Gjatë pjesës së parë të sfidës mes Al Xhazirës dhe Gol Gohar, të fituar 1-0 nga skuadra e Kristjan Asllanit dhe që ishte rezultati përfundimtar, arbitri kryesor Hana Hatab shfaqi shenja përgjumje dhe mungesë përqendrimi. Për këtë u zëvendësua nga arbitri i katërt në Champions-in 2 aziatik. Sfida ka bërë bujë pas akuzave të rënda ku pretendohet se arbitri ishte i dehur.

Momenti më i çuditshëm ishte ndëshkimi me karton të verdhë i portierit Ersin Destanollu nga Al Xhazira, pas një ndërhyrje të Milson nga i njëjti ekip ndaj kundërshtarit. Trajneri i Gol Gohar, Mehdi Rahmati, iu drejtua arbitrit të katërt me fjalët: “Arbitri është i dehur”.
Të dyja skuadrat më pas kërcënuan se nuk do të vazhdonin ndeshjen nëse Hatab do të qëndronte në fushë. Kështu për pjesën e dytë u zëvendësua nga arbitri i katërt.
Pas ndeshjes, drejtori i Gol Gohar, Hejdar Afsari, deklaroi: “Arbitri në ndeshjen kundër Al Xhazirës nuk ishte në gjendje normale dhe madje edhe lojtarët e Al Xhazirës na thanë të njëjtën gjë. Klubi njoftoi menjëherë zyrtarët e ndeshjes dhe paralajmëroi se nuk do të luanim nëse situata do të mbetej e njëjtë. Numri 77 i Al Xhazirës duhej të përjashtohej me karton të kuq pas faullit të tij të dytë, por arbitri e regjistroi kartonin në emër të portierit kundërshtar”.
Pamjet e ndëshkimit të portierit po bëjnë xhiron e rrjetit. Asllani ndërkohë u aktivizua nga stoli në këtë takim.
Momenti i çuditshëm: (VIDEO)









