Në kuadër të festimeve të 28 dhe 29 Nëntorit, disa akse rrugore në Vlorë do t’i nënshtrohen kufizimeve. Ja zonat ku drejtuesit e automjeteve duhet të tregojnë kujdes
Policia e Vlorës ka njoftuar kufizime të përkohshme të qarkullimit dhe ndalim të parkimit të automjeteve në disa akse rrugore të qytetit, në kuadër të masave për mbarëvajtjen e aktiviteteve festive me rastin e 28 dhe 29 Nëntorit.
Sipas njoftimit të Policisë, masat do të hyjnë në fuqi prej orës 22:00 të ditës së sotme dhe do të qëndrojnë në fuqi deri në përfundimin e aktiviteteve festive.
Konkretisht, ndalimi i parkimit do të zbatohet në këto akse rrugore:
Rrethrrotullimi – sheshi “Omonia” – Shkolla e Muzikës – kryqëzimi i Menës – rruga për te “Hollidej”: nuk do të lejohet parkimi i automjeteve në të dyja anët e rrugës.
Kryqëzimi që vjen nga “Hollidej” – agjencia “Ruci” – kryqëzimi i Kapeles: ndalohet parkimi në krahun e djathtë të rrugës.
Aksi nga zona e L-së deri te kryqëzimi i Grevës: nuk do të lejohet parkimi i automjeteve.
Ndërkohë, shërbimet e Policisë do të jenë të pranishme në terren për menaxhimin e trafikut, orientimin e drejtuesve të automjeteve dhe garantimin e sigurisë gjatë zhvillimit të aktiviteteve.
Policia e Vlorës u ka bërë apel qytetarëve të tregojnë mirëkuptim dhe të bashkëpunojnë me autoritetet, duke shmangur parkimin në akset e përcaktuara dhe duke zbatuar udhëzimet e punonjësve të Policisë.









