Sulmet kibernetike, mbrojtja e informacionit dhe siguria në një mjedis gjithnjë e më të ndërlidhur ishin në qendër të leksionit të hapur të organizuar nga Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB) me studentët e nivelit Master në Universitetin Epoka, më 26 nëntor, në kuadër të nismave për edukimin financiar.
Leksioni me temë “Exploring Cybersecurity in the Banking and Financial Sector” u mbajt nga z. Ermal Galo, Nënkryetar i Komitetit të Sigurisë Kibernetike të AAB dhe Menaxher i Sigurisë së Informacionit në Union Bank. Ai trajtoi sfidat aktuale të sigurisë së informacionit, format e reja të kërcënimeve kibernetike dhe mënyrat se si institucionet financiare përballen me to. Përmes shembujve nga përvoja e tij profesionale, studentët morën një pasqyrë më konkrete të rreziqeve digjitale dhe masave që ndihmojnë në parandalimin dhe menaxhimin e tyre.
Diskutimi u pasurua nga pyetjet dhe komentet e studentëve, të cilët patën mundësinë të ndanin këndvështrimet e tyre dhe të lidhnin njohuritë akademike me situata reale të profesionit.
Leksioni solli në auditor përvojën e drejtpërdrejtë të sektorit bankar dhe nxiti diskutimin mbi një temë që prek gjithnjë e më shumë mënyrën se si punojmë, komunikojmë dhe përdorim teknologjinë.









