Transfertat e Kombëtares shqiptare nuk janë thjesht udhëtime sportive, 90 minuta futboll dhe mbështetje nga tribunat. Për shumë tifozë kuqezi, aventura nis shumë përpara vërshëllimës së parë dhe vazhdon gjatë deri pas përfundimit të ndeshjes.
Kudo që udhëton Shqipëria, duket sikur merr me vete një copëz të Tiranës dhe jo vetëm, me atmosferën, zhurmën, entuziazmin dhe, sigurisht, jetën e natës. Qytetet pritëse përgatiten të presin një numër të konsiderueshëm shqiptarësh, të cilët nuk mjaftohen vetëm me stadiumin. Restorantet, baret, klubet e natës dhe kazinotë bëhen pjesë e itinerarit të shumë prej tyre. E kur dyndja e tifozëve kuqezi është e madhe, edhe bizneset lokale duket se e kuptojnë menjëherë se kanë përpara një mundësi të artë për të bërë xhiro.
Një nga temat “pikante” që shoqëron këto udhëtime është edhe ajo e çmimeve të shërbimeve të eskortave. Në bisedat që qarkullojnë mes tifozëve, “Panorama Sport” mëson se flitet për tarifa që në ditët e ndeshjeve mund të dyfishohen, madje edhe të trefishohen. Një kërkesë më e madhe, më pak disponueshmëri dhe një qytet i mbushur me vizitorë krijojnë terrenin për një tjetër lloj merkatoje, ku çmimet duket se nuk njohin asnjë kufi. Me pak fjalë, ndërsa në fushë luftohet për pikë dhe rezultate, jashtë saj duket se zhvillohet një tjetër garë, ajo e ofertës dhe kërkesës. Madje, në këtë merkato të pazakontë, duket se edhe portofoli i tifozëve duhet të jetë në formë të mirë fizike! Por nuk mbaron këtu.
Një tjetër destinacion që përmendet shpesh në historitë e transfertave janë kazinotë. Në mbrëmjet kur luan Shqipëria, këto ambiente kthehen në pika tërheqëse për tifozët që kërkojnë argëtimin para dhe pas ndeshjes, madje duke krijuar radhë nëpër kazinotë e qyteteve. Sigurisht, jo të gjithë udhëtojnë me të njëjtin program. Disa preferojnë të këndojnë deri në mëngjes, të tjerë të eksplorojnë qytetin, ndërsa ka edhe nga ata që e shohin kazinonë si ndalesën e radhës.
E gjithë kjo e bën një transfertë të Shqipërisë shumë më tepër sesa një udhëtim për të ndjekur futbollin. Në fund të fundit, tifozët shqiptarë kanë krijuar reputacionin e tyre për atmosferën që dinë të prodhojnë kudo që shkojnë. Ata e kthejnë stadiumin në shtëpi, rrugët në tribuna dhe mbrëmjet në festa. Dhe nëse në fushë rezultati nuk është gjithmonë ai që dëshirohet, jashtë saj spektakli vazhdon deri në orët e para të mëngjesit.









