Aktorja dhe komediania Amy Schumer ka treguar se një kolonoskopi që nuk shkoi siç duhej ndikoi negativisht në jetën e saj intime.
44-vjeçarja, e cila u nda disa muaj më parë nga bashkëshorti i saj prej tetë vitesh, Chris Fischer, bëri rrëfimin gjatë një interviste në podcastin “Not Skinny But Not Fat”.
“Kam pasur, në një farë mënyre, një kolonoskopi të dështuar, kështu që nuk kam fare dëshirë për seks”, tha Schumer.
Megjithatë, ajo sqaroi se gjendja e saj emocionale nuk është ndikuar negativisht.
“Ndihem më e lumtur se kurrë”, theksoi aktorja.
Amy Schumer nuk dha më shumë detaje mbi atë që ndodhi gjatë procedurës, por më herët ka folur publikisht edhe për problemet e tjera shëndetësore që ka përjetuar.
Në vitin 2025, gjatë një paraqitjeje në podcastin “Call Her Daddy”, ajo kishte zbuluar se ishte diagnostikuar me sindromën Cushing.
“Po bëja injeksione me steroide dhe kjo më shkaktoi atë që quhet sindroma Cushing. Ndoshta nuk do ta kisha zbuluar kurrë nëse interneti nuk do të më kishte sulmuar aq shumë”, është shprehur ajo.
Aktorja tregoi se kishte mësuar se vuante nga ajo që quhet “fytyrë hëne” (fytyrë e fryrë), ndërkohë që po xhironte filmin e Netflix “Kinda Pregnant”.
“Kisha kamerën shumë afër fytyrës dhe mendoja: ‘O Zot’. Para se të nisnin xhirimet, ndihesha shumë keq me veten”, u shpreh Schumer.
Po atë vit, ajo konfirmoi në rrjetet sociale se kishte humbur rreth 23 kilogramë për të “mbijetuar” nga sindroma Cushing.
“Kisha një sëmundje që ta fryn jashtë mase fytyrën dhe mund të të vrasë, por interneti e vuri re dhe tani sëmundja është tërhequr. Më vjen keq për çdo ndjesi që ju shkakton fakti që humba këtë peshë”, ka shkruar ajo.







