët.

III. Bojkoti i jep qeverisë monopolin e debatit parlamentar

Në një demokraci funksionale, parlamenti nuk është thjesht një institucion ku shumica miraton projektligjet e saj. Ai është vendi ku përballen alternativat, ku kontrollohet qeveria dhe ku opozita ka të drejtën dhe detyrimin të paraqesë një vizion tjetër për vendin.

Kur opozita largohet nga debatet, shumica fiton një avantazh të dyfishtë: miraton vendimet e saj me më pak kundërshtim parlamentar dhe shmang përballjen me argumentet e ekspertëve të opozitës.

PD-ja nuk duhet t’ia bëjë këtë dhuratë politike kësaj qeverie të korruptuar. Asnjë provokim parlamentar nuk duhet të jetë më i rëndësishëm se mundësia për të diskutuar përdorimin e miliarda eurove të parave publike, taksat që paguajnë qytetarët, funksionimin e institucioneve dhe integritetin e zgjedhjeve.

Opozita mund të protestojë, të denoncojë, të organizojë qytetarët dhe të kërkojë përgjegjësi politike. Por këto instrumente nuk duhet të zëvendësojnë punën parlamentare. Ato duhet ta plotësojnë atë.

xxx

Sot PD-së i duhet më shumë alternativë dhe më pak bojkot. Ne duhet ta kuptojmë se beteja politike nuk fitohet vetëm duke refuzuar axhendën e shumicës së korruptuar. Ajo fitohet duke imponuar një axhendë alternative.

Provokimet e Ramës, Peleshit dhe Ballës nuk duhet të përcaktojnë strategjinë tonë. Përplasjet në Kuvend nuk duhet të zëvendësojnë debatet për ekonominë. Dhe bojkoti nuk duhet të bëhet një mënyrë e zakonshme e ushtrimit të opozitarizmit.

Buxheti 2027 dhe Paketa Fiskale 2027 janë një provë konkrete e aftësisë sonë për të ofruar një model tjetër ekonomik, të dobishëm dhe shpresëdhënës për qytetarët. Partia Demokratike i ka të gjitha mundësirë të dëshmojë se zotëron ekspertizë, alternativa dhe njerëz të përgatitur për të marrë përgjegjësi qeverisëse.

Qytetarët nga ne nuk presin që t’u tregojmë se çfarë nuk shkon me këtë qeveri të paaftë dhe të korruptuar. Ata presin një opozitë që u tregon se si mund të qeveriset më mirë Shqipëria

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular