Kush është finlandezi me rrezikshmëri të lartë që u kap në Tiranë, “koka” më e kërkuar që kishte terrorizuar qytetarët

0

Në një bilanc të bërë dje nga Policia e Shtetit për kapjen e personave me rrezikshmëri të lartë, shqiptarë e të huaj, rezultonte të ishte kapur edhe një finlandez, i cili ishte ekstraduar drejt Finlandës për t’u përballur me akuzat në vendin e tij.

Mësohet kush është ky shtetas i ekstraduar drejt Finlandës, i cilësuar nga policia si një person me rrezikshmëri të lartë dhe një ndër njerëzit më të kërkuar. Burime nga policia i thanë gazetares Bezat se bëhet fjalë për shtetasin M. S., 34 vjeç, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi “ka shkaktuar panik dhe rrezik për qytetarët duke drejtuar automjetin nën efektin e lëndëve narkotike dhe pa leje drejtimi”.

Loading...

“Një tjetër i kërkuar bie në pranga falë bashkëpunimit të suksesshëm të Interpol Tirana me homologët. Kapet dhe arrestohet personi i shpallur në kërkim ndërkombëtar, shtetasi finlandez M. S., 34 vjeç.

Operacioni për arrestimin e tij u zhvillua nga Drejtoria Qendrore Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, pas një bashkëpunimi të suksesshëm në shkëmbimin e informacioneve në kohë reale mes ZQK Interpol Tirana dhe Sekretariatit të Përgjithshëm të INTERPOL.

Ky shtetas është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet e drejtësisë finlandeze, pasi Gjykata e Apelit në Helsinki, në prill 2018 e ka dënuar me 3 vjet e 11 muaj burgim, për vepra penale të rënda në fushën e narkotikëve, armëmbajtje pa leje dhe shumë raste të përsëritura në disa qytete në Finlandë, në periudhën dhjetor 2016 – prill 2017, ku ka shkaktuar panik dhe rrezik për qytetarët duke drejtuar automjetin nën efektin e lëndëve narkotike dhe pa leje drejtimi.

Shtetasit finlandez M. S., kryeson listën e personave të kërkuar në Finlandë, kjo sipas konfirmimit të Interpol Helsinkit, për shkak të panikut dhe rrezikut që ka shkaktuar për qytetarët. Kapja dhe arrestimi provizor i shtetasit M. S., u bë me qëllim ekstradimi drejt Finlandës”, thuhet në njoftimin e policisë, të siguruar nga gazetarja Bezat.

“Vlen të përmendet arrestimi dhe ekstradimi drejt Finlandës i një shtetasi të huaj, i cili figuronte në listën e personave më të kërkuar, me rezikshmëri të lartë shoqërore dhe fshihej në territorin shqiptar”, tha një ditë më parë zëvendësdrejtoresha e Policisë së Shtetit, Aida Hajnaj.

 

Loading...

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.